Kryeministri Berisha: Krijimi i infrastrukturës së njëjtë si në qytet dhe në zonat rurale, një nga prioritetet kryesore të qeverisë
- Kryeministri fton qytetarët të pajisen me Kartat e Identitetit, si një dokument ndër më të avancuarit në Europë dhe si një akt shumë i rëndësishëm qytetar për zgjedhjet parlamentare të qershorit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të sistemimit dhe asfaltimit të të gjitha rrugëve lidhëse të fshatit Luz i Poshtëm, gjatë vizitës së tij sot në Fushë Krujë. Në këtë inaugurim ishte i pranishëm Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Kryeministri Berisha u shpreh se fshati Luz i Poshtëm, në të cilin asfalti shkon në çdo derë shtëpie,do ta kishin shumë lakmi pjesa dërrmuese e lagjeve dhe rrugëve të Tiranës. Ai përgëzoi Kryetarin e Bashkisë së Fushë- Krujës për vëmendjen që ka treguar ndaj këtij fshati dhe siguroi të gjithë banorët e fshatrave të Shqipërisë se krijimi për to i infrastrukturës së njëjtë me qytetin, është një nga qëllimet më kryesore të qeverisë.
Kryeministri tha se këto katër vite na kanë dhënë kurajë të madhe, sepse në këto katër vite, ne ia kemi dalë të realizojmë projekte edhe jashtë parashikimeve. “Kemi asfaltuar mijëra e mijëra metra rrugë në zonat rurale. Vërtetë mediat, me shumë të drejtë, ndalen në akset kombëtare rrugore, por unë ju garantoj se, e vlerësuar me kilometra, shumë më të shumta janë kilometrat që ne kemi investuar në rrugët rurale, në infrastrukturën e fshatrave”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri ftoi qytetarët që, së bashku të vazhdojmë rrugën e nisur, sepse së bashku kemi realizuar ndryshime epokale. “NATO dhe anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Aleancë ndan epokat në këtë vend. Së bashku, ne kemi realizuar transformime të mëdha, në infrastrukturë e në çdo fushë, së bashku ne kemi realizuar rritje të madhe të rrogave dhe pensioneve”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri shfrytëzoi rastin të ftonte qytetarët të pajisen me Kartat e Identitetit, si një dokument ndër më të avancuarit në Europë dhe si një akt shumë i rëndësishëm qytetar për zgjedhjet parlamentare të qershorit, duhet të jenë pasqyra e vërtetë e maturisë sonë, e pjekurisë sonë demokratike, të cilat duhet të jenë dëshmi e madhe se ne e justifikojmë besimin që ndërkombëtarët na dhanë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Ky është fshati Luz i Poshtëm, në të cilin asfalti shkon në çdo derë shtëpie. Këtë fshat do ta kishin shumë lakmi pjesa dërrmuese e lagjeve dhe rrugëve të Tiranës. Dua të përgëzoj Kryetarin e Bashkisë së Fushë- Krujës, për vëmendjen që ka treguar ndaj këtij fshati dhe dua t’í siguroj të gjithë fshatrat e Shqipërisë se krijimi për to i infrastrukturës së njëjtë me qytetin, është një nga qëllimet më kryesore të qeverisë sime. Ne jemi të vetëdijshëm se puna në fshat është një punë e vështirë, e lodhshme, është një punë që bazohet në lumenj djerse dhe atë ne nuk e zëvendësojmë dot. Por ajo për të cilën ne ndihemi të detyruar ndaj fermerëve shqiptarë është që të investojmë që ata të kenë rrugët, ujësjellësin, kanalizimet, shkollat, shërbime të njëjta me ato të qyteteve.
Shpreh edhe njëherë kënaqësinë që në këtë fshat është realizuar plotësisht sistemimi dhe asfaltimi i rrugëve. Kryetari i bashkisë më informon se nga 6 fshatra që ka Fushë Kruja, në 5 prej tyre ka gjetur qartësisht zgjidhje çështja e rrugëve dhe se po punohet në të gjitha fshatrat për të pasur një infrastrukturë si kjo.
Gjithashtu, shpreh zotimin tim që ky projekt të vazhdojë në mbarë vendin, në mënyrë që të lehtësojmë jetën e qytetarëve shqiptarë. Kur them në mbarë vendin, jam shumë i vetëdijshëm se janë jo mijëra, por dhjetëra mijëra kilometra rrugë për t’u asfaltuar. Por, këto katër vite na kanë dhënë kurajë të madhe. Sepse në këto katër vite, ne ia kemi dalë që të realizojmë që të realizojmë projekte edhe jashtë parashikimeve tona.
Kemi asfaltuar mijëra e mijëra metra rrugë në zonat rurale. Vërtetë mediat, me shumë të drejtë ndalen në akset kombëtare rrugore, por unë ju garantoj se, e vlerësuar me kilometra, shumë më të shumta janë kilometrat që ne kemi investuar në rrugët rurale, në infrastrukturën e fshatrave.
Dua të shfrytëzoj rastin dhe të bëj një apel vëllazëror, në interesin tuaj më të mirë, në interesin e qytetarëve të Fushë Krujës dhe të mbarë vendit; të merrni letërnjoftimet e reja. T’i merrni ato edhe si një prej arritjeve tona të mëdha, sepse ne, për herë të parë, arritëm të kemi në dorë një dokument aktualisht më të avancuarin në Europë. Unë ju garantoj se ky dokument do të fillojë dora dorës të përdoret për shumë shërbime. Nuk ka asgjë më komode sesa përdorimi i letërnjoftimit elektronik për shërbimet tuaja.
Nga ana tjetër, pajisja me Kartat e Identitetit është një akt shumë i rëndësishëm qytetar, meqenëse zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në qershor duhet të jenë pasqyra e vërtetë e maturisë sonë, e pjekurisë sonë demokratike, duhet të jenë dëshmi e madhe se ne e justifikojmë besimin që ndërkombëtarët vendosën mbi ne. Besoj se jeni dakord me mua se kurrë në histori, që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, kombet e tjera nuk kanë firmosur një besim kaq të madh te shqiptarët, sa firmosën për anëtarësimin tonë në NATO.
Edhe njëherë u përshëndes dhe ju ftoj që këto zgjedhje t’i shndërrojmë në një nderim të vërtetë, për veten, familjen dhe vendin.
Sikundër, ju ftoj të vazhdojmë bashkë rrugën e nisur, sepse së bashku ne kemi realizuar ndryshime epokale. NATO dhe anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Aleancë ndan epokat në këtë vend. Së bashku, ne kemi realizuar transformime të mëdha në infrastrukturë, së bashku ne kemi realizuar rritje të madhe të rrogave dhe pensioneve. Në 1 maj të këtij viti, ne dyfishojmë pensionet e të gjithë fermerëve shqiptarë dhe unë ju jap fjalën se do të qëndroj i vendosur deri në barazimin e këtyre pensioneve me ato të qytetit. Së bashku, ne i kemi sot të gjitha shkollat me internet, kemi mbidyfishuar numrin e studentëve, kemi shndërruar Shqipërinë në një kantier të vërtetë ndërtimi. Pra, kurrë ndonjë herë më parë nuk kemi pasur ndonjë ndryshim më të shpejtë dhe më të madh sesa këto katër vite.
Edhe njëherë, ju përshëndes dhe ju falënderoj”.
27/03/2009