Kryeministri Berisha: Me politikat tona të ardhshme, me qeveritarët vendorë të Aleancës për qytetarin, do të stimulojmë tërheqjen e investimeve
Në qarkun e Elbasanit, në pesë vite, janë ndërtuar 400 kilometra rrugë, nga të cilat 227 kilometra rrugë rurale dhe 73 kilometra rrugë kombëtare, 51 qendra shëndetësore, 37 sisteme ujësjellës-kanalizimi, 78 shkolla e kopshte;
Janë financiar nga qeveria në katër vite për 4 mijë hektarë tokë, apo 30 herë më shumë, se në tetë vitet e qeverisjes socialiste; kanë përfituar 3900 fermerë. Në vitin 2011 kanë aplikuar 1780 fermerë, për 800 hektarë tokë.
Politikat qendrore kanë bërë të mundur që të dyfishohet numri i bizneseve në qarkun e Elbasanit, nga 5100, sot janë 9700.
Kryeministri Berisha vijoi sot prezantimin e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit. Ndalesa e parë e Kryeministrit ishte në Përrenjas, ku në takimin me qytetarë të Përrenjasit, shprehu mbështetjen për kandidatin e këtij koalicioni Bajazit Karriqi.
Duke shprehur vlerësimin për zotin Karriqi, Kryeministri garantoi qytetarët e Përrenjasit se në katër vitet e ardhshme do të mbështetet çdo projekt që ndryshon dhe zhvillon Përrenjasin, do të asfaltohet çdo rrugë, do ndërtohet e rindërtohet çdo shkollë, ujësjellës e sistem kanalizimi, në rrethin e Librazhdit. Kryeministri veçoi ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan me katër korsi dhe tunelin 2.4 kilometër, që do të shkurtojë me 50 minuta distancën me kryeqytetin. Të tjera projekte të rëndësishme për këtë rreth, janë në ndërtim apo do të ndërtohen si rruga Librazhd-Qafë Stude, Banjë-Elbasan, Gramsh-Maliq.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Vëllezër e motra,
Së pari, ju përshëndes përzemërsisht, ju falënderoj me mirënjohje për këtë pritje të ngrohtë e vëllazërore.
Zoti ministër,
Zotërinj deputetë,
Zotërinj qeveritarë vendorë,
Është nder i veçantë për mua të paraqes sot, tek ju, kandidatin për qytetar të parë të bashkisë suaj, zotin Bajazit Karriqi. Jam këtu për t’u zotuar para jush e garantuar se suksesin e datës 8 maj, zgjedhjen e zotit Bajazit Karriqi, do ta shndërrojmë sëbashku nga një sukses personal të zotit Bajazit në një sukses për çdo qytetar e qytetare, për çdo familje të Përrenjasit, qytetit e dy fshatrave të kësaj bashkie dhe se qeveria do të mbështesë e financojë çdo projekt, për rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime, kopshte, çerdhe, qendra shëndetësore, qendra kulturore dhe terrene sportive, çdo projekt që komuniteti juaj do të hartojë sëbashku me zotin Bajazit. Ne do të bëjmë gjithçka në katër vitet që vijnë, që Përrenjasi të jetë një qytet modern, me bulevardin e tij dhe të gjitha rrugët e rrugicat të asfaltuara. Ne do të bëjmë gjithçka në katër vitet që vijnë, të tërheqim investime të mëdha në pasuritë e juaja të mëdha nëntokësore. Ne do të bëjmë gjithçka, për të krijuar vende të reja pune, në bashkinë tuaj.
Vëllezër e motra,
Këto vite kanë qenë vitet, në të cilat është investuar në infrastrukturë, në rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime, më shumë së në të gjitha kohërat. Vetëm në qarkun e Elbasanit, në pesë vite, ne kemi ndërtuar 400 kilometra rrugë, nga të cilat 227 kilometra rrugë rurale, 73 kilometra rrugë kombëtare dhe brenda katër viteve që vijnë do të ndërtohet autostrada Tiranë-Elbasan me katër korsi, me tunelin 2.4 kilometër, 21 viadukte, 7 mbikalime e 4 nënkalime, shumë ura dhe vepra të tjera arti. Kjo autostradë, që është edhe segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të 8-të që kalon nga ju, si dhe segmenti më kryesor i Boshtit të Jugut, shkurton distancën tuaj me Tiranën së paku 50 minuta. Rrugë të tjera të rëndësishme janë në ndërtim e sipër apo do të ndërtohen në qarkun tuaj, Boshti i ri i Jugut Elbasan-Berat, rruga Librazhd-Qafë Stude, Banjë-Elbasan, Gramsh-Maliq. Këto katër vite, ne kemi ndërtuar 51 qendra shëndetësore, 37 sisteme ujësjellës-kanalizimi, u ndërtuan e rindërtuan 78 shkolla e kopshte. Ju garantoj se katër vitet që vijnë, në rrethin e Librazhdit do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, do ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë, çdo ujësjellës e sistem kanalizimi.
Fermerët e qarkut të Elbasanit janë financuar nga qeveria në katër vite, për 4 mijë hektarë tokë, apo 30 herë më shumë, se në tetë vitet e qeverisjes socialiste. Kanë përfituar nga ky subvencionim 3900 fermerë. Vetëm në vitin 2011 kanë aplikuar 1780 fermerë, për 800 hektarë tokë. Ne garantojmë se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulli, arrë, lajthi, gështenjë dhe dru frutorë që ju do të mbillni, për të ndryshuar dhe mëkëmbur jetën tuaj.
Politikat tona kanë bërë të mundur që të dyfishohet numri i bizneseve në qarkun e Elbasanit, nga 5100, sot janë 9700. Ju garantoj se me politika të tjera të ardhshme, me qeveritarët vendorë të "Aleancës për qytetarin", ne do të stimulojmë më shumë tërheqjen e investimeve dhe bizneseve në Përrenjas e mbarë Shqipërinë. Ky është zotimi ynë para jush dhe para mbarë shqiptarëve.
Vëllezër e motra,
Sot është ditë e bekuar, është dita e Pashkës, e ringjalljes së Krishtit, ditë e besimit. Le të urojmë sëbashku besimtarët katolikë e ortodoksë, të gjithë besimtarët shqiptarë, gëzuar këtë ditë. Të falënderojmë Zotin, sepse sot, ne mblidhemi në këtë shesh e festojmë këtë ditë më mirë se kurrë në historinë tonë kombëtare. Sot, ne mblidhemi këtu shumë më mirë se vitin e kaluar, mblidhemi këtu si qytetarë që lëvizim të lirë në mbarë Europën. Ne mblidhemi këtu, si qytetarë të një vendi, i cili, edhe në kulmin e krizës më të madhe ekonomike financiare, kryesoi në rritjen ekonomike në Europë. Ne mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi që vazhdon të rrisë rrogat e pensionet, ndërkohë kur pothuajse të gjitha vendet e tjera i kanë ngrirë apo t’i ulin ndjeshëm ato. Ne mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi të sigurt në projektin tonë, të shndërrimit të Përrenjasit në një qytet e të zhvilluar, në shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar.
Kjo është rruga, në të cilën ne ecim. Rruga e vetme për shqiptarët është një dhe vetëm një. Ajo është rruga e Zotit. Atij ne i falemi dhe i lutemi. Por Zoti vetë, këtu në tokë i ka dhënë secilit rrugën e tij. Rrugën, me të cilën ai me mundin, djersën, dinjitetin, ndershmërinë, përkushtimin ndërton jetën e tij, të familjes dhe të ardhmes së tij. Ndaj edhe ne, në rrugën e lirisë, jemi të vendosur të ecë gjithsecili në rrugën e tij, duke shfrytëzuar lirinë, dashurinë e saj, duke shfrytëzuar reformat e mundësitë e tyre, duke shfrytëzuar zhvillimin, për t’u larguar gjithnjë e më shumë nga skamja, për t’u mëkëmbur gjithnjë e më mirë.
Ne nuk e kemi të thjeshtë rrugën tonë, por e kemi të sigurt. Ne e kemi me mundime, por e kemi me suksese, sepse ne sëbashku anëtarësuam vendin në NATO, ne sëbashku morëm heqjen e vizave, ne sëbashku kryesojmë rritjen ekonomike, ne sëbashku dyfishuam pensionet e ulëta, dyfishuam rrogat e ulëta e të mesme. Ne nuk e kemi të thjeshtë rrugën tonë, nuk e kemi bulevard me lule, por ne sëbashku, në 5 vite, ndërtuam e rindërtuam tetë mijë kilometra rrugë, në mbarë Shqipërinë. Ne e kemi me djersë rrugën, por ne sëbashku ndërtuam e rindërtuam mbi 1200 shkolla dhe do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë të fëmijëve tanë.
Ndaj ju bëj thirrje të bashkohemi në alternativën për qytetarin. "Aleanca për qytetarin" është aleanca më e fuqishme që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj. "Aleanca për qytetarin" është aleanca, në të cilën ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Përrenjasi është i pari, Shqipëria është e para. Në 8 maj të votojmë të gjithë në shtëpinë e qytetarit. Në shtëpinë e "Aleancës për qytetarin" ka vend për të gjithë ju, pavarësisht nga bindjet politike dhe ju garantoj se do të gjeni në këtë shtëpi respektin që meritoni, dinjitetin që meritoni. Ndaj votoni Bajazit Karriqin, votoni Partinë Demokratike. Rrofshi ju! Rroftë Përrenjasi! Rroftë Shqipëria!”
24/04/2011