E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës

Më datë 6 nëntor 2007, Zëvendëskryeministri, zoti Gazmend Oketa mori pjesë në Forumin e katërt Ekonomik të Vjenës, me temë ” Zhvillimi i investimeve në vendet nga Adriatiku në Detin e Zi - Probleme dhe Propozime për zgjidhje”.

Në fjalën e tij, zoti Oketa theksoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma të rëndësishme me qëllim përmbushjen e dy objektivave madhorë kombëtarë: anëtarësimi në NA dhe në Bashkimin Europian.

Z. Oketa nënvizoi reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, duke u ndalur me hollësisht në reformat strukturore me qëllim reduktimin e barrierave administrative, krijimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve, dixhitalizimi i procedurave, decentralizimi i shërbimeve etj..  

“Të gjitha reformat e ndërmarra deri tani dhe të tjera që janë në agjendën e qeverisë në vazhdim kanë pasur e kanë një objektiv madhor: ta shndërrojnë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet private,” u shpreh zoti Oketa.

Vitin e kaluar, vijoi më tej zoti Oketa, investimet e huaja në Shqipëri kapën shifrën e 240 milion euro dhe interesi i investitorëve të huaj është në rritje për të shtrirë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë, në sektorin e energjisë, të lëndëve të para në ndërtim, në fushën e agrobiznesit etj..  Zoti Oketa theksoi se këtë vit investimet e huaja direkte në Shqipëri pritet të arrijnë në gjysmë miliard euro. Së shpejti, tha ai, do të nisë parku i parë industrial dhe ne kemi planifikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm edhe ndërtimin e parkut të dytë industrial në zonën Tiranë-Durrës. Zoti Oketa siguroi pjesëmarrësit se perspektiva për investimet e huaja në të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare është shumë e favorshme dhe qeveria do të lehtësojë punën e të gjithë investitorëve që do të vendosin të investojnë në Shqipëri.  

Fjala e zotit Oketa u prit me interes nga pjesëmarrësit në Konferencë dhe vëmendja e audiencës u fokusua kryesisht në programet e qeverisë shqiptare për përmirësimin e sektorit të energjisë, në fushën e infrastrukturës, si dhe reformat për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në NA dhe në BE.

Zoti Oketa përshëndeti gjithashtu dhe vendimin e Bordit të këtij Forumi që ka zgjedhur Tiranën për të organizuar një takim tematik të këtij Forumi, në muajin qershor të vitit të ardhshëm

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›