Kryeministri Berisha: Qeveria do të nxisë fuqishëm garën e arsimit dhe dijes, si promotor të zhvillimit të vendit

- Kryeministri përgëzoi ngritjen e 2 kabineteve informatike në shkollën e Shënavlashit, si dhe faktin që në qytetin e Durrësit ka përfunduar shtrirja e internetit në çdo shkollë.
Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin shkollës së Mesme të Bashkuar “Besnik Hidri”, në Shënavlash, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 100 milionë lekë. Kjo shkollë mban emrin e Dëshmorit të Atdheut Besnik Hidri, i rënë në krye të detyrës në vitin 1997. Në mënyrë simbolike, Kryeministri Berisha dhe familjarë të Besnik Hidrit zbuluan pllakatën me simbolet e emrit të shkollës.
Kryeministri vizitoi të gjitha ambientet e kësaj shkolle, kopshtin, disa klasa të ndryshme, 2 kabinetet e informatikës, si dhe palestrën e kësaj shkolle, e ndërtuar në parametra moderne dhe me hapësira të bollshme për ushtrimin e sporteve të ndryshme.
Kryeministri vlerësoi punën serioze dhe të përkushtuar që është realizuar në ndërtimin e kësaj shkolle të standardeve europiane, duke e konsideruar atë një shembull për t’u ndjekur për çdo shkollë në qytet a fshat.
Duke u ndalur në rolin e madh të shtrirjes së internetit, Kryeministri përgëzoi ngritjen e 2 kabineteve informatike në këtë shkollë, si dhe faktin që në gjithë qytetin e Durrësit ka përfunduar shtrirja e internetit në çdo shkollë. Kryeministri tha se synohet që brenda muajit maj, procesi i shtrirjes së internetit të përfundojë në të gjitha shkollat e Shqipërisë.
Gjatë ndjekjes së një ore mësimi të lëndës së Gjeografisë, ku nxënësit njiheshin përmes pamjeve filmime dhe materialeve vizive me detajet e ndërtimit të rrugës Durrës- Kukës, Kryeministri tha se kjo rrugë është një vepër madhështore, dëshmia më e fuqishme e një Shqipërie që zhvillohet me shpejtësi, e një Shqipërie që mund të ndërtojë vepra të mëdha, që mund të ndërmarrë projekte ambicioze. Rruga është një aortë jetike për të lidhur dy pjesë të kombit Shqipërinë dhe Kosovën dhe për të shumëfishuar shkëmbimet njerëzore dhe tregtare mes dy vendeve. Kryeministri tha se kjo rrugë përfundon në qershor.
Duke u fokusuar në projektet infrastrukturore në vend, Kryeministri tha se në objektivin e qeverisë janë ndërtimi i rrugëve që shkurtojnë distancat. Kryeministri nënvizoi se rruga Durrës- Kukës- Morinë shkurton mbi 100 kilometra distancë, krahas faktit që parametrat e kësaj rruge janë për shpejtësi më të larta. E njëjta gjë do të bëhet me aksin Tiranë- Tepelenë, me rrugën e Arbrit që afron Shkupin me Tiranën me 100 kilometra, me aksin Qafë Plloç- Qukës, që afron Korçën shumë ndjeshëm me Tiranën, me aksin Fierzë- Koman që shkurton distancën me 100 kilometra.
Kryeministri nxiti nxënësit e kësaj shkolle që të mos heqin dorë nga rruga e dijes. “Duhet të mësoni sa më shumë, pasi asgjë nuk përcakton më shumë shpejtësinë e zhvillimit të vendit sesa arsimimi juaj”, u shpreh Kryeministri. Ai theksoi se zona e Shënavlashit është një zonë e zhvilluar nga dora dhe mendja e njeriut, e ndërtuar me vila dhe shtëpi të bukura. “Kjo është Shqipëria tjetër, jashtëzakonisht e ndryshme nga ajo që ne kemi pasur, jo 50 apo 30, por edhe 18 vite më parë. Kjo është, së pari, Shqipëria juaj, sepse ju keni në memorie vetëm këtë Shqipëri, jo atë të dikurshmen. Ju keni një start shumë më të fuqishëm, sepse e nisni jetën në një Shqipëri tjetër”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Sërish, theksoi Kryeministri, Shqipëria ka shumë probleme për t’u zgjidhur, por është shumë e rëndësishme që të ecim me hapa të shpejtë drejt zhvillimit. Kryeministri siguroi vazhdimin e mbështetjes së gjithanshme të qeverisë për të nxitur garën e arsimimit në vend, garën e dijes, si promotor të zhvillimit të vendit.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha u ndal edhe në një takim me trupën pedagogjike të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Besnik Hidri”, ku u njoh nga afër me zhvillimet dhe mendimet e mësuesve për reformën në arsim. Kryeministri tha se mendimet e e mësuesve në këtë reformë janë shumë të rëndësishme dhe të vlefshme për suksesin e saj.
Mësuesit e shkollës falënderuan Kryeministrin Berisha për këtë dhuratë të jashtëzakonshme për komunitetin e Shënavlashit, i cili prej shumë vitesh ka kërkuar një shkollë të këtyre përmasave. Gjithashtu, ata i shprehën mirënjohjen Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për vëmendjen e treguar ndaj tyre në rritjen e rrogave të tyre, përmirësimin e kushteve të punës, zvogëlimin e numrit të nxënësve në klasa, shtrirjen e internetit, etj.
16/05/2009