E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Kuvend, në seancën për raundin e parë të votimit për Presidentin e Republikës

Zonja deputete,

zotërinj deputetë,

zonja kryetare e parlamentit,

Të dashur qytetarë të vendit që ndiqni me interes qytetar këtë seancë, e cila në përputhje me Kushtetutën e vendit duhet të procedonte me votimin e kandidatit për karrigen më të lartë të shtetit, Presidentit të Republikës.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës përbën një proces madhor, të një rëndësie themelore për vendin dhe në këtë kontekst, jam këtu për t’ju garantuar ju, të dashur qytetare e qytetarë, parlamentarët shqiptarë se jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për t’i dhënë vendit presidentin, në lartësinë kushtetuese të detyrës së tij, personalitetin, gruan apo burrin, me integritetit të lartë, të gjithanshëm. Ky ka qenë dhe ky është qëllimi ynë.  

Në këtë kontekst dhe në përputhje me Kushtetutën, mazhoranca, e cila ka një marrëveshje për të zgjedhur presidentin, me konsensusin ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, është ngritur mbi këtë marrëveshje, është ngritur në lartësinë e kërkesave të Kushtetutës, të cilën e kemi shkruar siç ka dashur Partia Socialiste dhe siç ka kërkuar kryetari i saj. Kjo është e vërteta! Ai ka kërkuar që tre raundet e para të votohet me 3/5 dhe unë e kam konsideruar dhe konsideroj këtë, një kërkesë shumë të drejtë, sepse është në interesin më të mirë që qytetarët shqiptarë të shohin tek kryetari i shtetit të tyre, një njeri me mbështetje më të gjerë të mundshme. Bazuar në këtë detyrim kushtetues, në afatin kushtetues, ne filluam konsultimet dhe pa shqipëruar qoftë edhe një emër të vetëm. Ne dëshironim që konsultimet të vazhdonin me ju dhe kjo ishte dhe është e domosdoshme.

Kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës që është edhe kryetari i mazhorancës në Parlament i dërgoi një letër-ftesë kryetarit të grupit të minorancës në Parlament, në të cilën e fton të fillojë dialogu. Të mos mendojë kush se me retorika boshe mund t’u hedhë hi syve, qytetarëve shqiptarë! Ka ikur koha e territ dhe censurës. Hapësira informative shqiptare ndriçohet nga dhjetëra e dhjetëra media, të cilat kanë meritën historike se e kanë nxjerrë vendin nga censura. Pas një hezitimi evident, fatmirësisht erdhi përgjigja e pranimit të takimit. Por, për t’ia ndriçuar rrugën zotin Ruçi në takim, për t’i bërë dritë në parlament, doli editoriali, i shkruar nga ish këshilltari im për çështjet kozmopolite që tani, ju e keni për çështje atdhetarie. Doli editoriali: E tëra ose asgjë! Kjo ishte motoja dhe menduat procesin, sipas editorialit të ish këshilltarit tim për çështje të kozmopolitizmit dhe vendosët që nëpërmjet zgjedhjes së Presidentit t’i “ngrinit themelet” shtetit. Për ta bërë këtë, formuluat ultimatumin me 4 kushte. Le ti analizojmë edhe një herë.

Reforma zgjedhore.

Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, që nga tetori, kur u votua këtu, marrëveshja parlamentare e deri më sot, jo me shkrim, por në marrëveshje mirëkuptimi, kjo mazhorancë nuk ka paraqitur qoftë edhe një amendament të vetëm, sepse kjo u kërkua fillimisht nga ju dhe ne ju thamë se me shkrim nuk e pranojmë, por praktikë do ta bëjmë. Ju sollët me dhjetëra amendamente, i diskutuat në frymë konstruktive dhe ato i dhanë përgjigje 96 përqind të të gjitha problemeve të ngritura nga OSBE/ODIHR-i. Por ndodhi që ODIHR, i cili është pranuar nga të dyja palët, - ODIHR nuk vjen po nuk u pranua nga të dyja palët - thotë se metodat elektronike për zgjedhjet që zhvillohen në 2013 janë të parakohshme dhe se kërcënojnë procesin. ODIHR nuk mund të merret me fobira e obsesione. ODIHR do që qytetarët shqiptarë të kenë një proces të garantuar. ODIHR nuk mund të niset nga teza se: 20 mijë komisionarët e mi socialistë më tradhtuan, se Berisha i korruptoi ata, pa asnjë fakt. ODIHR mban disa parime të shëndosha. ODIHR tha se kjo rrënon procesin zgjedhor. Atëherë çfarë takimi mund të bëni me mua? A mund të bëhem ortak e përgjegjës për një proces të ardhshëm të rrënuar? Zgjidheni këtë me ODIHR-in dhe ne ju garantojmë se atë që thotë ODIHR, do ta firmosim pa asnjë hezitim. Nëse e kemi marrë [ODIHR] për të na ndihmuar, është në detyrimin tonë të dëgjojmë opinionin e tij, si cili nuk asnjë synim tjetër, veç garantimit të standardit ndërkombëtar.

Çështja e dytë ngrihet sërish mbi krizën e besimit dhe fobinë. Gjatë gjithë këtyre muajve kërkuat dhe unë kam një mirëkuptim për kërkesën, ndonëse më vjen keq, që të dominojë në 80 përqind të procesit minoranca bllokuese. Opozita mund ta kërkojë këtë dhe unë nuk kam kundërshtime, ndaj ne e pranuam që 80 përqind e vendimeve në KQZ të merren 5 me 2. Por tani del që të gjitha vendimet e marra 5 me 2 të mund të zhbëhen e të shpallen të paqena, nga dy përfaqësues, militantë të PD-së ose PS-së. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se kryetari i partisë mund të bëjë ç’të bëjë, por 20 mijë komisionerë nuk i zgjedh dot. Ato i zgjedhin strukturat e partisë, ndaj atyre t’u vendoset “lupa e besimit”. Kështu që besimi nuk shkon tek 20 mijë komisionarët, por tek dy të besuarit e kryetarit dhe në bazë të këtij besimi, t’i jepet këtyre të dyve shkopi magjik, për të shpërbërë çdo vendim të të gjithë të tjerëve, pavarësisht se ato janë vendime, në të cilat ka votuar edhe pakica bllokuese.

Atëherë, përse ne nuk e pranojmë këtë? Në mënyrën më të habitshme, ju harroni se një qeverie dhe jo qeveri e Sali Berishës, se ai e ka bërë të qartë botërisht përkushtimin e tij për votën e lirë, por nesër një qeverie tjetër, që mund të mendojë të rrijë në karrige, i jepni të drejtë që dy përfaqësuesit e saj t’i marrin në dorë të gjitha vendimet, pavarësisht se pakica i ka bllokuar. Këtë nuk mund ta bëjmë. Cila është zgjidhja? Ka një vendim gjykate. Ndaj përfaqësuesit tuaj me përfaqësuesit tanët të ulen e ta transkriptojnë vendimin e gjykatës, në mënyrë që edhe këta të dy të mund të mos jenë abuzivë, sepse në ligjet e një vendi të lirë, gjithnjë kihet kujdes që askush të mund të mos abuzojë në zbatimin e  tyre.

Çështja e tretë. Është zgjidhur çështja e KQZ-së, si problem amendamenti. Keni sjellë një propozim që pak a shumë mund ta pranojmë, por çfarë ndodh tani. Tani ndodh ekzekutimi  politik i të gjithë anëtarë e të KQZ-së, pavarësisht nga partia politike edhe Subashi dhe me radhë, po pse kështu bëhet?!  Në atë KQZ ka anëtarë komisioni, të cilët absolutisht e njohin procesin zgjedhor, kanë njohuri për procesin zgjedhor dhe praktikën e tij, më shumë se i gjithë ky parlament i marrë sëbashku, sepse kanë qenë  aty të besuarit e tre presidentëve më radhë, që prej vitit  1999 apo 2000. Çfarë keni me këta ju?!  Pse ju doni ti dënoni këta?! Kush do të bëjë procesin nëse çojmë shtatë rishtarë të tjerë.  Si ka mundësi të ngriheni mbi shkelmimin e eksperiencës së krijuar?! Si ka mundësi të jeni kaq radikalë?! Unë nuk mund të imagjinoja kaq mosmirënjohës ndaj atyre, të cilët kanë shërbyer me aq devocion dhe e gjetët, por mos harroni një gjë, se ju jeni ata që i keni votuar në këtë parlament që të gjithë me unanimitet dhe tani del Ristani, si killer. Mund të përdoret një fjalor i tillë nga një kryetar partie! Problemi është shumë serioz, sepse ju udhëhiqeni nga një platformë, e cila vë përpara armikun dhe tani ndaj armikut të gjitha bateritë, armiku është killer, armiku është për tu zhdukur, armiku është për tu asgjësuar, por kjo nuk është demokraci, kjo është fatkeqësi, kjo është rilindja e bllokut.

Problemi tjetër, të dashur qytetarë, kërkojnë imunitetin.

Heqja e imunitetit, dua të garantoj qytetarët  shqiptarë se është interesi i tyre më i madh, direkt, personal i çdo qytetari, i çdo zgjedhësi, i çdo fëmije, është  edhe një moment shumë i rëndësishëm i barazisë para ligjit të qytetarëve.  Në vitin 2003, në këtë parlament, ish-opozita e asaj kohe tani në qeveri, solli ligjin për heqjen e imunitetit. Qeveria e refuzoi në atë kohë. Kur erdhëm në pushtet, akti i parë ishte ligji për heqjen e imunitetit. Por opozita e refuzoi tërësisht.  Ligji shkoi në Komisionin e Venecias, i i cili e gjykoi shumë të mirë, por kërkoi që të votohet me 3/5 dhe kërkoi që ligjet e tjera të ndryshohen. Normale.

Opozita u ngrit dhe tha se kjo duhet të behet me ndryshim kushtetues. E morëm në dorë Kushtetutën. Në vitin 2008, z. Edi Rama ka qenë kategorik  vetëm në një kërkesë dhe kjo ishte kërkesa për heqjen e imunitetit. Kur i ndërtonte kompetencat e kryeministrit , kishte një pasion të pa përmbajtur dhe po të mos isha unë, ai do të ishte car, por atë nuk mund ta pranoja dhe duke iu përmbajtur normave demokratike i kërkoi të heqim imunitetin, atë nuk e pranoi kurrë. Po ndryshonim  kushtetutën?! Po preknim kushtetutën në kapitujt e saj më thelbësor, Presidenti i Republikës, Qeveria, Parlamenti, pra në pushtetet kryesore  të tij.  U bë seminari , 8 muaj më parë me përfaqësues të Këshillit të Europës, seminari konkludoi  se duhet ndryshuar kushtetuta,  përfaqësuesit tanë kundërshtuan. Por ja ku po jua them, që nesër votoj.  A doni ju ta shndërrojmë këtë seancë, jo në një seancë sherri, por në një seancë të virtytshme, të dobishme, urdhëroni të votojmë këtë pasdite ndryshimin e kushtetutës për heqjen e imunitetit.  Këtu nuk e ka fajin Këshilli i të Urtëve, e ka fajin Këshilli i Miliarderëve që rreth kryetarin tuaj, është këshilli i miliarderëve që nuk ju lejon. Se ju keni shumë këshilla. Keni një Këshill të Urtësh, nuk është miliarder, keni këshillin e miliarderëve, ky është super konklavi, ky dikton çdo gjë tek ju.  Ja më sheh mua njëri nga atje (salla e parlamentit) dhe çfarë më thotë me sy, harroje se do të hiqet imuniteti. Unë të kuptova qartë Sadri.  Nuk jeni të gjithë ju për imunitetin, jo.  Një pjesë e juaja jeni absolutisht për dorëzimin e tij. E besoj plotësisht këtë. Problemi është tek këshilli , këshilli ominipotent i miliarderëve të partisë së suaj. Atëherë të dashur qytetarë, çfarë mund të bëjmë, kur unë ju them të mblidhemi pasdite në emër të interesit  të çdo fëmije shqiptarë, në emër të interesit të çdo qytetari shqiptarë , në emër të interesit të atyre qytetarëve shqiptarë që janë pa punë , që jetojnë në varfëri, të cilët korrupsioni i lëndon gjithnjë e më shumë. Le të heqim imunitetin , të dalim jo imun, kjo është përgjigja.  A e kuptoni që ju jeni  e vetmja opozitë që mbroni qeverinë me imunitet! Nuk mbroni qeverinë ju jo, është këshilli i miliarderëve që nuk ju lejon juve.

Tjetër çështje e rëndësishme, rregullorja e parlamentit.

Të gjitha kërkesat tuaja që përputhen me rregulloren e Parlamentit Evropianë, janë pranuar dhe do të pranohen. Keni shtuar një kërkesë, që kryetari i opozitës, i cili nuk është këtu fare në parlament, po do ta përgatisni për radhën që vjen, se ju e keni fjalën për mandatin tjetër, se për mua nuk e kërkoni ju atë , se ju e dini që do të rrini në opozitë dhe katër vjet të tjera dhe kërkoni të ndryshoni rregulloren. Si ka mundësi më thoni ju  mua?! E kërkoni ju për Sali Berishën?! Jo more zotërinj se nuk ju bie ju ndërmend për këtë, por ai e ka llogaritur se ia thonë pollet atij, lexoni sot pollet. Pollet janë gjakftohta.  Ai këshilltari im kozmopolit, ai jua bën pollet juve.

Ky zotëri kërkon që kryetari i opozitës, siç thotë kushtetuta e shkruajtur  nga ju , jo nga ne, që kryeministri e merr fjalën se herë të ketë nevojë e etj, etj, ti ketë edhe kryetari i opozitës. Kjo në dijeninë time nuk ekziston, por prapë këtu si kryeministër do të bëjë lëshime. Do të bëj lëshim do të bëj kompromis, gjeni një kushtetutë të vetme të kontinentit Evropian që ta ketë dhe e dyta do të jetë e Shqipëri, sepse kjo është personale. Pse nuk nxirrni ju një kushtetutë?! Unë të marr përsipër të shkruaj nene kushtetuese për një person këtë nuk e bëj kurrë. Nëse ekziston si precedent  e bëjmë që nesër dhe e votojmë, nëse nuk ekziston morë zotëri, unë këtë nuk mund ta bëj.

Tani vijmë tek takimi. E kam thënë dhe e them, si kryetar partie me Edi Ramën do të takohesha në vitin X, si kryeministër jam i detyruar ta takoj  sa herë të kërkojë. Ndryshon problemi! Kryeministri është i të gjithë shqiptarëve. Aq më tepër kryeministri është i detyruara në kod dhe në ligj të takohet, të presë deputetë  e opozitës dhe deputete e tij dhe aq më tepër kryetarin tuaj, kjo nuk mund të ketë dyshim. Por çfarë ndodh tani. Ky tani ju bie vizë me Damjan me të gjithë dhe thotë hajde të ulemi ne të dy bashkë tani. Çfarë do të bëjmë ne të dy bashkë?! Çfarë do të bëjmë ne?!  Do të diskutojmë për formulën e de Hondit, po formulën e de Hondit e kanë matematicienët , se edhe vete këta që kemi ngarkuar detyrohen të  marrin matematicien për ti qartësuar. Çfarë do të bëjnë ne? Do të diskutojmë për skanerat  e precizionit të lartë, që nxehen apo nuk nxehen kur punojnë. Jo , këto janë çështje të teknicienëve dhe nuk kemi pse të takohemi për këto. Për të pirë kafe, kur të duash, por ka të tjerë që bëjnë punën, nuk mund  ti  mohojmë ne ato , nuk mund ti injorojmë ne ato. Ka një dallim të madh, ia thonë pollet, frymëzon apo nuk frymëzon, këtu është gjithë  problemi, por nuk është kjo rruga e kompensimit. Unë që sot takohem me të dhe e pres me përparësi, por problemi është se duhet të zgjidhen problemet dhe jo të bëjmë show televiziv, nuk është kjo rruga e show-t televiziv.

Vijmë tek kandidatura.

Të dashur qytetarët duhet të jemi të hapur, duhet të ndiqet procesi sipas Kushtetutës ,por opozita nuk ka  asnjë detyrim që të mbështesë kandidatët që paraqet qeveria, kjo është normale. Qeveria për ta respektuar opozitën dhe për ti bërë të mundur asaj që edhe ta votojë, duhet të heqë dorë shumica, nga disa kandidatura që për definicion vështirësojnë shumë votimin nga opozita dhe unë po të isha këtë qëndrim do të mbaja.

Ne u vetë kufizuam  nuk sollëm politikanë drejtues  të partive politike, por sollëm një kandidat, i cili në 20 vite, i ka shërbyer  vendit dhe kombit të tij me paanësi të plotë. Ky kandidat është një intelektual, i cili u angazhua në fillim të viteve ’90  në lëvizjen demokratike  si shumica  e të pranishmëve këtu.  Ky kandidat  ishte një drejtues i shkëlqyer katedre, u ngarkua me një detyrë, përfaqësues i Shqipërisë në një nga selitë diplomatike më të rëndësishme për të vendit,  e kreu me dinjitet.  Ky kandidat u përzgjodh nga institucione ndërkombëtare për vende shumë të  nderuara.  Ky kandidat u doktorua në njërin nga institucionet më prestigjioze të Europës institutin Max Planck.  Ky kandidat u kthye dhe me vota të përbashkëta të të dy grupeve politike u emërua në Gjykatën Kushtetuese.  Ky kandidat nga ministri juaj i drejtësisë u emërua në Këshillin e Drejtësisë së kësaj ministrie në vitin 2004. Ky kandidat për hir të së vërtetës dhe i garantoj gjykatësit, se në ato vendimet aty, ka gjykuar jo në interes të qeverisë, por në të kundërtën e saj. Por ju para se të merrni një vendim unë ju ftoj ju, në rast se dilni dot nga bllokimi, në rast se arrini të ngriheni  mbi ideologjinë e bllokut dhe bllokimit, në rast se doni të faktoni se nuk keni qëllim të bllokoni procesin e integrimit ngrihuni dhe studiojeni më mirë dhe na thoni se çfarë ka mangët për të qene një kandidat konsensual.  Mangët ka vetëm një gjë, vendosmërinë patologjike të kryetarit tuaj për të bllokuar çdo gjë që ka në dorë. Ka në dorë të bllokojë këtë seancë që të mos votojë, e bllokon. Ka në dorë të bllokojë reformën zgjedhore , e bllokon. Ka në dorë të bllokojë reformën parlamentare, e bllokon. Ka në dorë të bllokojë imunitetin se i thotë këshilli i miliarderëve, e bllokon. Pra kjo është praktika. Ne mendojmë se duhet ta shqyrtoni.

Pesë vjet më parë të gjithë ne që jemi ulur në ato tavolinë  e kemi ndier veten të turpëruar nga vetja jonë. E kemi ndier fare të turpëruar sepse jemi sjelle aty dhe po jua them haptas  absolutisht si thashethemexhinj, me të cilët lëviznin emra dhe hiqeshin emra personalitetesh, skene të cilën s’jam i prirur  për të mos e përsëritur kurrë më, sepse nuk kemi të drejtë. Kemi  të drejtë të shqyrtojmë bashkërisht çdo kandidaturë, por të gjejmë procedurën . Pse u  skontua  gjenerali  Arian Zajmi, u skontua se doli me origjinë nga Skrapari, absolutisht po. Mos më bëni të botoj procesverbalet e mbledhjes, sepse ajo është një gjë që nuk duhet të përsëritet më kurrë. Nëse doni, merreni kandidatin, studiojeni, shqyrtojeni, po qe se, ju paraqisni një argument të vetëm, se ky zotëri nuk plotëson, apo lë mangët kërkesat për të qenë Kryetar Shteti dhe për tu votuar na  e thoni dhe ne absolutisht vërejtjet tuaja do ti trajtojmë. Nuk kam  kërkuar unë tek ju konsensus për Bamirin dhe nuk kërkoj konsensus unë tek ju për nënkryetar  partie.  Si e zgjodha? E zgjodha sepse kryetari juaj , desh të bllokonte me çdo kusht, ish kryetari juaj në përgjegjësin e  statistit dha kontributin e tij për të cilin unë jam mirënjohës.  Në rast se  ju përmendni  z. Topi , ai ishte nënkryetar, këtu nuk kemi paraqitur z. Patozi, apo zonjën Topalli apo zotin Bode , këtu kemi paraqitur një njëri, i cili qoftë edhe në një ditë të vetme nuk ka qenë me Partinë Demokratike kjo është e vërteta. Mos u nisni nga paragjykimi, sepse është në interesin tuaj dhe të çdo qytetari shqiptarë që posti i Presidentit të vendit të ketë një njeri me integritet, me kredenciale, me besueshmëri të lartë.

Faleminderit .


30/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›