E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti Shtetëror diskuton rreth axhendës së aktiviteteve për “Vitin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”

Komiteti Shtetëror për organizimin e veprimtarive festive për “Vitin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë” diskutoi sot për aktivitetet që do të zhvillohen në këtë kuadër, lista e plotë e të cilave do të miratohet brenda dhjetëditëshit të parë të muajit shkurt.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha u shpreh se duhet të ketë një përqendrim më të madh tek ngjarjet, aktet e zhvillimet që për arsye politike, ideologjike, etj., janë skajuar apo janë vendosur në harresë për një kohë të gjatë. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha solli në vëmendje Kongresin e Lushnjës. “Nuk them se u asgjësua tërësisht nga librat, por u skajua tmerrësisht për faktin se regjimi i shpalli armiq protagonistët e tij kryesorë”, tha Kryeministri. Duke u folur për rëndësinë e këtij Kongresi, Kryeministri u shpreh se është e domosdoshme që kjo ngjarje të ridimensionohet me shpalljen Muze Kombëtar të shtëpisë ku mbajt Kongresi i Lushnjës dhe me një monument për këtë ngjarje.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal edhe në rishikimin e historisë dhe paraqitjen e saj me objektivitetin më të madh, ndërsa u shpreh se do të ishte një gabim fatal që në emër të korrigjimit të padrejtësive dhe manipulimeve që janë bërë të lejohen manipulime të reja. “Kjo përbën një rrezik serioz dhe do të ishte diçka e pafalshme për ne”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri Berisha tha se pavarësia ishte rezultat i një përpjekjeje mbarëkombëtare dhe kremtimi i saj duhet të jetë një kremtim mbarëkombëtar. Në këtë kuadër janë vendosur kontakte dhe lidhje me shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe do të vendosen edhe në Preshevë e diasporë.

Në fjalën e mbajtur në këtë mbledhje,  Kryeministri Berisha u shpreh:

“Përshëndetje!

Përpara mbledhjes kemi fiksuar dhjetëditëshin e parë të shkurtit, për të cilin ne ramë dakord të miratojmë të gjithë axhendën e veprimtarive të këtij viti jubilar, vitit të 100 vjetorit të pavarësisë. Ne e thirrëm edhe një herë këtë mbledhje për shqyrtime kryesisht teknike të problematikës nga Komiteti i autorizuar për organizimin e festimeve të këtij viti jubilar dhe në mënyrë që mbledhja e ardhshme, e cila është përcaktuese për sa i përket veprimtarive që do të realizohen gjatë vitit, të jetë sa më e plotë dhe e mirëpërgatitur.

Koha ecën dhe është e domosdoshme që të shpejtohen ritmet e vendimeve, në mënyrë që një axhendë e ngjeshur të ndiqet dhe të zbatohet. Janë konturuar dhe po konturohen grupet dhe nëngrupet e punës, janë vendosur kontaktet dhe lidhjet me shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, duhet të vendosim në Preshevë, por edhe në diasporë. Theksoj, edhe një herë, se pavarësia ishte rezultat i një përpjekje mbarëkombëtare dhe kremtimi i saj duhet të jetë një kremtim mbarëkombëtar.

Në mënyrë të veçantë, dua të sjell në vëmendje të këtij Komiteti një përqendrim më të madh tek ngjarjet, tek aktet, tek zhvillimet, të cilat për arsye politike, ideologjike apo të tjera, janë vendosur në një harresë për kohë të gjatë. Ato të cilat kanë përjetuar harresën për kohë të gjatë, për fat të keq, nuk janë të pakta. Harresa për kohë të gjatë ka mbuluar zhvillime ndër më madhoret në historinë tonë kombëtare, në Shqipëri, por harresa për kohë të gjatë ka mbuluar përpjekje të mëdha, luftëra dhe kryengritje të trevave shqiptare në ish Jugosllavi, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi. Rikthimi i këtyre ngjarjeve të mëdha, rivendosja e tyre në piedestalin e merituar në këtë 100 vjetor, duhet të jetë dhe një nga objektivat madhore.

Pak ditë më parë ne festuam 92 vjetorin e Kongresit të Lushnjës. Studiuesi Aurel Plasari, në një nga shkrimet e tij, e vlerëson atë si - mrekullia shqiptare. E vërteta është që për atë ngjarje, sa herë ta studiosh dhe ta shqyrtosh, nuk mund të gjesh ndonjë vlerësim tjetër përveç se shpëtimi i Shqipërisë apo mrekullia e shqiptarëve. Ngjarja, në një mënyrë apo në një tjetër, u skajua. Nuk them se u asgjësua tërësisht nga librat, por u skajua tmerrësisht për faktin se regjimi i shpalli armiq protagonistët e saj kryesorë. E vërteta është kushdo që studion dhe lexon për këtë ngjarje mahnitet, mahnitet me vendimet e këtij Kongresi, mahnitet me realizimet e qeverisë që doli nga ky Kongres. Në një hark kohor nëntë mujor vendosi rendin dhe integritetin territorial të vendit. Kishte një ministër të Brendshëm si Ahmet Zogu, i cili me të gjithë përkushtimin dhe aftësitë e tij bëri të mundur që Shqipëria të paraqitej shtet me tiparet e një shteti. Kishte një kryeministër, ndoshta ‘kryediplomatin shqiptar’ të të gjitha kohërave, nga koha e Skënderbeut e deri më sot, që me urtësinë dhe mençurinë e tij ia doli të thotë një ‘Jo’ me qeverinë e tij të gjitha atyre përcaktimeve kobzeza për shpërbërjen e plotë të Shqipërisë, ta realizoi kryesisht nëpërmjet marrëveshjeve. Por e vërteta është që kjo qeveri ishte përcaktuese për suksesin e luftës së Vlorës, luftë e cila pati jehonë shumë të madhe dhe  e dëshmoi Shqipërinë shtet para botës. Ngjarja, për shkak të Ahmet Zogut, Imzot Luigj Bumçit,  në Ndoc Çobës, të Toptanëve, që ishin dhe figurat kryesore, u vendos në skaje të historisë, në një kohë kur realisht ajo është një ngjarje, nga më të paktat në tërë historinë kombëtare para saj, që vjen si nismë direkte e shqiptarëve. Në zhvillime të tjera të mëparshme shqiptarët kishin bashkërenduar përpjekjet e tyre duke shfrytëzuar konjukturat e kohës, kundërshtitë dhe armiqësitë e fuqive që përcaktonin, ndërsa në Kongresin e Lushnjës shqiptarët kishin me vete vetëm Zotin dhe ndonjë mik pa peshë të madhe në vendin e tyre. Kështu që, edhe në këtë kontekst, është ngjarje në të cilën shqiptarët realizuan një mrekulli të vërtetë. Ndaj dhe është e domosdoshme që kjo të ridimensionohet me shpalljen Muze Kombëtar të shtëpisë ku mbajt Kongresi i Lushnjës dhe një monument të merituar për këtë ngjarje në atë qytet, i cili bëri të mundur zhvillimin e Kongresit dhe formimin e qeverisë. Ishin ata burra lushnjarë që morën përsipër gjithçka dhe bënë që kongresi të zhvillojë punimet e tij, të marrë ato vendime që u morën, të cilat Shqipërinë që ne kemi sot e ngritën në këmbë, e cila ishte më e shtrirë se kurrë përdhe. Ngjarje të tjera të rëndësishme, sigurisht, ka. Ato që janë lënë padrejtësisht në harresë duhet të kenë përparësi, përndryshe koha është e pamëshirë ndaj tyre.

Në këtë vit duhet të evidentohen përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar, sepse ato kanë qenë përpjekje të shoqëruara me sakrifica mbinjerëzore. Njerëz të cilët për flamurin e tyre u ngritën me të gjithë mundësitë, trimëritë, potencialin, kundër padrejtësisë historike që iu bë shqiptarëve. Ne, në tërësi, duhet të përpiqemi t’i sjellim zhvillimet e mëdha në podiumin e 100 vjetorit me baraspeshë, me objektivitet, jashtë trajtesave ideologjike. Historinë ne e kemi pasur të vështirë dhe të dhimbshme. Do të ishte një gabim fatal për ne që në emër të korrigjimit të padrejtësive dhe manipulimeve që janë bërë të lejonim manipulime të reja. E them këtë, sepse kjo përbën një rrezik serioz dhe do të ishte diçka e pafalshme për ne. Asnjë komb i qytetëruar nuk kursen atë që quhet tradhti kombëtare, sepse ajo e errëson shumë të ardhmen e tij. Dua t’ju jap një shembull: në Francë, për dy shekuj e mbajtën Dantonin si një nga arkitektët kryesorë të revolucionit francez, por ndodhi që në 200 vjetor dikush ia botoi letrat në Britaninë e Madhe. Presidenti francez François Mitterrand mbajti qëndrimin standard ndaj atyre që kanë punuar jo për llogari të kombit të vetë. E them këtë, sepse është e domosdoshme. Pasi, në fund të fundit, një nga arsyet më madhore që ne kremtojmë këtë 100 vjetor është për të nderuar ata që prehen nën flamur, të cilët janë flijuar për vendin dhe lirinë. Ky është motivi i parë dhe më madhor. Atëherë është e domosdoshme që këtu të jemi të kthjellët. Unë nuk them që kjo të mbetet në fushën interpretative, por kryesisht në fushën e dokumenteve. Këto qëndrime duhet të jenë mbi bazën dokumenteve dhe interpretimet duhet të bëhen mbi bazën e dokumenteve të qarta. Por nuk mund të injorohet fakti se gjatë 100 vjetorit kemi patur edhe probleme serioze në udhën tonë deri në ditët e pavarësisë së Kosovës. Kështu që duhet të ecim me një shkallë të lartë përgjegjësie në shqyrtimin e historisë sonë, paraqitjen e saj me objektivitetin më të madh. Kjo, sigurisht, nuk është detyrë e këtij Komiteti, por është detyrë e studiuesve. Shpresoj që studiuesit të mbajnë parasysh vlerësimin objektiv të personaliteteve dhe zhvillimeve të mëdha. Unë u ndala te Kongresi i Lushnjës, por ka probleme të mëdha të shumta që studiuesit i njohin shumë më mirë, të cilat janë skajuar, deformuar, anatemuar e me radhë. E rëndësishme që të shpejtojmë ritmet.

Ministria e Drejtësisë ka marrë porosi të rishqyrtojë ligjin për dekoratat, sepse ky ligj që kemi sot është bërë në vitin ’93 - ’94. Në atë kohë ato ishin konceptet, sot shpresoj që do të ketë qëndrime më të avancuara. Ndaj dhe ligji do të shqyrtohet që të kenë dhe Urdhrin e 100 vjetorit, Medaljen e 100 vjetorit, të cilat do të jepen në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë, sipas rregullave të caktuara. Por, ndërkohë, meqenëse ndërhyhet në atë ligj, ministria ka marrë porosi dhe ka nisur konsultimet që të merret mendimi i Presidencës, i Parlamentit, i ministrisë së Mbrojtjes, ministrisë së Brendshme dhe ministrive që kanë të drejtën apo që japin më shpesh dekorata. Ndër to do të jetë edhe Urdhri i 100 vjetorit të Pavarësisë apo si do ta quajnë.

Vërejtjet që bëtë për logon e 100 vjetorit të Pavarësisë janë përcjellë. Logoja në tërësi është pëlqyer shumë dhe deri tani ka vetëm vlerësime pozitive publike. Ajo vërejtje iu përcoll autorit dhe ai ka bërë variante të cilat ne do t’i shohim. Po punohet për konkursin për posterin, spotin, hapjen e garës për monumentin e Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës, monumentin e Kongresit të Lushnjës, vështrimet e ngjarjeve, aty ku ka injorime të pamerituara, ku ka harresa. Mjafton të lexosh Konferencën e Pezës dhe gjen se si e kanë katandisur. Kryetarit, Kamber Qafmollës, nuk ia ka përmendur ndokush emrin kurrë. Nuk e di se cili ishte fati i tij. Me një fjalë, ngjarjet duhet të dalin siç janë. Se si ngjarje ajo është e painjorueshme, është një ngjarje e rëndësishme. Ajo ishte një përpjekje. Ata shkuan aty dhe vendosën për të luftuar një pushtues. Por si u spostuan dhe ç’ndodhi me Kamber Qafmollën dhe me Ndoc Çobën, që ishin më kryesorët? Ndaj dhe është e rëndësishme që të vërtetat të dalin siç janë.”


02/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›