Kryeministri Berisha: Modeli ekonomik i Shqipërisë do të vazhdojë të bazohet në standarde liberale, të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset
- “Të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që kemi në vend për të nxitur atë, për të zgjeruar hapësirën, për të vazhduar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë”
Në mbyllje të vizitës së tij në Mynih, në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, Kryeministri Berisha dha një prononcim për TVSH- në, në të cilin u shpreh:
Konferenca në sesionin e pasdites pati si temë kryesore krizën ekonomike, krizën e borxheve dhe krizën e Euros. Në këtë seancë, Kryeministri i Italisë, Mario Monti, njohu audiencën me të gjitha vendimet e rëndësishme të qeverisë së tij për të nxjerrë Italinë nga kriza. U debatua gjerësisht dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm ishte mendimi i Presidentit të Bankës Botërore, Robert
Zoellick, por edhe i personaliteteve të tjera, se masat e deritanishme, të ashtuquajtura masa të ashpërsisë, me rritje taksash, kanë qenë tërësisht të paefektshme. Robert Zoellick, Mario Monti, George Soros, së bashku me Presidentin e Deutsche Bank, zotin Ackermann, siguruan si një rrugë të re domosdoshmërinë e përqendrimit, para së gjithash dhe mbi të gjitha, te rritja ekonomike, e cila përbën shtyllën kryesore të shanseve të qytetarëve të këtyre vendeve. Natyrisht, parashikimet për daljen e eurozonës nga kriza nuk ishin dhe aq optimiste. Besohet se kjo do të jetë një krizë nga e cila do të duhen jo pak vite për të dalë, por e rëndësishme është se për herë të parë në këtë konferencë ndërkombëtare që u diskutua për krizën, u kërkua që të ndryshohen qëndrimet e deritanishme për daljen prej saj. Masat e ashpërsisë dhe paketa e tyre duhet, detyrimisht, të mos cenojnë rritjen ekonomike. U diskutua për borxhin dhe krizën greke. U shpreh mendimi se sërish vështirësitë e mëdha nuk janë kapërcyer. Dhe nuk mund të thuhet se masat ose vendimet e deritanishme të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian janë të mjaftueshme për të shpëtuar Euron si monedhë e përbashkët e eurozonës. Por disa zhvillime, veçanërisht të dhëna që vijnë nga Irlanda, njëlloj stabiliteti apo moskeqësimi i Spanjës, masat që po merr Italia, janë lajme pozitive të cilat premtojnë për një mundësi kthese gjatë kohërave që vijnë.
Ajo që spikat në këtë sfond, sërish dua të theksoj, është modeli i ekonomisë në Shqipëri, model i cili është bazuar kryekëput, para së gjithash, në nxitjen e rritjes ekonomike, për rrjedhojë nxitjen e punësimit, rritjen e të ardhurave. Faktikisht, Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18 përqind, rritje në distancë më të lartën në Evropë. Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në këtë kontekst, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksat të larta, i cili përjeton vështirësi serioze, dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin. Vizioni apo mësimi që nxirret është që të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që kemi në vend për ta nxitur atë, për të zgjeruar hapësirën, për të vazhduar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë”.
05/02/2012