E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Soares i uron Kryeministrit Berisha anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe shpreh përkrahjen për kandidaturën e Shqipërisë për presidencën e OSBE-së në 2012 si dhe integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri Berisha prit sot ne një takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare te OSBE-se zotin Joao Soares, i cili shoqërohej nga një delegacion përfaqësuesish te Asamblesë Parlamentare. Pasi I uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit Soares falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën qe Asambleja Parlamentare por dhe OSBE-ja i kane dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe.

Presidenti Soares i shprehu kryeministrit Berisha urimet më te përzemërta, me rastin e ngjarjes historike te anëtarësimit te Shqipërisë në NATO, si dhe i shprehu Kryeministrit  përkrahjen e plotë për kandidaturën e Shqipërisë për presidencën e radhës së OSBE në vitin 2012. Gjithashtu zoti Soares theksoi se te gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, në asamblenë parlamentare të OSBE-së përkrahin integrimin e Shqipërisë BE.

Më tej, në takim u diskutua për zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit. Kryeministri Berisha e garantoi Presidentin Soares se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për të realizuar zgjedhjet më të mira dhe më transparente të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ka ndërtuar infrastrukturën më moderne dhe më të sigurt te lidhur me procesin zgjedhor, si regjistrin elektronik të shtetasve dhe po i pajis qytetarët shqiptarë me dokumente identifikimi biometrike, nga më të sigurtat në Evropë.  Kryeministri Berisha i kërkoi Presidentit Soares, që sa më shumë vëzhgues ndërkombëtarë dhe anëtarë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të vijnë në Shqipëri për te vëzhguar procesin e ardhshëm zgjedhor.

Presidenti Soares u shpreh se  është njohur me dokumentet e reja të identifikimit të shqiptarëve, të cilat janë vërtetë të shkëlqyera, si përsa  i përket  shkallës së sigurisë dhe nivelit bashkëkohor të tyre dhe se sinqerisht uronte që edhe qytetaret e vendit te tij të pajisen me dokumente te tille identifikimi. Duke i premtuar Kryeministrit  Berisha se do të bëjë çdo përpjekje, për të dërguar sa më shumë vëzhgues, Presidenti Soares theksoi se është Asambleja parlamentare e OSBE-së organi kompetent, i cili do të bëjë vlerësimin përfundimtar të zgjedhjeve. Ne këtë kontekst, presidenti Soares shprehu sigurinë e tij se me këtë infrastrukturë dhe kuadrin e ri ligjor e institucional Shqipëria  pritet  të realizojë zgjedhje të lira e transparente, të cilat më mirë se kushdo tjetër do ti vlerësonin përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, te cilët vetë janë të zgjedhur dhe kane përvojën më të drejtpërdrejtë me proceset zgjedhore.


15/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›