E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha ndjek punimet e ditës së dytë të Konferencës së Sigurisë, në Mynih

Kryeministri Berisha ndoqi sot, punimet e ditës së dytë të Konferencës së 48-të të Sigurisë, në Mynih, ku, në sesione të veçanta të saj u diskutua mbi çështje të rëndësishme aktuale të sigurisë dhe sfidave të saj në të ardhmen si ndërtimi i një komuniteti të sigurisë euroatlantike; Amerika, Europa dhe Ngritja e Azisë; kriza financiare dhe konsekuencat e saj për sigurinë ndërkombëtare; mbrojtja Smart, BE dhe e ardhmja e Aleancës Transatlantike.


Në panele të ndryshme, pjesëmarrësve iu drejtuan me një fjalë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta, Zëvendëspresidentja e Komisionit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Catherine Ashton, Kryeministri italian Mario Monti etj..

Gjatë zhvillimit të Konferencës, Kryeministri Berisha pati takime të shkurtra me Sekretaren amerikane të Shtetit, zonjën Hillary Clinton, Sekretarin e Mbrojtjes Leon Paneta dhe personalitete të tjera pjesëmarrëse.

Në përfundim të saj, Kryeministri Berisha u prononcua për mediat mbi çështjet, në të cilat u përqendruan diskutimet e ditës së dytë të Konferencës.

Kryeministri Berisha: Konferenca kishte sot, ditën e saj kulmore. Për herë të parë, tërësisht të pazakontë që nuk ka ndodhur në historinë prej më shumë se 4 dekadash të kësaj Konference, në seancën e mëngjesit iu adresua pjesëmarrësve Sekretarja e Departamentit të Shtetit Hillary Clinton dhe Sekretari i Mbrojtjes Leon Paneta. Si rregull, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut kanë marrë pjesë ose Sekretari i Mbrojtjes ose Sekretari i Departamentit të Shtetit. Në këtë kontekst, mund të them se pesha e Konferencës ishte shumë  madhe dhe kjo ishte arsyeja që dy personalitet kryesore të qeverisë së Shteteve të Bashkuara iu adresuan kësaj Konference, për të paraqitur edhe strategjinë e Shteteve të Bashkuara, vendosmërinë e tyre për të konsideruar Europën si një përparësi dhe natyrisht, zhvendosjen drejt Azisë e Pacifikut, si rajone, të cilat meritojnë tani vëmendjen më të madhe, për shkak të ndryshimeve shumë të mëdha që kanë ndodhur këto dy dekada në gjeopolitikën e gjeostrategjinë e botës. Pata rastin t'i takoj shkurtimisht të dy dhe t’i ftoj për të ardhur në Shqipëri, ftesë që e pranuan me kënaqësi.

Gjatë seancave të tjera u diskutua shumë mbi marrëdhëniet ose raportet e reja në botë, Europë, SHBA dhe Azi, u diskutua gjerësisht për krizën, ku një ekspoze të shkëlqyer bëri këtu, Kryeministri i Italisë Mario Monti, aspektet e saj në Europë e në botë, rrugët e kapërcimit të kësaj krize. Gjatë qëndrimit në seanca dhe jashtë tyre në Konferencë pata rastin të takoj e të shkëmbej mendime, të diskutoj me personalitete të shumtë që ishin të pranishëm. Një takim të përzemërt pata me senatorin Mc Cain, senatorin Liberman, parlamentarë europianë, ministra të Jashtëm e të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s. Një ekspoze me shumë interes paraqiti Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen, mbi të ashtuquajturin ‘Smart Difence’- Mbrojtja  e mençur, e cila përbën një koncept të ri të përshtatjes së Aleancës, në kushtet e kësaj krize dhe këtyre ndryshimeve që kanë ndodhur në botë.


04/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›