E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Rrajcë: Motoja jonë: aty, ku jetoni, në çdo fshat e lagje të keni infrastrukturë të njëjtë me qytetin

Sot pasdite, Kryeministri Berisha vijoi me takimin me banorë të Rrajcës, Librazhd, para të cilëve prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj komune, të koalicionit “Aleanca për qytetarin” Seladin Bogdani. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu mbështetjen për zotin Bogdani dhe siguroi banorët se qeveria do mbështesë çdo projet për zhvillimin e kësaj komune, si dhe ftoi fermerët e kësaj zone të aplikojnë për të përfituar nga projekti kombëtar për mbjelljen e drurëve frutorë, të cilët do të subvencionohen për çdo rrënjë të mbjellë.

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju garantoj se katër vitet që vijnë, suksesi i datës 8 maj të kryetarit tuaj të komunës Seladinit do ta shndërrojmë në një sukses për çdo familje, për çdo banor të komunës Rrajcë.

Gjatë katër viteve të shkuara, qeveria ka investuar në komunën tuaj rreth 5 milionë dollarë. Ju garantoj se kjo është meritë në radhë të parë e kryetarit tuaj të komunës, i cili, me dashurinë dhe përkushtimin për ju, me aftësinë e tij, ka mbrojtur në qeveri e ka qenë një avokat i shkëlqer i interesave, hallave, derteve e problemeve tuaja. Katër vitet që vijnë, unë ju garantoj se me Seladinin do të asfaltojmë çdo rrugë të të gjitha fshatrave të kësaj komune. Katëtr vitet që vijnë, ne do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë e qendër shëndetësore që pret për t’u ndërtuar, në këtë komunë, sistemin e kanalizimeve dhe sistemin e vaditjes. Katër vitet që vijnë, burimi i bjeshkëve të Librazhdit, gurrat e zezë do të zbresë në Rrajcë dhe ju do të keni ujërat më të mira, më minerale të të gjithë rajonit.

Të dashur banorë të Rrajcës,

në rrugën tonë ka vështirësi, djersë, mund, punë e përkushtim. Natyrisht ka edhe dhimbje, por kjo rrugë është rruga e suksesit, e dinjitetit, e mëkëmbjes, është rruga, me të cilën secili ndërton më të mirën që mundet për vete, familjen dhe komunitetin e tij. Sëbashku në këto vite, ne ia dolëm të shndërrojmë në realitet ëndrrat tona më të bukura, por edhe të shqiptarëve të të gjitha gjeneratave. Shqipëria, nga vendi më i izoluar i Europës, sot është anëtar i NATO-s. Shqiptarët, nga qytetarët që ekzekutoheshin në kufjtë e rrethuar me tela me gjemba, sot lëvizin të lirë në mbarë Europën.

Ju, banorë të Rrajcës, jeni dëshmitarë se në tërë historinë  e këtij vendi, kurrë ndonjëherë një qeveri, sa kjo qeveri, nuk është përpjekur për jetën tuaj. Ne kemi shpallur si moton tonë: aty ku jetoni, në çdo fshat, në çdo lagje të keni infrastrukturë të njëjtë me qytetin, të keni ujë, drita, kanalizime, shkolla moderne. Pra, një moto, e cila është jetike për zhvillimin e qendrueshëm. Dua t’u them se, në rast se gjatë këtyre pesë viteve kemi asfaltuar mbi tetë mijë kilometra rrugë, pjesa dërrmuese e tyre është në komunat e fshatrat e vendit. Ne do të bëjmë gjithçka që fshati shqiptar, që Rrajca  e fshatrat e saj, fshatrat e Librazhdit të kenë standarde europiane infrastrukture, në të gjitha aspektet. Ne jemi i vetmi vend, e vetmja qeveri që ia dolëm të dyfishojmë pensionet tuaj. Ne e premtuam këtë në vitin 2005 dhe e bëmë realitet në vitin 2009 dhe do t’i rrisim vazhdimisht ato. Kjo është alternativa jonë. Ne vazhdojmë të mbështesim fermerët. Në qarkun e Elbasamit, ne kemi subvencionuar katër mijë hektarë dru frutorë dhe sera. Ju bëj thirrje fermerëve të Rrajcës e të Librazhdit, të aplikoni të mbillni sa më shumë dru frutorë, arra, lajthi, gështenja, qershi dhe që të gjitha do t’i subvencionojmë.

Vendin e kemi shumë të pasur, por duhet që ne t’i shndërrojmë në vlera pasuritë e tij përrallore. Sëbashku ne do ia dalim të shndërrojmë Rrajcën në një komunë të zhvilluar europiane, Librazhdin, në jë vend të zhvilluar europian, të ecim të sigurt drejt integrimit të vendit në Europë. Kjo është alternativa jonë. Alternativa tjetër është ajo e rrugës së vetme. Alternativa e rrugës së vetme, në të shkuarën, ishte për fshatin alternativa  e kooperativave dhe e fermave. Natyrisht, nuk bëhet fjalë më për to, por alternativa e rrugës së vetme në Tiranë është alternativa e bllokimit të çdo përpjekjeje tuajën për integrim, për mbarësinë, për mëkëmbje dhe për zhvillim.

Ju rikujtoj këtu se në emër të rrugës së vetme, ky zotëri ka votuar në parlament kundër të gjitha ligjeve që duheshin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ka votuar në parlament kundër të gjitha ligjeve që duheshin për heqjen e vizave, ka shpallur në parlament kriminale rritjen e pensioneve e rrogave, votoi së fundi kundër tunelit të autostradës Tiranë-Elbasan, që ju shkurton juve rrugën me Tiranën së paku 50 minuta.

Ndaj ju ftoj në 8 maj të merrni të gjithë pjesë në votime. Me votën tuaj të lirë të jepni ndihmesën tuaj, të vendosni edhe ju një tullë të re, në përpjekjen tonë, në ndërtesën tonë të madhe të integrimit të Shqipërisë në Europë. Votoni kryetarin tuaj Seladinin dhe ju jap fjalën se të gjitha premtimet do t’i shndërrojmë në realitet. Për ne, ju jeni të parët, familjet tuaja janë të parat, Rrajca është e para, Librazhdi është i pari, Shqipëria është e para. Rrofshi ju! Rroftë Librazhdi! Rroftë Shqipëria”  


24/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›