E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria do të mobilizojë të gjitha fondet e nevojshme për të kapur sa më shpejt moshën dixhitale

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e Konferencës Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, e cila po zhvillohet në ambientet e Hotel "Tirana International".

Kryeministri Berisha, në fjalën e hapjes së punimeve të kësaj konference, u shpreh se qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha fondet e nevojshme për të kapur sa më shpejt moshën dixhitale. “Mosha dixhitale është një moshë jetike për zhvillimin e Shqipërisë, e cila përfaqëson në vetvete vendin më kohëhumbur. Kjo do të thotë që përpjekjet tona duhet të jenë të jashtëzakonshme për të kapur kohën e humbur", u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke renditur disa nga projektet e ndërmarra nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, Kryeministri Berisha vuri në dukje nismën për të shtrirë internetin në çdo shkollë, në bashkëpunim me UNDP-në, bashkëpunimin me USAID-in për tre projektet kryesore siç janë e-taxes, e-business, e-procurement, si dhe me OSBE-në për regjistrin elektronik të popullsisë.
Më tej, Kryeministri Berisha shprehu falënderime për të gjithë donatorët e huaj, për kontributin e tyre në progresin e arritur në drejtim të shtrirjes së Teknologjisë së Informacionit në Shqipëri.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh
“Sot, është një kënaqësi e veçantë për mua të hap këtë konferencë, e cila sponsorizohet nga Komisioni Evropian, siç është Konferenca Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Revolucioni teknologjik i dy dekadave të fundit ka transformuar më shumë se çdo gjë tjetër shoqërinë njerëzore, duke i dhënë asaj dimensionin e shoqërisë së informacionit. Asgjë më shume sesa informacioni nuk është e lidhur me të vërtetën. Në këtë kontekst përpjekja për shoqërinë e informacionit përbën një përpjekje të madhe të njeriut në qëmtimin dhe identifikimin e të vërtetave.
Interneti përbën sot hapësirën më universale në të cilën individi në një kërkim larg merr shërbimet më të mira dhe më të shpejta më të sakta. Me një kërkim larg njerëzit marrin njohuritë ndër më të rëndësishmet dhe më të dobishmet për punën e tij. Në një kërkim larg njerëzit komunikojnë me të katër anët e planetit. Në këtë kontekst është bërë sinonimi i një moshe, e cila ndikon më shumë se çdo gjë tjetër në procesin e përshpejtimit.
Qeveria që unë drejtoj, tre vjet më parë mori nismën “Shqipëria në moshën dixhitale”. Tre vjet më parë kjo nismë tingëllonte si aspak realiste. Shqipëria tre vjet më parë kishte indeksin e penetrimit të IT-së ndër më të ulëtit në Evropë dhe në botë, gjithsej 4.8 përqind. Por, mosha dixhitale është një moshë jetike për zhvillimin e çdo vendi dhe për zhvillimin e Shqipërisë, e cila përfaqëson në vetvete vendim më kohëhumbur. Kjo do të thotë që përpjekjet tona duhet të jenë të jashtëzakonshme për të kapur kohën e humbur dhe për të ecur në një valë me kohën.
Për të shënuar hapa drejt kësaj moshe ne në bashkëpunim me UNDP-në ndërmorëm nismën; internet në çdo shkollë. Dora-dorës ne ndërmorëm një seri nismash të tjera, të cilat synonin t’i ofronin shqiptarëve shërbimet elektronike. Ne i ndërmorëm këto nisma dhe ato po ecin me sukses. Viti 2007 ishte një vit shumë inkurajues. Ne nuk mund të themi se kemi arritur në moshën dixhitale, por po shtrojmë themelet e kësaj moshe.
Inkurajues është fakti se vitin e kaluar sipas institucioneve më serioze ne kemi pasur rritjen më të lartë në Evropë të penetrimit të internetit. Nga 4.8 përqind ne kemi qenë 15 përqind dhe fundi i këtij viti duhet ta gjejë Shqipërinë deri në nivelin 20-22 përqind, i cili është dhe niveli botëror. Niveli i penetrimit të IT-së në Evropë është dy herë më lartë, rreth 40 - 42 %, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rreth 80 përqind.
Pra, na duhet një turravrap i madh dhe një angazhim shumë serioz. Dhe duhet të kemi vetëdijen se në këtë periudhë vetëm po shtrojmë themelet e kësaj moshe.
Ka një shtrirje të shpejtë në sistemin e taksave. Në marsin që vjen të gjithë biznesmenët shqiptare do të aplikojnë online taksat e tyre dhe projekti me USAID-in po ecën shumë mirë. Po ashtu dhe projekti me OSBE-në për gjendjen civile është një projekt model. Brenda një kohe të shkurtët u dixhitalizuan rreth 14 mijë regjistra të gjendjes civile dhe ky shërbim funksionon tërësisht në mënyrë elektronike në të gjithë vendin.
Duke filluar nga marsi i vitit që vjen të 2200 shkollat e vendit do të kenë internet dhe kabinete informatike. Deri më sot numri i tyre ka arritur në 900 dhe po ecën me shpejtësi. Pra, ne po ecim. Po bëhen përpjekje për të kompletuar e-government dhe nga janari i këtij viti Prokurimet Publike do të jenë vetëm elektronike. Pra, qindra e mijëra autoritete kontraktore të vendit nuk do të mund të shpallin tenderë ndryshe përveç se në rrugë dixhitale. Por, ka dimensione të tjera që janë jetike për moshën dixhitale dhe në të cilat ne jemi prapa. Ne jemi pas në edukimin për moshën dixhitale. Është e domosdoshme që të parashikojmë në bashkëpunim me të gjithë partnerët një edukim masiv të popullatës dhe të përdorimit të tij në të gjitha moshat. Besoj se shkollat janë qendra shumë të mira për të marrë përsipër këto funksione në komunitet.
Është e domosdoshme të përshpejtojmë përgatitjen e inxhinierëve, teknikëve dhe programuesve, ku ne jemi sërish mbrapa. Ne jemi pas dhe në drejtim të mirëmbajtjes së këtyre sistemeve. Ne jemi mbrapa në drejtim të inovacionit. Pra, ne kemi shtrirë themelet dhe kemi ecur shpejtë, por duhet të jemi shumë më të shpejtë. Ne duhet të bëjmë çdo gjë të fitojmë shpejtësinë e moshës dixhitale, në mënyrë që të gjendemi në atë nivel ku dëshirojmë.
Qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha fondet e nevojshme për të kapur dhe për të hyrë sa më shpejtë në moshën dixhitale. Telekomi po i ofron çdo abonenti lehtësinë e premtuar nga qeveria, po i ofron ADSL me një çmim të lakmueshëm, por së shpejti do të licencohen kompani të tjera, të cilat aksesin në internet do ta bëjnë të mundshëm për të gjithë qytetarët.
Qeveria, në një moment të caktuar, do të vendosë që t’i bëjë të mundur çdo familje shqiptare që të ketë kompjuter krahas televizorit në shtëpi. Ne kemi shumë arsye, por një nga arsyet më madhore është se ne biologjikisht jemi në moshën dixhitale, jemi kombi më i ri i Evropës dhe progresi në këtë moshë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një formim më të mirë të rinisë shqiptare.
Duke i uruar edhe një herë suksese kësaj konferencë, dëshiroj të siguroj Drejtorin e AKSHI-t se qeveria do të mbështesë fuqishëm përpjekjet e agjencisë dhe të gjitha agjencive për të ecur me shpejtësi drejt moshës dixhitale.
Gjithashtu, dua të falënderoj të gjithë donatorët që kanë ndihmuar Shqipërinë; UNDP-në për projektet në shkolla, USAID-in për tre projektet kryesore siç janë e-taxes, e-business, e-procurement, të falënderoj qeverinë zvicerane, qeverinë austriake dhe donatorë të tjerë që me bujarinë e tyre kanë bërë të mundur këtë progres”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›