Kryeministri Berisha: Motoja jonë - Vora, hyrja moderne e Tiranës

Në vijim të prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Kryeministri Berisha u ndal sot pasdite në bashkinë e Vorës ku shprehu mbështetjen për kandidatin për kryetar të kësaj bashkie, Fiqiri Ismaili.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që banorët e kësaj bashkie i kanë dhënë Partisë Demokratike në vite, si dhe vlerësoi kandidaturën e zotit Fiqiri Ismaili si një nga menaxherët më të zotë në vend. Kryeministri vlerësoi, gjithashtu, ndihmën që kjo bashki u jep njerëzve në nevojë, krahas ndihmës që jep për ta qeveria.
Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e tij se do të mbështesë e do të financoj çdo projekt për asfaltimin anekënd të çdo rruge e rrugice të bashkisë së Vorës, për ujë 24 orë, për shkollat më të mira për fëmijët e kësaj bashkie, për kopshtet më të mira, për punësimin dhe investimet në këtë bashki.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetare dhe qytetarë të bashkisë së Vorës,
Vëllezër e motra,
Zonja e zotërinj,
I dashur kryetar i bashkisë së Vorës, miku im Fiqiri Ismaili,
Zotërinj anëtarë të këshillit bashkiak,
Së pari, unë jam këtu për t’ju shprehur nga zemra mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e madhe dhe të jashtëzakonshme, për të cilën unë mbetem i detyruar përjetë ndaj jush. Por jam këtu, gjithashtu, për të paraqitur me krenari të veçantë para jush zotin Fiqiri Ismaili për të rikandiduar për kryetar të bashkisë së Vorës, një nga qeveritarët vendorë më të talentuar, më të aftë, më të zotë të Shqipërisë.
Fiqiri Ismaili ka dëshmuar këto vite se është një menaxher i shkëlqyer, një qytetar shembullor, qytetar i parë me zemër të dhimbsur, me zemër në dorë ndaj çdo halli e çdo derti të këtij qyteti. Në ditët më të vështira të kësaj bashkie zoti Ismaili u dëshmua një burrë vigan, një njeri me integritet, dha një kontribut historik për kapërcimin e pasojave dramatike të ngjarjes së Gërdecit. Fiqiri Ismaili është modeli i qytetarit të parë, i menaxherit, i drejtuesit që, para së gjithash dhe mbi të gjitha, mendon nga mëngjesi deri në mbrëmje çfarë të bëj më shumë për qytetarët e tij. Me këtë moto, me këtë frymë, ai ka shndërruar Vorën në bashkinë model, në bashkinë e transformimeve të mëdha, në bashkinë në të cilën qytetari është në piedestalin e merituar. Në fjalën e tij frymëzuese këtu para jush, ai informoi dhe njoftoi se cila ka qenë përkujdesja i tij për jetën tuaj të përditshme, për punësimin tuaj, për shkollimin e fëmijëve tuaj, për të moshuarit tuaj, për njerëzit në nevojë.
Këto vite qeveria shqiptare ka dyfishuar pensionet e ulëta dhe i ka mbidyfishuar ato. Por Fiqiriu me ndjenjën e dashurisë dhe të respektit për të moshuarit ka shtuar e shton mbështetjen për të moshuarit tanë. Ai premtoi sot, këtu, një shtesë pensioni për të gjithë pensionistët mbi 75 vjeç nga fondit i bashkisë. Sot ne jemi një vend krejt tjerët, Vora është një qytet krejt tjetër. Sot ne mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, mblidhemi si qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Europën, mblidhemi si qytetarë të një vendi me ekonomi entuziaste e që kryeson rritjen ekonomike të Europës në kohën e kulmit të krizës financiare, mblidhemi pasi kemi dyfishuar e mbidyfishuar rrogën mesatare në Shqipëri, mblidhemi pasi kemi mbidyfishuar ndihmën ekonomike për qytetarët tanë. Por ne sot kemi sërish bashkëqytetarë në dhembje, në vuajtje, në skamje. Kryetari i bashkisë së Vorës deklaroi këtu se përveç asaj që jep qeveria, ka ndihmuar dhe bashkia për të lehtësuar dhembjen e tyre.
Qytetare dhe qytetarë të Vorës,
Katër vitet që shkuan ne si qeveri kemi investuar në bashkinë tuaj 50 herë më shumë se sa qeveria socialiste në tetë vite. Ne kemi investuar 20 milionë euro, kundrejt 400 mijë euro që investoi Partia Socialiste gjatë në tetë viteve të saj në pushtet. Por unë qëndroj sot këtu para jush për t’ju dhënë fjalën e nderit se do të mbështes e do të financoj çdo projekt që ju dhe kryetari juaj i bashkisë, Fiqiri Ismaili, do të bëni për asfaltimin anekënd të çdo rruge e rrugice të kësaj bashkie, për ujë 24 orë të kësaj bashkie, për shkollat më të mira për fëmijët e kësaj bashkie, për kopshtet më të mira, për punësimin dhe investimet në këtë bashki.
"Vora, hyrja moderne e Tiranës” është dhe do të jetë motoja jonë. Do të investojmë për Pallatin e Kulturës, për sportin, për çdo fushë tjetër në këtë qytet.
Vëllezër e motra,
Kjo është alternativa jonë, alternativa me të cilën ne duam të ndryshojmë çdo ditë jetën tonë, alternativa me të cilën ne vendosim në epiqendër mundin tuaj, djersën tuaj, hallet tuaja, dertet tuaja, vizionin tuaj, përkushtimin tuaj. Me këtë alternativë ne do të ndërtojmë Vorën e zhvilluar, Tiranën e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar. Krahas kësaj alternative është dhe alternativa tjetër, alternativa e rrugës së vetme apo alternativa “Fajin e ka Saliu”.
Vëllezër e motra,
Me alternativën e tij “Fajin e ka Saliu” shoku Edi Rama veçse dëshmon se ka tmerr nga mëkatet e tij. Unë dua t’i deklaroj këtij zotërie apo shoku se nuk kam ndërmend që në këtë fushatë të merrem qoftë edhe 3 sekonda me mëkatet e tij, por vetëm me qytetarët, me hallet e dertet e tyre, interesat e tyre, vizionin e tyre. Sepse për mua ju jeni të parë, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, qyteti juaj është i pari, Vora është e para, Tirana është e para, Shqipëria është e para.
Më 8 maj, fitore të thellë Fiqiri Ismailit! Ju garantoj se fitoren e Fiqiriut do ta shndërrojmë së bashku në mirësi, në sukses, në mbështetje për secilin prej jush, për të gjithë banorët e kësaj bashkie.
Rroftë Vora!
Rroftë Shqipëria!”
21/04/2011