Kryeministri Berisha inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e bypass-it të Durrësit, segmentin Shkozet – Plepa

- Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh “shfrytëzoj rastin për të falënderuar edhe një herë qytetarët shqiptarë për mundësinë e jashtëzakonshme që na dhanë, që me këtë mandat të shndërrojmë në realitet projektin më të madh që shqiptarët kanë njohur në të gjitha kohërat”
Në vazhdim të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha u ndal sot në qytetin e Durrësit ku fillimisht mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fazës së parë të fillimit të punimeve për ndërtimin e bypass-it të Durrësit, investim i Fondit Kuvajtian dhe qeverisë shqiptare, me vlerë rreth 13 milionë euro.
Ky segment fillon nga mbikalimi i autostradës Tiranë-Durrës, në Shkozet dhe përfundon në mbikalimin e plepave. Faza e parë e ndërtimit përfshin trasenë e trupit të rrugës të bypass-it të Durrësit me gjatësi 5 kilometër dhe gjerësi 35.5 metër, me brez të gjelbër ndarës, trotuare si dhe rrugë paralele shërbimi në të dy anët. Në këtë segment përfshihet edhe ndërtimi i katër rreth rrotullime, si dhe nënkalimi hekurudhor i Shkozetit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi i këtij bypass-i modernizon transportin e kësaj zone, si dhe lehtëson trafikun e rënduar në bulevardin e zonës së plazhit. “Sot ne inaugurojmë mbikalimin, nyjën e Shkozetit, një investim prej 1.5 miliardë lekë apo rreth 13 milionë euro, ndihmë bujare e qeverisë Kuvajtiane, të cilës ne i shprehim mirënjohjen më të thellë. Ky mbikalim modernizon transportin e kësaj zone, si dhe përjashton nga trafiku i rëndë bulevardin e zonës së plazhit. Më ndërtimin e saj, Durrësi merr një vepër të re të madhe infrastrukturore. Së shpejti, ne do të inaugurojmë unazën e Durrësit, sepse ne nuk mund të konceptojmë për shkak të dallimeve partiake në pushtet, të rrimë duarkryq para nevojave të qytetarëve. Absolutisht, jo! Përkundrazi, ne do të shumëfishojmë përpjekjet tona për të bërë sa më shpejt Durrësin me unazën që meriton dhe për të transformuar sa më shpejt infrastrukturën e asaj që dje ishte kënetë dhe sot është një nga qytetet e reja më të bukura të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri Berisha falënderoi edhe një herë qytetarët shqiptarë për besimin që i dhanë kësaj qeverie, në mënyrë që gjatë këtij mandati të shndërrohet në realitet projekti më i madh që Shqiptarët kanë njohur në të gjitha kohërat. “Unë shfrytëzoj rastin për të falënderuar edhe një herë këtu shqiptarët për mundësinë e jashtëzakonshme që na dhanë, që me këtë mandat të shndërrojmë në realitet projektin më të madh që shqiptarët kanë njohur në të gjitha kohërat”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria po ndryshon dhe se ky do të mbetet lajtmotivi ynë deri sa ky vend të gëzojë standardet, të gëzojë infrastrukturën, të gëzojë arsimin dhe shëndetësinë e niveleve evropiane. “Shqipëria po ndryshon! Ky është dhe do të mbetet lajtmotivi ynë deri sa ky vend të gëzojë standardet, të gëzojë infrastrukturën, të gëzojë arsimin dhe shëndetësinë e niveleve evropiane. Ky është motivi ynë i fuqishëm që këto katër vite ti shndërrojmë në vitet e transformimit më të madh dhe me të shpejtë të këtij vendi dhe që në këto katër vite ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturën më të re dhe më moderne në Ballkan dhe më gjerë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit z.Sokol Olldashi, deputetë të Qarkut të Durrësit, etj.
10/07/2009