E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Krujë: Do të bëjmë çdo gjë, që qindra dhe mijëra qytetarë europianë të vizitojnë këtë margaritar të historisë

Kryeministri Berisha sot pasdite ka qenë në qytetin e Krujës për  të shprehur mbështetjen e tij për kandidatin për kryetar bashkie të koalicionin “Aleanca për Qytetarin” zotin Shkëlzen Hoxha. Kryeministri  ka mbështetur kandidaturën e zotit Hoxha dhe ju ka kërkuar qytetarëve të Krujës, që ta votojnë me 8 maj si alternativën më të mirë. 

Kryeministri ka premtuar se me Shkëlzen Hoxhën, qeveria do të zbatojë çdo projekt , të kësaj bashkie , duke shtruar çdo rrugë, duke rikonstruktuar dhe ndërtuar çdo shkollë dhe kopsht, duke ndërtuar  tërësisht sistemin e kanalizimeve,etj. Së shpejti, tha kryeministri Berisha,  përfundon rruga për  në  Sarisalltik.  “I dashur Shkëlzen , Kruja Europiane meriton edhe teleferikun, sëbashku ne do të bëjmë që turistë nga mbarë bota me teleferik  të ngjiten ne Sarisalltik, të shohin Shqipërinë të shohin detin. Ti projektin, qeveria financimin” tha kryeministri.

Në  fjalën e tij kryeministri theksoi se, Kruja turistike kërkon qw ne sëbashku do të asfaltojmë rrugën e Qafë-Shtamës, një nga zonat më të bukura malore të Shqipërisë. Sëbashku do të ndërtojmë rrugën Krujë-Tiranë.  “Në pesë  vite në rrethin e Krujës, kemi asfaltuar, ndërtuar dhe rindërtuar  121 kilometra rrugë, 11 ujësjellësa, 13 shkolla,  21 qendra shëndetësore dhe ambulanca.  Është restauruar pazari karakteristik dhe është shumëfishuar numri i turistëve.  Ju garantojmë se në katër vitet që vijnë në këtë qytet në këtë rreth nuk do të ketë më asnjë kilometër rrugë të pa asfaltuar” u shpreh kryeministri Berisha

"Sëbashku me qytetarët dhe qytetaret e Krujës, ne, tha kryeministri Berisha, realizuam ëndrrën shekullore të krutanëve,  realizuam misionin që Skënderbeu mbrojti me luftëra  heroike 25 vjet me radhë.  Shqipëria në Europë ishin betejat e tij , Shqipëria në NATO është realizimi ynë"

Nga Kruja, kryeministri ju ka bërë thirrje qytetarëve të Krujës dhe mbarë Shqipërisë të mos harrojnë kurrë dhe një amanet tjetër  të prijësit të përjetshëm të kombit shqiptarë Skënderbeut, ullirin.  "Të mbjellim sa më shumë ullinj, tha kryeministri Berisha, që ta bëjmë Shqipërinë një nga ullishtat më të mëdha të rajonit".

Gjatë fjalës së tij kryeministri tha:

Të dashur qytetarë  dhe qytetare të Bashkisë së Krujës

Krutanë dhe krutane, vëllezër dhe motra

Të nderuar deputet,qeveritarë vendorë, i dashur zoti Shkëlzen Hoxha, kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Krujës.

Së pari dua t’ju përshëndes përzemërsisht.  Të përulem me nderimin më të madh para jush , me mirënjohjen më të thellë për  mbështetjen e madhe, mbështetjen e fuqishme që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike, parti e aspiratave, e idealeve më fisnike të krutanëve dhe shqiptarëve.

Vij sot tek ju, për të paraqitur kandidat për qytetar të parë, të qytetit tuaj, biznesmenin e suksesshëm, birin tuaj të shquar, zotin Shkëlzen Hoxha.
Unë jam këtu për t’ju dhënë juve fjalën se me Shkëlzen Hoxhën, do të zbatojmë çdo projekt , të kësaj bashkie , duke shtruar çdo rrugë, duke rikonstruktuar dhe ndërtuar çdo shkollë dhe kopsht, do të ndërtojmë tërësisht sistemin e kanalizimeve, stadiumin,   Kruja turistike, do të mbetet kreu i të gjitha përpjekjeve tona.

Së shpejti përfundon rruga për  në  Sarisalltik.  I dashur Shkëlzen , Kruja Europiane meriton edhe teleferikun, sëbashku ne do të bëjmë që turistë nga mbarë bota me teleferik  të ngjiten ne Sarisalltik, të shohin Shqipërinë të shohin detin. Ti projektin, qeveria financimin.

Kruja turistike kërkon dhe ne sëbashku do të asfaltojmë rrugën e Qafë-Shtamës, një nga zonat më të bukura malore të Shqipërisë. Sëbashku do të ndërtojmë rrugën Krujë-Tiranë. Në pesë  vite në rrethin e Krujës, kemi asfaltuar, ndërtuar dhe rindërtuar  121 kilometra rrugë, 11 ujësjellësa, 13 shkolla,  21 qendra shëndetësore dhe ambulanca.  Është restauruar pazari karakteristik dhe është shumëfishuar numri i turistëve.  Ju garantojmë se në katër vitet që vijnë në këtë qytet në këtë rreth nuk do të ketë më asnjë kilometër rrugë të pa asfaltuar.

Do të përfundojë autostrada Fushë-Krujë-Thumanë, do të  përfundojë  rruga  dytësore  Fushë-Krujë-Milot, unaza veriore e Fushë-Krujës, by pass-i  në  Luz  dhe një seri veprash të tjera  në rrethin tuaj.

Vëllezër dhe motra

Kruja është një nga trashëgimitë më të mrekullueshme të kombit shqiptarë.  Ky qytet, në historinë e tij me kështjellën, me qytetarët e tij, me pazarin e tij, me rrugët dhe rrugicat qëndron krenarë si  çdo vend i zhvilluar  i Europës, por ne do të bëjmë gjithçka që çdo vit, qindra dhe mijëra  europianë, qytetarë të Europës  të vizitojnë këtë margaritarë të historisë, të bukurisë  natyrore.  Këtë tempull të historisë dhe të turizmit shqiptarë.

Kruja ka patur historinë e saj  kohë më të parë në Europë, sot sërish ka ardhur koha që e gjithë Europa të njohë Krujën, të njohë historinë e saj,  qytetarët e saj, të njohë bukurinë e saj .

Sëbashku me qytetarët dhe qytetaret e Krujës, ne realizuam ëndrrën shekullore të krutanëve,  realizuam misionin që Skënderbeu mbrojti me luftëra  heroike 25 vjet me radhë.  Shqipëria në Europë ishin betejat e tij , Shqipëria në NATO është realizimi ynë . Sot Shqipëria në kushtet e sigurisë është më e sigurtë se kurrë në historinë e saj. Shqiptarët dhe krutanët sot lëvizin të lirë pa viza  në mbarë Europën dhe kjo është ëndrra tjetër e madhe, që realizuam sëbashku.

Por nga Kruja e Skënderbeut dua t’ju bëj një thirrje shqiptarëve, të mos harrojnë kurrë dhe një amanet tjetër  të prijësit të përjetshëm të kombit shqiptarë, ullirin, të mbjellim ullinj.

Të mbjellim ullinj, të veshim kodrat e Shqipërisë dhe të gjithë tokat e saj, që ta bëjmë Shqipërinë një nga ullishtat më të mëdha të rajonit.

Qytetarë dhe qytetare   të Krujës

Kjo është alternativa jonë.  Alternativë, e cila ka në qendër ju, mundin djersën , besimin ndershmërinë përkushtimin, shpirtin tuaj punëtore, vizionin tuaj, për Krujën dhe Shqipërinë. Krahas kësaj alternative , është rruga e vetmisë, apo rruga e vetme. Pyeteni veten pse shoku Edi ka zgjedhur këtë rrugë, rruga e vetme.  Ka zgjedhur këtë rrugë jo vetëm për shkak të trashëgimisë së tij, por sepse ai  është i vetmi politikan që kërkon të bëhet edhe kryeministër, edhe kryetar bashkie edhe kryetar partie dhe çdo funksion tjetër.

Ndaj dhe u thotë shqiptarëve rruga e vetme.  Atë le ta lëmë ne në rrugën e vetmisë.  E garantoj se ajo rrugë  me shpejtësi të madhe do ta dërgojë atë në shtëpinë e harresës, po.  Kurse ne sëbashku me Shkëlzen Hoxhën, do të ndërtojmë  Krujën  evropiane. Krujën,  e cila ka kurorën e bukurive të këtij vendi, Krujën  e zhvilluar, atë me ngjarjen historike më të madhe, Krujën  epiqendër të turizmit shqiptarë.

Rrofshi ju.

Rroftë Kruja

Rroftë Shqipëria


22/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›