Kryeministri Berisha njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Demokratike drejton mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike
Kryeministri Berisha, njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Demokratike mblodhi sot pasdite kryesinë e Partisë Demokratike, në kuadër të diskutimeve për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Kryeministri informoi lidhur me zhvillimet më të fundit të këtij procesi, duke vlerësuar se në të gjitha takimet me aleatët spikat qartë vullneti për ti dhënë vendit presidentin me vlerat, virtytet, aftësitë dhe integritetin e merituar për detyrën e lartë të kryetarit të shtetit.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
E kam thirrur këtë mbledhje që tu informoj mbi zhvillimet e dy ditëve të fundit për procesin më kryesor që ka vendi sot, procesi i zgjedhjes se Presidentit te Republikës. Mund u them se në të gjitha takimet me aleatët spikat qartë vullneti për ti dhënë vendit, Presidentin me vlerat dhe virtytet, aftësitë dhe integritetin e merituar për detyrën e lartë të kryetarit të shtetit. Pra, në rast se ne po përpiqemi që vendi të ketë një President me cilësitë, virtytet, aftësitë më të arrira për postin, po përpiqemi ti japim vendit presidentin më të besueshëm dhe me shkallën më të lartë të integritetit, mund të themi se kjo përpjekje nuk gjen pasqyrim tek opozita.
Zoti Rama kërkon ta shndërrojë zgjedhjen e Presidentit në çështje pazaresh, d.m.th. e ftuam për Presidentin, na erdhi me kushte, me ultimatume. Përsëri e ftuam dje për Presidentin, përsëri bën fjalë sot, për kriza, për killer, për ekzekutime politike të të gjithë anëtarëve të KQZ, paçka ne krye të mandatit të tyre ata janë votuar nga i gjithë spektri politik, duke dhënë kështu shembullin jashtëzakonisht të papranueshëm për këtë kohë se të ngrihesh kundër të gjithë anëtarëve te KQZ, ti shpallësh ata armiq dhe të kërkosh largimin tyre të menjëhershëm, në një kohë që ne e ftojmë të zgjedhim Presidentin e Republikës me një konsensus sa më të gjerë të mundshëm, do të thotë se jo zgjedhja e një personaliteti të merituar në krye të kësaj detyre më të lartë, po pazaret, krizat, ekzekutimet politike, e kështu me rradhë janë përgjigja e tij në një moment shumë të rëndësishëm për vendin.
Zoti Rama, të gjithë përpjekjeve tona për të bashkërenduar punën për të zgjedhur Presidentin me mbështetjen më të gjerë, po i përgjigjet me një sërë akuzash, të cilat të gjitha pa përjashtim fshehin vullnetin e tij të palëkundur për të bllokuar procesin e integrimit.
Edhe një here më duhet tu them shqiptarëve se ishte ky zotëri dhe dy zëdhënësit e tij më kryesore që një javë më parë akuzuan Berishën se po zvarrit reformat për ti lidhur ato me procesin e zgjedhjes së Presidentit. Dhe tani që unë i them urdhëro zotëri, të realizojmë procesin e zgjedhjes së Presidentit, siç parashikon kushtetuta dhe kushtetuta e parashikon me tre të pestat në tre raundet e para. Kushtetuta detyron të gjitha ata që i besojnë Kushtetutës që të bëjnë përpjekjet më maksimale për të gjetur personin që merr mbi tre të pestat, sepse së bashku me zotin Rama kemi vendosur që tre raundet e para të jenë me tre të pestat. Dhe ne nuk e bëmë që Presidenti zgjidhet që në raundin e parë dhe të dytë me 50 plus 1. Ne u angazhuam në një proces historik në vitin 2008 të reformës kushtetuese me Zotin Rama, por natyrisht ne patëm parasysh dhe krijuam të gjithë mundësinë që Kryetari i Shtetit të gëzojë mbështetjen më të gjerë të mundshme kur ajo mund të arrihet. Kjo për fat të keq, kësaj radhe, në vend që të nisi me përpjekje serioze para shqiptarëve, nis me ligjërata akuzash me kilometra të tëra të kundërshtarëve, por sot u shtri edhe tek KQZ, tek kryetari, tek anëtarët dhe kështu me rradhë.
Të gjithë këto qëndrime të tij , të gjithë parashikimet për krizë, pasi sot në fjalën e tij ai foli për killer, armiq dhe krizë, pra këto te treja ishin elementët që dominonin fjalën, ndërkohë që në ofertën tonë, ne synojmë që të zgjedhim me konsensus Presidentin, të procedojmë dhe të kompletojmë reformat. Në qoftë se ju zoti Rama kërkoni heqjen e imunitetit ejani që nesër ta votojmë. Edhe në seancën e nesërme ne i kemi të gatshme të gjitha formulimet siç i dëshironi ju. Dëshironi ju zoti Rama me ndryshim të Kushtetutës, ne jemi të gatshëm të votojmë ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. Dëshironi ju Zoti Rama në ndryshim të ligjeve organike, pra të secilit ligj, të parlamentit, të gjyqësorit, ndryshime në Kodin e Procedurës Penale? Ne jemi të gatshëm që nesër ti votojmë. Shqiptarët nuk kanë nevojë për fjalime dhe retorika boshe. Shqiptarët nuk kanë nevojë për seriale të tëra konferencash shtypi dhe show televiziv. Shqiptarët kanë nevojë për vepra konkrete, kanë nevojë për reforma, të cilat ju hapin atyre dyert për statusin e vendit anëtar në BE. Shqiptarët nuk kanë nevojë për shkëmbim akuzash, shqiptarët kanë nevojë për që të votohet heqja e imunitetit në parlament që nesër. Shqiptarët kanë nevojë që presidenti i tyre të mbledhë jo njëzet firma, sa çështë sot, por të mbledhë 20 firma nga secila anë dhe të votohet me numrin më të madh te mundshëm të deputetëve. Shqiptarët nuk kanë nevojë për parada negative televizive, por kanë nevojë që të zbatohen rekomandimet e ODIHR dhe kodi zgjedhor, kanë nevojë të votohet rregullorja e Parlamentit dhe jo një Kushtetutë për Edi Ramën apo për Sali Berishën.
Ai (Rama) sot deklaroi se “nesër nuk votohet, nis kriza”. Jo mor zotëri se e ka parashikuar Kushtetuta, zoti Rama, se edhe kur nuk votohet, quhet votim. Lexoje mirë, edhe po nuk u votua quhet raund i kaluar, prandaj të mos përdorim retorikën për të fshehur atë që ju synoni, bllokimin e reformave. Ne rast se ju dëshironi, urdhëro zotëri testoje vullnetin e kësaj mazhorance, provoje atë dhe pastaj thuaju shqiptarëve se këta nuk duan president me tre të pestat.
Pra edhe një herë dua të theksoj se shqiptarët nuk kanë nevojë për retorikë, kanë nevojë për vepra, nuk kanë nevojë për akuza boshe, kanë nevojë për votime konkrete, nuk kanë nevojë për një fjalor të tejkaluar para 20 viteve, killer, armiq e me rradhë, ata kanë nevojë për të votuar reformat, për të votuar presidentin konsensual.
Edhe një herë thirrja ime është të vlerësosh ofertën e sinqertë që kjo mazhorancë i bën opozitës, të zgjedhim presidentin dhe prapë them se kemi të dy palët, fatmirësisht ekspertë dhe specialistë shumë të mirë. Tani ky nuk u beson, ky është dallimi. Se ja, unë u ula me të, por çfarë do të më mbushë mendjen mua ai, se e njeh më mirë se Damjani doktrinën elektorale? Jo nuk ma mbush mendjen. Se ata që merren gjithë ditën me të e njohin më mirë. Ne mund të përcaktojmë një kornizë, disa parime, por ne nuk jemi njerëzit e veçantive, sepse ajo është një doktrinë. Doktrina elektorale është një doktrinë në të drejtën dhe më mirë e njohin ata, të cilët kanë 15 apo 20 vjet që merren me të. Ne u përcaktuam sistemin, e zgjodhi ai vetë, sistemin spanjoll, ne pranuam. Ne e përcaktuam rajonal, pastaj të tjerat do ti bëjnë ata që e njohin sistemin. Formulat i bëjnë matematicienët, nuk mund të bëhemi matematicienë. Le të ulemi bashkë por punën kush do ta bëjë? Sepse kjo nuk e zgjidh problemin. Nenet elektorale i shkruajnë ata që zotërojnë doktrinën e tyre.
Edhe njëherë, e ftoj për realizëm, por për të pirë kafe me mua, le të vijë kur të dojë. Por nuk është kjo zgjidhja. Në se do të takohemi, le të takohemi, por duhet ta zgjidhim. Ne jemi për të zgjidhur, jo për të bllokuar, ne jemi për të zgjidhur, jo për të bërë show.
29/05/2012