E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Potencialet e shkëlqyera të Shqipërisë mundësi e mirë investimi për biznesin italian

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e  forumit ekonomik me temë të “ Të investosh në Shqipëri. Avantazhe dhe mundësi” të organizuar nga shoqata për zhvillim dhe kooperim “Italbania”.

Në këtë forum merrnin pjesë, Ministri i Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Ruli, Ministri i Transporteve, zoti Olldashi, Ambasadori italian në Tiranë zoti Saba D'Elia, Presidenti i EURISPES CALABRIA zoti Raffaele Rio, rreth 30 përfaqësues të biznesit italian të interesuar për investime në Shqipëri, ndër të cilët edhe përfaqësues të komunitetit arbëresh, si dhe 20 gazetarë italianë.

Duke falënderuar për interesimin e lartë të medias italiane të pranishme, Kryeministri Berisha, në fjalën e tij  u shpreh se për Shqipërinë është shumë e nevojshme që biznesi italian të shohë tek ajo të gjitha potencialet dhe mundësitë që ofron vendi ynë.

Ndër fushat me mundësi të mëdha shfrytëzimi, kryeministri renditi sektorin energjetik, investimet për të  cilin i favorizon edhe pozicioni i shkëlqyer gjeografik i vendit.

“Shqipëria është një vend me potencial të madh energjetik. Ajo ka rreth 20 miliard kilovat orë për tu shfrytëzuar, energji hidrike. Një vend me diell më shumë se çdo vend tjetër i rajonit, me një pozicion gjeografik të shkëlqyer, briri më perëndimor i Gadishullit të Ballkanit, porta e tij drejt Italisë dhe porta e Evropës drejt Ballkanit.” – u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha ndër të tjera se Shqipëria ka pasuri minerale të përmasave botërore në krom, nikel, hekur, bakër, si dhe një vijë të mrekullueshme bregdetare prej 400 km , e cila mund të shfrytëzohet sipas standardeve të kohës.

Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira politike me Italinë, të cilat kanë qenë konstante, pavarësisht nga rrotacioni i pushtetit, Kryeministri Berisha theksoi se partneriteti me vendin mik italian ka qenë i frytshëm në shumë fusha si në arsim , mbrojtje, shkëmbimet tregtare, si dhe në bashkërendimin e shkëlqyer të përpjekjeve të përbashkëta për të dominuar krimin e organizuar dhe trafiqet.

“Italia është partneri ynë kryesor në të gjitha fushat, në shkëmbimet tregtare ajo zë një të tretën e të gjitha shkëmbimeve të vendit. Marrëdhëniet politike janë konstante, shumë miqësore, pavarësisht nga rrotacioni i pushtetit që prodhon mekanizmi demokratik i zgjedhjeve. Marrëdhëniet në fushën e arsimit janë shumë të rëndësishme. Mbi 10 mijë studentë shqiptarë shkollohen në universitet italiane dhe janë ndër më të mirët.  Bashkëpunimi miqësor midis dy vendeve përfshin të gjitha fushat. Ka një bashkërendim të shkëlqyer të përpjekjeve të përbashkëta për të dominuar krimin e organizuar, trafiqet, si dhe ka një bashkëpunim të shkëlqyer ushtarak.” tha Kryeministri.

Kryeministri theksoi se  qeveria shqiptare po bën përpjekje të vazhdueshme për krijimin e një klime të favorshme për biznesin italian dhe biznesin në tërësi. Në këtë kontekst kryeministri renditi një sërë masash të ndërmarra nga qeveria për të luftuar me zero tolerancë, krimin e organizuar dhe trafiqet, luftën pa kompromis ndaj korrupsionit dhe informalitetit në ekonomi, reformën fiskale, të cilat të marra së bashku mundësojnë një mjedis më të sigurte dhe më tërheqës për investuesin e huaj.

Duke ftuar investitorët italianë të investojnë në Shqipëri, kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare nuk do të reshtë përpjekjet  për ta bërë mjedisin shqiptar çdo ditë e më miqësor për investimet e huaja.

Shoqata për zhvillim dhe kooperim “Italbania” është një shoqatë jofitimprurëse, qëllimi i së cilës është ai i kontribuimit në zhvillimin  e marrëdhënieve kulturore, ekonomike dhe tregtare ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. “Italbania” do të ushtrojë, ndër të tjera një aktivitet intensiv për të kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare, industriale, agrare, financiare, etj ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, si dhe të rritjes së bashkëpunimit teknik ndërmjet dy vendeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›