E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria, e vendosur të marrë çdo vendim për mbrojtjen e mjedisit

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Lufter Xhuveli, drejtues të shoqatave mjedisore të vendit, deputetë, specialist të kësaj fushe, nxënës shkollash të angazhuar në fushata sensibilizuese mjedisore, etj

Kryeministri Berisha, duke përshëndetur Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, u shpreh se kjo ditë mund të quhet dita e jetës, pasi asgjë nuk është më e lidhur me jetën sesa mjedisi ku ne jetojmë. “Në këtë kontekst, mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit është dhe do të mbetet një nga prioritetet dhe drejtimet më themelore të punës së kësaj qeverie”, tha Kryeministri.

Kryeministri përshëndeti dhe vlerësoi punën e bërë nga të gjithë specialistët e kësaj fushe, nga ministria e Mjedisit, nga shoqëria civile, organizatat dhe institutet e mbrojtjes, etj.  “Dua t’i siguroj se zëri i tyre është dëgjuar dhe do të dëgjohet me shumë interes nga qeveria ime. Unë nuk jam anëtar i këtyre organizatave, por me zemër, unë ndihem realisht anëtar i tyre. Unë çmoj shumë kontributin mbështetës, në të gjitha përpjekjet e mia,të  ministrisë së Mjedisit, për të mbrojtur dhe zhvilluar standardet e domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri ftoi të gjithë faktorët që të mbrojnë gjithnjë e më shumë kauzën e standardeve apo të zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit, mbi bazën e këtyre standardeve. “Ju siguroj se tek unë ekziston bindja e thellë se një mjedis i mbrojtur dhe i zhvilluar është trashëgimia më e shkëlqyer që mund t’ju lemë brezave që vijnë. Ky është një detyrim shumë madhor i yni”, vijoi Kryeministri.

Duke shprehur edhe njëherë mbështetjen e plotë të qeverisë në politikat mjedisore, Kryeministri u shpreh se “kjo qeveri është e vendosur të marrë çdo vendim për mbrojtjen e mjedisit, duke i dhënë përparësi të plotë atij”. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria është një vend ku, falë përpjekjeve të saj dhe një kompleksi rrethanash, kuotohet në një pozicion shumë të lakmueshëm nga shumë vende të tjera, për sa i përket ndotjes dhe mjedisit në tërësi. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha për t’u zhvilluar. “Unë ju garantoj se çdo akt do të merret në përputhje me respektimin e plotë të këtyre standardeve. Nuk kemi asnjë lloj hezitimi dhe është pikërisht ky qëndrim nga i cili ne ndiqemi dhe jemi të vendosur të ndërmarrim studimet më serioze, për të studiuar dëmin mjedisor të industrive që do ngrihen, si dhe të pengojmë ngritjen e tyre në çdo rast kur ky dëm kalon standardet më të pranuara e më të mira ndërkombëtare”, tha Kryeministri.

Duke theksuar faktin se Shqipëria është një vend me pasuri minerale shumë të mëdha, por realisht me një batërdi mjedisore në zonat minerale, Kryeministri u shpreh se “po punohet që ato të grupohen në vende të caktuara, mbi bazën praktikave të caktuara, pra të grupohen në ato vende që në bazë të shfrytëzimit mineral vendosin dy nga parimet mjedisore; mbrojtjen e  mjedisit dhe transparencën financiare të shfrytëzimit të tyre”.

Kryeministri theksoi se këto shanse vendi ynë i ka edhe në aspektin e turizmit. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se po bëhen investime të mëdha gjatë këtyre dy viteve për pastrimin e ujërave. “Dua t’ju rikujtoj se vetëm dy vjet më parë ne kemi inauguruar impiantin e parë të pastrimit të ujërave të zeza në Shqipëri. Sot janë një numër i madh i këtyre impianteve, në disa rrethe e distrikte po punohet për ngritjen e tyre. Ne po bëjmë përpjekje serioze për një përballje sa më efiçente me të gjithë ndotësit e mjedisit”, nënvizoi Kryeministri.

Ai siguroi se qeveria është shumë e vendosur që në programet e shkollave tona, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i tij, të ketë vendin që meriton në tekstet shkollore, duke nënvizuar se “zhvillimet dhe konceptet kërkojnë ridimensionime, për t’u hapur vend të gjitha atyre arritjeve të mëdha që shoqëria realizon për të përmirësuar mjedisin dhe jetën”.

“Bashkërisht me organizatat e mjedisit duhet të mendojmë që këtë vit të ndërmarrim veprimin më të fuqishëm që kemi ndërmarrë ndonjëherë për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Këtë nismë  le ta përpunojmë së bashku, por më takon t’ju siguroj se unë do ta mbështesë atë, cilado që të jetë, pasi  ne kemi fusha shumë të rëndësishme ku mund të realizojmë ndërhyrje të shpejta e të fuqishme”, u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›