Kryeministri Berisha: Qeveria do të ndërmarrë të tjera projekte të mëdha për urbanizimin e zonave informale
Kryeministri Berisha mori pjesë pasditen e sotme në përurimin e përfundimit të punimeve të rrugës Shkozet-Durrës, në zonën e ish Kënetës. Rruga, e ndërtuar sipas standardeve më të mira evropiane; me gjashtë korsi, e ndriçuar nga të dyja anët dhe e pajisur me sinjalistikë ndriçuese dhe jo-ndriçuese, është financim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 600 milionë lekë.
Gjatë ceremonisë, Kryeministri Berisha u shpreh se në tre vjetorin e ditës e fitores së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, po inaugurohet një nga bulevardet më të gjera të vendit, qytetarët e së cilës jetonin më parë si qytetarë të botës së tretë.
“Në tre vjetorin e fitores historike, fitores plebishitare të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, ne inaugurojmë një nga bulevardet më të gjera të Shqipërisë, në një zonë ku qytetarët e saj jetonin si qytetarë të botës së tretë nga të gjitha pikëpamjet. Mjerim të madh shprehte kanali sëmundjeve, kanali i plehrave, i cili rëndonte jetën e fëmijëve, burrave dhe grave të kësaj zone”, u shpreh Kryeministri. Më tej, Kryeministri tha se qeveria do të ndërmarrë të tjera projekte të mëdha në këtë zonë dhe çdo zonë tjetër informale, për t’i shndërruar ato në lagjet moderne të qyteteve të tyre.
Duke e krahasuar me tre vjet më parë, Kryeministri u shpreh se kjo zonë ka pësuar ndryshime të mëdha. “Kjo lagje, e cila është e tëra me vila, ka ndryshuar sot ashtu siç ka ndryshuar e gjithë Shqipëria. Tre vjet më parë Shqipëria ishte ndër vendet më të pasigurta, ishte vendi që dominohej nga krimi dhe korrupsioni, ishte një vend që procesi i integrimit pothuajse kishte ndalur. Ndërsa sot, tre vjet më pas, Shqipëria është vendi që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO, është vendi që u vizitua nga Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Ë. Bush, është vendi me sigurinë më të madhe në rajon dhe më gjerë, është vend me suksese të qarta në luftën kundër korrupsionit dhe është një nga vendet që ka bërë rritjen më të madhe në Evropë për pagat dhe pensionet”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se Shqipëria, nga Konispoli në Vermosh, është e tëra në ndërtim dhe rindërtim. “Sot, ne inauguruam një bulevard me gjashtë korsi, por nga Rrësheni në Morinë po ndërtohet aorta e kombit, e cila është me katër korsi, edhe nga Fieri në Vlorë është duke u ndërtuar një tjetër autostradë. Pra, janë edhe qinda e mijëra kilometra të tjera rrugë kombëtare në ndërtim dhe rindërtim. Shqipëria, nga Konispoli e deri në Vermosh, është e tëra në ndërtim dhe rindërtim. Në historinë e tij, vendi ynë kurrë nuk ka ndryshuar më për mirë sesa ka ndryshuar në këto tre vjet”, vijoi më tej Kryeministri.
Kryeministri u shpreh se në këtë mënyrë Shqipëria po ecën e sigurt në dy projektet e saj madhore; anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. “Në Shqipëri janë ndezur motorët e rritjes së shpejtë ekonomike. Vendi ynë ka sot rritjen ekonomike më të lartë në rajon dhe njërën prej rritjeve më të larta në Evropë. Shqipëria ka vendosur standardet më të gjera të lirisë së biznesit dhe të lirisë së medias, respekton plotësisht të drejtat dhe liritë e qytetarëve, si dhe ecën e sigurt në dy projektet e saj madhore; anëtarësimin e madh në NATO dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në vazhdim, kryeministri Berisha i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të zonës dhe qytetarë të shumtë, përshkoi në këmbë një pjesë të kësaj rruge.