E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria, investime të vazhdueshme për ngritjen cilësore të universiteteve shqiptare

Kryeministri  Berisha vizitoi sot qytetin e Vlorës, ku fillimisht mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve në Universitetin e Vlorës, investim me vlerë 2 milion e 200 mijë dollarë.

Në takimin me studente dhe pedagogë të këtij universiteti, Kryeministri u shpreh se inaugurimi i ndërtesë së re është dëshmi e progresit të madh që universiteti “Ismail Qemali ka bërë në 14 vite, duke u shndërruar në një nga universitete më të rëndësishme në shkallë vendi.  “Që nga data e themelit të tij në 14 vjet, universiteti i Vlorës, është shndërruar në një nga universitete më të rëndësishme të vendit. Sot ai numëron 14 mijë studentë, por  me drejtimet e reja stafi ri drejtues i këtij universiteti, staf i cili unë jam i bindur do të zgjerohet me tej me kapacitetet akademike dhe do të shndërrohet në qendër të rëndësishme rajonale të zhvillimit të këtij rajoni, por edhe të vendit në tërësi” 

Kryeministri vlerësoi përpjekjet nga ana e stafit të Universitetit të Vlorës për të vendosur standardet më të mira, bashkëkohore, në metodikat e këtij universiteti , duke  e përqasur ngushtësisht atë me nivelet e universiteteve amerikane dhe evropiane.“Nismat e reja të ndërmarra i japin universitetit një peshë shumë më të madhe dhe janë përpjekje këto për të vendosur standardet më të mira që ekzistojnë sot, standarde të universiteteve amerikane. Këto përbëjnë risi madhore të universitetit tuaj.”

Duke theksuar se qeveria shqiptare e ka vendosur  arsimin si një ndër përparësitë më madhore të saj Kryeministri u shpreh  se godina e përuruar është dëshmi e e një politike pro arsimit, është dëshmie mbajtjes së premtimeve nga kjo qeveri.

Më tej kryeministri u shpreh se një prej arritjeve madhore të qeverisë në fushën e arsimit është mdi dyfishimi i numrit të studentëve , i cili në vitet e ardhshme do të njohë shifra edhe më të larta. “Në arsimin e lartë ne ia kemi dalë në tre vjet të mbi dyfishojmë numrin e studentëve. Në rast se 3 vjet më parë Shqipëria kishte 14 studentë për 1000 banorë, sot Shqipëria ka mbi 30 studentë për 1000 banorë. Në rast se tre vjet më parë Shqipëria ishte mesatarisht 4 herë nën mesatarin e BE për numër studentësh për frymë, sot Shqipëria ka zënë disa vende të BE dhe ka një diferencë gjithsej më 10 studentë për frymë në mesataren e BE-së, diferencë kjo që gjatë 2-3 viteve në vijim do të eliminohet dhe ne do të dalim mbi këtë mesatare sepse ne jemi kombi më ri në Evropë ndaj dhe duhet të ecim më përpara.

Kryeministri nënvizoi se përveç dyfishimit të numrit të studentëve janë dyfishuar edhe investimet për universitetet, si në ndërtimin e godinave të reja për studentët, ashtu edhe në shtimin e stafit akademik me pedagogë të rinj dhe të kualifikuar më së mirë në universitete ndërkombëtare.

“Vërtet ne kemi dyfishuar numrin studentëve , nga 52 mijë , këtë vit pritet të jenë rreth 110 mijë, por ne kemi dyfishuar investimet për universitetet. Kjo godinë, korpusi që inauguruam në Shkodër, ndërtimet që u inauguruan në Elbasan janë dëshmi e këtij dyfishimi, Ne vërtete kemi dyfishuar numrin e studentëve por vetëm këtë vit kemi hapur për studiues, pedagogë të rinj 950 vende në universitete tona, nga të cilat një numër jo i vogël edhe për universitetin e Vlorës. Ne kemi të vendosur të hapim sërish vende të reja”

Duke i cilësuar universitetet si shtretër të mendimit intelektual të kombit, Kryeministri shtroi si detyrë parësore për stafin drejtues të çdo universitet në Shqipëri, tërheqjen e sa më shumë intelektualëve të rinj, të ekselencave shqiptare të kontribuojnë në departamentet dhe katedrat e këtyre vendeve të dijes.

“Në politikën tonë në universitet ne kërkojmë jo vetëm formimin sa  të përshtatshme të fëmijëve shqiptarë dhe ky është qëllimi madhor, ne kërkojmë nxitjen e kërkimit shkencor, përshtatjen e shkollave tona me të gjitha kriteret e tregut, por universitete janë shtretërit e mendimit intelektual të kombit, ndaj dhe është në detyrën tuaj, është në detyrën e dekanëve të fakulteteve të këtij universitetet, e të gjithë drejtuesve të universiteteve të Shqipërisë që të rekrutojnë më të mirët e më të  mirave, që tu japin mundësinë ekselencave shqiptare, mendjeve të reja dhe të ndritura të bashkohen me ju, në departamente  e katedra, më tej në fakultete tuaja  Mijëra e mijëra  shqiptarë shkollohen sot në të katër anët  e globit. Mijëra e mijëra prej tyre janë me rezultate të shkëlqyera. Është në detyrimin tonë që ti ftojmë ata, që ti japim administratës së universiteteve  të këtij vendi”

Kryeministri  u shpreh se ndryshimet madhore në arsim kanë nisur me mësuesit, të cilët janë motivuar ndjeshëm me rritjen e pagave të tyre, rritje e cila do të vijojë në vitet e ardhshme. Kryeministri tha se investimet për shkollat e reja dhe rindërtimin e atyre të vjetrave , nuk do të reshtin, duke u krijuar mundësinë fëmijëve shqiptarë kudo që ndodhen, në çdo skaj të vendit, qe te kene shkollimin më modern dhe bashkëkohor, në mënyrë që ata të rriten si qytetarë të denjë të Evropës

“Tre vjet më parë këtu në Vlorë dhe në të gjitha universitete e Shqipërisë, unë u kam deklaruar shqiptarëve se ndryshimin  në arsim do ta fillojmë me mësuesin dhe kështu vepruam Sot çdo mësues shqiptar ka një rrogë 78 %më të madhe se tre vjet më parë dhe në vitin që vjen do ta ketë dy herë më të madhe.

"Ne  e kemi bërë këtë së pari për fëmijët tanë, sepse besojmë dhe ne duhet të bëjmë cdo gjë që ata të kenë një jetë pakrahasimisht më  të mirë se tonën, ne do të bëjmë çdo gjë që ata të formohen si qytetarë të një Evrope të zhvilluar dhe moderne. Ky ishte hapi i parë, por ne po ndërtojmë shkolla në të katër anët e vendit. Nga këtu do të shkojmë në Novoselë ku do të inaugurojmë një shkollë të re dhe shkolla të reja ka në mbare vendin. Ne do të rindërtojmë çdo shkollë të vjetër dhe do të ndërtojmë kudo shkolla të reja. Ne do të bëjmë që fëmijët tanë kudo që ndodhen, në Smokthinë, në Vlorë, në Dukagjin, në Mokër, të mësojnë në shkolla të reja, të mësojnë në shkolla moderne, të mësojnë në shkolla të denja."

Krahas ndryshimeve të dukshme në sektorin e arsimit, kryeministri theksoi faktin se Vlora është zhvilluar në infrastrukturë, turizëm , etj.“Sot pas tre vitesh Vlora ka ndryshime cilësore. Traseja  e autostradës ka ardhur afër qytetit dhe është me  katër korsi. Prej këtej do të shkoj të inspektoj punimet  termocentralit. Dy javë më parë në qeveri ne miratuam parkun industrial të Vlorës. Rruga që lidh Vlorën me Sarandën është e tëra në rindërtim. Vlora këtë vit ka pritur turiste më shumë se në të gjithë historinë  e saj. Unë mendoj se me shpejtësi gjërat po ndryshojnë dhe do ndryshojnë edhe me shumë. 4 vjet më parë unë ju deklarova qytetarëve të Vlorës se në këtë rreth do të investojmë së paku rreth 450 milion dollarë. Të shumtë kanë qenë  ata që e morën për një premtim elektoral. Ky ishte i tillë, por i mbajtur 100 për qind.”

Më pas, kryeministri vizitoi mjediset e reja dhe moderne të universitetit  dhe kërkoi nga  rektori i tij mundësinë e krijimit të kurseve kompjuterike flas për popullatën e gjerë. Kryeministri u shpreh se po të jetë e nevojshme këto kurse do të financohen edhe nga Ministria e Arsimit. Përsa i përket shtrirjes së internetit në shkolla, Kryeministri vlerësoi  se janë bërë hapa shumë të rëndësishme, të cilat do të bëjnë që shumë shpejt të arrihet niveli botëror për treguesin e penetrimit të internetit në shoqëri, i cili arrin shifrën 22 % .

Kryeministri siguroi studentët dhe stafin drejtues se qeveria shqiptare do të mbështesë plotësisht zhvillimin e mëtejshëm të universiteteve të vendit, duke mobilizuar të gjitha resurset financiare të domosdoshme për të përmbushur këtë qëllim. “Dua të shpreh mbështetjen time të plotë dhe për të gjithë universitetet e vendit, tu siguroj se qeveria do të mobilizojë të gjitha resurset financiare që do të jenë të nevojshme që ju të përmbushni me dinjitet misionin e madh të formimit të intelektualëve, specialisteve dhe ekspertëve shqiptarë në fusha të ndryshme.”


18/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›