Kryeministri Berisha: Në tre vjet, rritja e pagave të ulëta dhe të mesme tejkalon deri në 7 herë vlerën e indeksimit të tyre
- Rritja e pagave të punonjësve buxhetorë, një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë
Kryeministri Berisha njoftoi sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, vendimin për rritjen e pagave për të gjithë kategoritë e punonjësve të administratës shtetërore. Duke prezantuar këtë masë të re të qeverisë në përmbushje të programit të saj për rritjen progresive të pagave, Kryeministri Berisha tha se ky vendim sjell një tjetër efekt të ndjeshëm në nivelin e pagave, që në tre vjet tejkalon deri në 7 herë vlerën e indeksimit të tyre.
“Qeveria po mban pikë për pikë, madje edhe me ndonjë tejkalim të qartë, programin e saj të rritjes më të madhe të pagave se në çdo vend tjetër. Në rast se pagat janë rritur nga 65 deri në 89 për qind, inflacioni i të tre viteve të marra së bashku nuk kap vlerën 8 për qind. Në këtë mënyrë, është tejkaluar 6 apo 7 herë, sipas rastit, indeksimi për të gjitha pagat, përveç pagave të larta, të cilat thjesht janë indeksuar,” u shpreh Kryeministri.
Duke vlerësuar se edhe pse në këto tre vjet qeveria ka realizuar rritje më të madhe të pagave se çdo vend tjetër europian, Kryeministri theksoi se si rezultat i zvogëlimit të administratës, shpenzimet për pagat zënë vetëm 6.2 për qind të shpenzimeve të përgjithshme.
“Në përputhje me programin e saj, qeveria shpalli tre vjet më parë qeveri të vogël dhe rritje progresive të ndjeshme të pagave. Efektet e saj kanë qenë të veçanta, madje unike. Zvogëlimi i administratës në rreth 104 mijë punonjës i dha vendit administratën më të vogël për frymë në Europë. Por, nga ana tjetër, rritja e pagave në këto tre vjet ka qenë më e lartë se në çdo vend tjetër të Europës e më gjerë. Megjithatë, kjo ngarkesë mbi shpatullat e taksapaguesve është vetëm 6.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm. Nga 30 për qind të shpenzimeve, shpenzimet për pagat zënë 6.2 për qind, karakteristika më tipike, se çdo gjë tjetër, për një qeveri të vogël, që peshon më lehtë se çdo qeveri tjetër mbi shpatullat e taksapaguesve.”
Pas rritjes së pensioneve, u shpreh Kryeministri, politika e rritjes së pagave është një akt tjetër madhor i qeverisë gjatë këtyre tre viteve, me të cilën ne kemi hedhur bazat për një administratë të mirë paguar e të shpërblyer, në përputhje me punën që bën.