Kryeministri Berisha: Po shkojmë drejt 3-fishimit të numrit të pranimeve universitete
Në përfundim të vizitës në rrethin e Elbasanit, Kryeministri Berisha u ndal në Universitetin Aleksandër Xhuvani, ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të godinës së Rektoratit të këtij Universiteti. Ky investim arrin vlerën 60 milionë lekë.
Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Së pari shpreh kënaqësi për inaugurim e kësaj godine kaq të bukur dhe me parametrat e një universiteti që Elbasani e meriton. Dua t’ju përgëzoj për Rektorin e këtij Universiteti, për të gjithë energjitë dhe vizionin që ka për zhvillimin e këtij universiteti, në interesin më të mirë të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë.
Ia keni dalë të përballeni me sukses me misionin e këtij Universiteti, me detyrat e shumta që shtrohen për këtë universitet, keni arritur ta ndryshoni atë në mënyrë thelbësore, si dhe të realizoni objektivat. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Arsimi universitar përbën linjën e parë të fondit të dijes dhe të zhvillimit, për këtë arsye ne i kushtojmë dhe do t’i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe. Një ligji i ri është miratuar dhe është vendosur mbi baza të reja. Ligji do të zbatohet me rigorozitet të plotë dhe në përputhje të plotë me autonominë e universiteteve do t’ju akordojë ju grantet sipas një formule që një kompani e huaj, në bashkëpunim me institucionet vendase ka përcaktuar. Ky përbën një hap real drejt autonomisë së universiteteve dhe në këtë mënyrë universitetet përmbushin misionin e tyre të madh.
Po në këtë kontekst, në rast se ne kemi shkurtuar në mënyrë drastike në të gjithë sektorët e tjerë të jetës së vendit, nuk e kemi bërë këtë me arsimin. Përkundrazi, universiteteve u kemi akorduar një shtesë që arrin në 950 pedagogë. E kemi bërë këtë për t’u përshtatur me situatën e re të krijuar pas liberalizimit të tyre, por edhe për t’u dhënë mundësinë departamenteve, katedrave dhe rektorateve të universiteteve të rekrutojnë studiues elitarë, të shquar dhe të zotë. Universitetet në tërësi po ecin në këtë drejtim. Ne i kemi më shumë sesa dyfishuar investimet për universitet.
Këtu në Elbasan inauguruam sot godinën e re, një tillë inaugurova disa ditë më parë dhe Vlorë, një tjetër ka inauguruar ministri i Arsimit në Shkodër, por duhet të flasim haptas se për fat të keq të gjithë këto nuk kanë më shumë sesa 35- 40 përqind e fondit që ne kemi akorduar për arsimin.
Pra, 60 përqind e këtij fondi për investimet mbeti i pashfrytëzuar. Kjo do të thotë që është detyrë parësore e universiteteve të zhvillojnë kapacitetet e tyre investuese, përndryshe do të gjenden në vështirësi shumë serioze. Këtë ua dedikojmë edhe bashkive, por kjo nuk shkon me frymën e autonomisë.
Universiteti i Elbasanit, në drejtim të kapaciteteve investuese, është një shembull pozitiv për universitetet e vendit në tërësi. Ata duhet të zhvillojnë këto kapacitete. Këtë vit ka një ndryshim cilësor sepse u japim grantin në përputhje me ligjin dhe mendoni ju në bordin tuaj që të përcaktoni destinacionin e tij. Por, do të ishte fatkeqësi e madhe në qoftë se për mungesë kapacitetesh kjo të kushtonte për zgjerimin e hapësirave për modernizimin e mjediseve dhe për hapjen e degëve të reja për destinacionet më të rëndësishme.
Mendoj se Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me Konferencën e Rektorëve duhet të hapin një dialog. Ne kemi dyfishuar dhe do të dyfishojmë për këtë vit sërish fondet për arsimin. Fondin për arsimin do ta rrisim sërish vitin që vjen. Por, ka një rëndësi të jashtëzakonshme që ju të zhvilloni kapacitetet e gjithanshme. Ne nuk jemi të pasur, por është në fatin tuaj që fondet që ka realizuar Universiteti i Elbasanit të kenë mundësi t’i investojnë dhe t’i përdorin të gjitha universitetet e vendit. Universitetet janë gjeneratorë dhe qendrat më të rëndësishme të mendimit intelektual të kombit. Universitetet duhet të synojnë cilësinë, elitarizmin dhe mbështetjen e fuqishme të tij. Në këtë kontekst ne kemi përcaktuar Fondin e Ekselencës, me të cilin pedagogë dhe pedagoge të universiteteve mund të doktorohen apo të bëjnë Masterin në universitetet më të mira të botës. Me këtë fond studentet dhe studentët më të mirë mund të aplikojnë në universitetet më të mira perëndimore dhe të ndjekin studimet duke përfituar bursë nga qeveria. Pra, ne kemi përparësi elitën dhe elitarizmin. Për këtë nuk ka diskutim. Në të gjitha kohërat roli i saj mbetet i pazëvendësueshëm në rrugën e një kombi.
Por, nga ana tjetër një nga vendimet më te drejta dhe më të rëndësishme në historinë e arsimit shqiptar ka qenë liberalizimi i pranimeve në universitete. Ka qenë hapja e dyerve për të gjithë ata që duan të ndjekin studimet kundrejt një performance të caktuar. Në një vlerësim të ndershëm dhe të paanshëm, kjo politikë ka bërë që brenda një kohe të shkurt 3 – vjeçare, ne të dyfishojnë numrin e studentëve në vend. Në mënyrë absolute ne do të shkojmë drejt 3-fishimit të pranimeve në universitete sepse ne jemi një komb i ri dhe kjo është grup mosha jonë. Ne sot kemi 30 studentë për një mijë banorë dhe për moshën mesatare të popullsisë na takon të kemi dhe shpresoj të arrimë në 50 studentë për një mijë banorë, në një kohë kur mesatarja e Bashkimit Evropian është 40 studentë për një mijë banorë.
Arsimi është një fushë në të cilën me vendosmëri mund të progresojmë dhe të matemi gradualisht me vendet më të zhvilluara. Arsimi është sistemi të cilin sistemi, buxheti, orientimi, formimi të çojnë drejt një niveli gjithnjë e më cilësor. Ne do të bëjmë çdo gjë në këtë drejtim. Ideja se liberalizimi i universiteteve i shndërroi ato në rezervate të të papunëve është një ide jashtëzakonisht primitive. Ne i kemi hapur dhe do t’i hapim dyert e universiteteve. Po ashtu ne po përpiqemi që çdo fëmijë që përfundon klasën e nëntë të mund të ndjekë shkollën e mesme. Për këtë ne po ndërtojmë konvikte në të gjitha zonat e vendit, në mënyrë që pavarësisht se nga vinë ata të mund të ndjekin shkollën e mesme. Ne nuk mund të çojmë shkolla të mesme kudo, por i sjellim këta fëmijë ne konvikte për të ndjekur shkollën e mesme. Ne do të përpiqemi që çdo fëmijë që përfundon shkollën e mesme, në rast se dëshiron të ndjekë universitetin.
Ajo që tha kreu i Partisë Socialiste pak ditë më parë për universitetet, të cilat janë institucione të elitës, është absolutisht e kundërt me tendencën. Universitetet duhet të jenë institucione të hapura. Përqindja e shqiptarëve që ndiqnin shkollën e lartë ka qenë ndër më të ultat në Evropë dhe ky është një standard që po e kapërcejmë me shpejtësi.
Së dyti shkollimi ka disa funksione. Ka funksionin e pazëvendësueshëm qytetar dhe të qytetarisë, të konsolidimit të qytetarisë, e krahason atë me normat dhe standardet e demokratike. Arsimi ka funksion jashtëzakonisht të rëndësishëm në përshtatje me kushtet e tregut sepse nëpërmjet një arsimi të reformuar ne do të mund t’i përgjigjemi kërkesave në rritje të tregut.
Për këto arsye ka bërë gabim. Një nga rrugët më të sigurta dhe më të qëndrueshme për të luftuar varfërinë është arsimi. Është leksioni i botës dhe nuk është shpikje e Shqipërisë. Ndaj, idenë se liberalizimi i universiteteve ishte një gabim dhe një pikëpamje të tillë, do ta kishte lakmi dhe Haxhi Qamili. Ndaj ne do t’i zgjerojmë, do t’i fuqizojmë dhe do të investojmë në universitete.
Zoti Rektor,
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e mundshme dhe kapacitete janë të shumë mëdha. Sot, problemi më madhor në sistemin arsimor është se ne patëm një shembje të plotë të arsimit profesional, i cili duhet të ngrihet me shpejtësi dhe duhet të arrijë të paktën 50 përqind të kontingjentit që kanë vendet perëndimore. Unë ju ftoj të shqyrtoni të gjitha mundësitë dhe ministria e Arsimit është e gatshme t’ju mbështesë, se si mund të kontribuoni ju në zhvillimin e arsimit profesional.
Nuk duhet ta injorojnë për asgjë dhe në rast se ne mundemi që të ndihmojmë edhe në mësimdhënien ne një shkollë profesionale. Ne mund të bëjmë edhe një program për atë shkollë. Mund të krijojmë dhe kurse trajnimesh. Kjo është dinamika e tregut. Për dikë që humbet punën është njësoj si ai njeriu që pëson një sëmundje dhe duhet të riaftësohet. Kështu universitetet mund të luajnë një rol lider dhe u takon atyre të kapin lidershipin në këtë proces. Ministria përcakton politikat dhe sigurisht që do t’ju mbështesë, por më mirë sesa universitetet nuk mund ta udhëheqin vendin drejt përshtatjes me tregun dhe kushtet. Unë takova këtu disa pedagogë të huaj dhe më erdhi shumë mirë. Ne kemi shumë nevojë që të shkëmbejmë eksperiencë me sa më shumë universitete të botës sepse duhet të jemi shumë të qartë, se në rast se nuk pranojmë të matemi dhe nuk pranojmë garën, në na pret falimentimi.
Është një orë globale dhe një proces integrimi që kalon nëpër standarde, nëpër kërkesa dhe modele. Të gjitha këto kërkojnë që ne të kemi vëmendjen më maksimale në garë dhe secili nga ne të ketë vetëdijen e qartë. Në marrim dhe shohim se cilat janë praktikat më të mira. Për shembull ato bënë që në fushën e biznesit të kenë këtë vit 49 apo 50 nene, ndërsa janë edhe 80 të tjera para nesh. Ne këtë do të bëjmë, do të marrim dhe do të shohim praktika. Ne këtë mënyrë duhet të veproni dhe ju, të merrni dhe aplikoni metodat më të mira të universiteteve të tjera. Të ftoni këtu njerëzit më të shquar të tyre dhe të dërgoni të kualifikoni tek ta pedagogët tanë. Unë e shoh me shumë optimizëm dhe kam shumë besim në punën tuaj të çmuar.
Dua t’ju siguroj se në respekt të plotë me autonominë e universiteteve, ne do të bëjmë çdo përpjekje për t’ju mbështetur ju me burimet financiare të domosdoshme, por edhe të tjera, në mënyrë që ju të përmbushni misionin tuaj”.
01/11/2008