E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Lufta ndaj varfërisë, një betejë e vështirë por plotësisht e mundshme për tu fituar

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare “Biznesi Social në Shqipëri”, e organizuar nga Yunus Social Business  Albania, në bashkëpunim me “Nxitja e Biznesit Social”, pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Konferenca do të bashkojë grupe aktorësh të ndryshëm zhvillimi, përfshirë sipërmarrësit, institucionet publike, bizneset, organizata dhe agjenci zhvillimi lokale dhe ndërkombëtare, akademikë dhe të rinj. Ceremonia e hapjes u përshëndetet edhe nga Ministri i Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Z.Spiro Ksera dhe zonja. Saskia Bruysten, CEO I Yunus Social Business.

Në këtë aktivitet u diskutua mbi konceptet dhe funksionimin e biznesit social si dhe u morën shembuj nga sipërmarrës të biznesit social në Shqipëri e kudo në botë për nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve sociale në vendin tonë.

Duke përshëndetur këtë Konferencë, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e organizimit të një nga nismave më të rëndësishme në luftën kundër varfërisë  të ndërmarrë pak vite më parë nga profesor Muhammad Yunus, nisëm kjo, që siç- tha kryeministri,-  ka pasur për rezultat luftën efiçentë kundër njërit prej tre armiqve më të rrezikshëm të njeriut që është varfëria. “Varfëria, pavarësisht nga dimensionet e mëdha të tregut, dimensione që si ka pasur kurrë ne historinë e njerëzimit, mbetet dhe sot një armik ndofta më i rëndësishëm dhe më kryesor i njerëzimit”, theksoi kryeministri.

Kryeministri vlerësoi se rritja ekonomike, rritja e ndihmës ekonomike dhe pensioneve, krijimi i vendeve të punës janë ndër faktorët kryesor në luftën kundër varfërisë dhe pa diskutim që ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në uljen e saj por prapë ajo mbetet dhe ka hapësirën e vet, hapësirë të cilën Yunus, theksoi kryeministri, dhe iniciativa e tij marrin përsipër ta mbulojnë. “Unë realisht e besoj plotësisht se varfëria mund të çrrënjoset dhe se nuk është pamundësia e çrrënjosjes së saj faktor që e mban atë, është pamundësia dhe paaftësia e qeverive dhe e shoqërisë që e bën atë një faktor konstant në të gjitha vendet në të gjitha kombet”, u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi se rezultatet e qeverisë në luftën kundër varfërisë, mbi bazën e statistikave, janë nga më të shkëlqyerat, të cilat para dhjetë vitesh kanë qenë rreth 25% sot 12%, por sërish theksoi ai janë  dhjetëra, mijëra qytetarë dhe familje.

Kryeministri përshëndeti edhe njëherë këtë nismë dhe theksoi që kjo të shndërrohet në një bërthamë të fuqishme të inspirimit të qindra e qindra të rinjve të tjerë, të qindra e qindra bizneseve të tjera, që të ndërmarrin këtë beteje, siç  vlerësoi ai,  më fisnikja e jetës sonë pas shembjes se diktaturës komuniste në Shqipëri, një betejë e vështirë, por plotësisht e mundshme për tu fituar.  

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet kryeministri u shpreh:

I nderuar  z. Ministër.

Të nderuar drejtues të Universitetit Europian.

Të dashur studentë dhe studente.

Zonja drejtuese e Iniciativës së biznesit social në Shqipëri, Bonati.

Së pari dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë time, që sot  mblidhemi këtu për një nga nismat më të rëndësishme në luftën kundër varfërisë  të ndërmarrë pak vite më parë nga profesor Muhammad Yunus. Nisëm kjo e cila ka pasur për rezultat luftën efiçentë kundër njërit prej tre armiqve më të rrezikshëm të njeriut siç thoshte John Kennedy , që është varfëria. Presidenti i SHBA në vitet ’60 do të përcaktonte me shumë të drejtë tiraninë, varfërinë dhe sëmundjen, si tre armiqtë kryesore të njeriut. Tirania shkon gjithnjë e më shumë duke u rrudhur duke u zvogëluar në botë. Regjimet tiranike janë dhe bëhen gjithnjë e më shumë regjime të së shkuarës. Varfëria, pavarësisht nga dimensionet e mëdha të tregut, dimensione që si ka pasur kurrë ne historinë e njerëzimit, mbetet dhe sot një armik ndofta më i rëndësishëm dhe më kryesor i njerëzimit. Një armik pantotemik gjendet kudo, një armik i vështirë, të cilin qeveritë me metodat e tyre konvencionale, se nuk ka qeveri të një vendi të lirë që nuk shënon luftën kundër  varfërisë si një qëllimet kryesore, nuk ia kanë dalë ta çrrënjosin, madje në programet e tyre ato nuk bëjnë fjalë asnjëherë për çrrënjosje varfërie. Një burrë, një njëri, një studiues, u ngrit mbi këto koncepte dhe deklaroi se varfëria mund të çrrënjoset, se ky armik mund të çrrënjoset, natyrisht kjo jo me metodat e zakonshme të përdorura. Nuk ka diskutim që rritja ekonomike është një nga faktorët kryesore në luftën kundër varfërisë , nuk ka diskutim që rritja e ndihmës ekonomike dhe pensioneve ndikon në mënyrë të ndjeshme në uljen e saj dhe Shqipëria është një nga modelet e kësaj ulje. Nuk ka diskutim se krijimi i vendeve të punës është një mekanizëm  i sigurt dhe i rëndësishëm, por prapë ajo mbetet, prapë ajo ka hapësirën e vet, hapësirë të cilën Yunus dhe iniciativa e tij marrin përsipër ta mbulojnë. Në takimin e parë që kam pasur me profesor Yunus në Nju Jork , ajo çka më impresionoi mua më shumë, besimin tim, se varfëria mund të çrrënjoset dhe unë realisht e besoj plotësisht këtë, se varfëria mund të çrrënjoset dhe se, nuk është pamundësia e çrrënjosjes së saj faktor që e mban atë, është pamundësia dhe paaftësia e qeverive dhe e shoqërisë, që e bën atë, një faktor konstant në të gjitha vendet në të gjitha kombet. U ndala në këto fjalë, për të dalë në një moment tjetër, në luftën kundër saj duhet të besosh se ajo çrrënjoset.

Të dashur studentë dhe studente

Duhet tu them se jeni fatlum që angazhoheni në këtë nisëm, e cila kërkon më shumë se çdo gjë tjetër, mendjen, përkushtimin dhe dashurinë tuaj, për të luftuar varfërinë. Yunus në mesazhin e tij thotë, duhet kreativiteti shumë më tepër se paratë. Paratë gjenden dhe jeni ju në të gjithë ndjesitë tuaja, në të gjithë intelektin tuaj, në të gjithë përkushtimin tuaj, që do të gjeni çdo ditë në punën tuaj, mënyrën sesi të nxjerrim gjithnjë e më shumë qytetarët nga varfëria dhe të mos harrojmë asnjëherë se njerëzit nuk janë statistikë. Rezultatet e kësaj qeverie në luftën kundër varfërisë mbi bazën e statistikave janë nga më të shkëlqyerat. Ajo ka qenë para dhjetë vitesh rreth 25% sot është 12%, por edhe 01% po të jetë, janë  dhjetëra, mijëra qytetarë dhe familje. Ndaj dhe ne nuk duhet të merremi me statistika, duhet të merremi me secilin prej tyre. Biznesi social është biznesi i virtytit, jo se tjetri është i vesit, jo nuk e them këtë në asnjë mënyrë, por nëse ti merr përsipër të ndash nga ato fitimet e tua për të ndihmuar të tjerët, që të gjallojnë në një biznes të vogël, të mund të ndërtojnë një jetë më të mirë për veten, je shndërruar në një burim të madh mirësie, ke dëshmuar njerëzinë tënde dhe kjo mendoj unë, ke të drejtë të krenohesh dhe gëzosh shumë më tepër, për pasurinë që e ke me meritën më të madhe. Në ketë kontekst, do të ftoja biznesmenët shqiptarë të mos harrojnë se i përkasin një kombi, i cili një nga virtytet më të shkëlqyera ka bujarinë e tij. Ndaj dhe le të ndjekim këtë fibër, të moralit kombëtar, të moralit të popullit të tyre, se absolutisht do të ndihen shumë të  lumtur, shumë më të begatë dhe më krenarë, me arritjet e tyre, me krijimin që ata bëjnë në sipërmarrjet e tyre.

Shqipëria, të dashur studentë dhe studente, ka një varfëri në zvogëlim, por kudo që ndodhet aty ka dhimbje, kudo që ndodhet aty ka qytetarë dhe qytetare që qajnë me lot të ftohta çdo ditë. Ajo ka një hartë dhe kjo hartë është zona verilindore dhe juglindore e vendit , por ajo është pantotenike, ajo ekziston edhe pak qindra metra nga ku jemi mbledhur sot, në komunitetet me të kërcënuara, prandaj le të shndërroheni ju, në një bërthamë të fuqishme të inspirimit të qindra e qindra të rinjve të tjerë, të qindra e qindra bizneseve të tjera, që të ndërmarrin këtë beteje, më fisnikja e jetës sonë pas shembjes se diktaturës komuniste në Shqipëri. Betejë e vështirë, por plotësisht e mundshme për tu fituar. Qeveria do të bëjë gjithçka që biznesi social, nisma e Yunus, do të bëjë gjithçka që sistemi i mikro kreditimit të shtrihet aty ku qytetarët shqiptarë janë më në nevojë.

Dhe njëherë zonja Saskia ju falenderoj shumë për angazhimin tuaj direkt do t’ju përshëndes ju ekipin në Gjermani dhe profesor Yunus, për të cilin shpreh bindjen se së shpejti do ta presim në Shqipëri.

Faleminderit.


30/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›