E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Lufta kundër korrupsionit do të fitohet kur të përjashtojmë subjektivizmin, babëzinë dhe vullnetin jo të mirë njerëzor

- Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e sallës së provimit të patentave, si dhe implementimin për herë të parë në Shqipëri të programit informatik për testimin e kandidatëve për drejtues automjetesh

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të sallës së provimit për patentat, si dhe implementimit për herë të parë në Shqipëri të programit informatik për testimin e kandidatëve për drejtues automjetesh, në Shkozet.

Kryeministri Berisha përgëzoi drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për këtë arritje shumë të rëndësishme në modernizimin e vlerësimit të kandidatëve për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit, si dhe u shpreh se kjo është një praktikë shumë e rëndësishme për luftën kundër korrupsionit. Kryeministri kërkoi që praktika të tilla të zbatohen edhe për provime në fusha të tjera me qëllim që të përjashtohet abuziviteti. 

Kryeministri Berisha siguroi qytetarët shqiptarë se “me mandatin e ri, energjitë dhe vendosmëria ime janë të shumëfishuara për të luftuar me vendosmërinë më absolute korrupsionin, këtë të keqe të madhe, këtë kancer, i cili dominohet vetëm me një luftë të vazhdueshme, konstante dhe të pandërprerë, me reformat më serioze dhe ndëshkimet më shembullore”.

Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë  ceremoni nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, nga përfaqësues  të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, deputetë të qarkut të Durrësit, etj.

Në fjalën e tij, Kryeministrit Berisha u shpreh:

“Unë ju përgëzoj për këtë arritje shumë të rëndësishme në modernizimin e vlerësimit, por njëkohësisht shumë të rëndësishme edhe në luftën kundër korrupsionit. Nuk ka asgjë më jetike për këtë vend sesa  lufta kundër korrupsionit. Në rast se do t’i rikthehemi katër viteve që shkuan, zgjedhjeve të datës 28 qershor dhe votëbesimit të qytetarëve shqiptarë, unë motivim më themelor gjej luftën kundër korrupsionit.  Kjo luftë hyn në një fazë të re. Kam deklaruar dhe e deklaroj se ne kemi fituar një betejë, por duhet të fitojmë luftën. Në katër vitet që shkuan, ne fituam një betejë të vështirë, por për Shqipërinë dhe shqiptarët rëndësi vendimtare ka fitorja e luftës kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit do të fitohet kur në çdo hap ne të arrimë standarde si ky, kur ne të përjashtojmë subjektivizmin apo vullnetin jo të mirë njerëzor, kur të përjashtojmë ndikimin e babëzisë së njeriut dhe për këtë ju përgëzoj. Uroj që edhe provime të tjera, në çështje të tjera, jo vetëm të kësaj Drejtorie, sepse ju jeni bërë shembull me këtë, por në të gjithë sistemin arsimor të frymëzohen nga kjo formë vlerësimi.

E realizuam për pranimet në universitetet dhe zhdukëm panairin e turpshëm të pazareve për pranimet në universitete. Duhet të synojmë edhe provimet në universitete, duhet të synojmë edhe provimet pasuniversitare, sepse këto janë praktikat më transparente, më të drejta, më të ndershme dhe që përjashtojnë abuzivitetin.

Unë shfrytëzoj rastin për të siguruar qytetarët shqiptarë se me mandatin e ri, energjitë dhe vendosmëria ime janë të shumëfishuara për të luftuar me vendosmërinë më absolute korrupsionin, këtë të keqe të madhe, këtë kancer, i cili dominohet vetëm me një luftë të vazhdueshme, konstante dhe të pandërprerë, me reformat më serioze dhe ndëshkimet më shembullore.

Zoti Drejtor ju përgëzoj ju, ekipin tuaj dhe të gjithë këta që aplikojnë sot për të marrë patentën. Unë uroj që këtë praktikë ta shtrini sa më shpejt në të gjitha qarqet e vendit. Kemi nevojë të domosdoshme të nxjerrim çdo procedurë dhe ta bëjnë të padepërtueshme nga korrupsioni dhe nga virusi i tij. Absolutisht, kjo është rruga e duhur.  Shpesh më shtrojnë pyetjen se ku do t’i gjejmë paratë dhe unë kam vetëm një përgjigje: duke luftuar  korrupsionin. Unë shoh që kjo përgjigje dëgjohet jo rrallë me skepticizëm, sepse vërtetë nuk arrijnë që ta konceptojnë, por unë nuk kam përgjigje tjetër.  Paratë gjenden dhe do të gjenden për projektet tona të mëdha, para së gjithash dhe mbi të gjitha duke luftuar korrupsionin.

Ju uroj shumë suksese dhe me vjen shumë mirë për këtë progres të ndjeshëm që keni bërë në një fushë të përfolur. Ju e nxirrni këtë në transparencë të plotë dhe duhet ta  shtrini në çdo rreth. Por, duhet të shohim edhe në procedura të tjera, të mos ndalemi. Të tregojmë modernitet, të tregojmë vendosmëri dhe ta bëjmë qëllim madhor luftën kundër korrupsionit.

Para tre ditësh, unë me ministrin z. Olldashi po shihnim objektet e reja të infrastrukturës që duhet të fillojnë punimet. Ishte pozitive se në garë për ndërtimin e tyre, gjithnjë me prokurim elektronik, kishte pjesëmarrje absolutisht pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë kompani. Unë nuk them se gjithçka është në përsosje absolute, por them se po ecet drejt një përsosje të atillë, që vërtet të shndërrohemi në një nga vendet me nivele të ulëta korrupsioni, të luftojmë dhe të arrimë standardet që kanë vendosur njëzet vendet e para në luftën kundër tij”.


11/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›