Kryeministri Berisha: Qeveria po ndërton një politikë mbështetëse të qëndrueshme ndaj librit
- Kryeministri Berisha vizitoi panairin e librit “Tirana 2008” dhe e konsideroi atë një ngjarje të madhe për jetën e vendit
Kryeministri Berisha, së bashku me bashkëshorten, znj. Liri Berisha, vizitoi sot në mbrëmje panairin e 11-të të librit “Tirana 2008", në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri Berisha, duke u ndalur në stendat e panairit, ku, në edicionin e këtij viti janë ekspozuar 50 mijë tituj librash shqiptarë dhe të huaj, shprehu kënaqësinë për vëmendjen në rritje për librin në vend, çka e dëshmon edhe organizimi i këtij panairi, ndër më të mëdhatë.
“Në këtë panair, - u shpreh Kryeministri - botuesit shqiptar kanë sjellë për lexuesin kryevepra të letërsisë shqiptare dhe botërore, një larmi të pafundme veprash për të gjitha moshat dhe të të gjitha kohërave nga lashtësia deri tek bestseller-at e ditëve të sotme. Dua t’i përgëzoj për këtë organizim të mrekullueshëm.”
Duke e vlerësuar panairin një ngjarje të madhe për jetën e vendit, Kryeministri Berisha theksoi se një politikë e qëndrueshme në mbështetje të librit mbetet përparësi e qeverisë.
“Dua të siguroj se qeveria po ndërton një politikë mbështetëse të qëndrueshme ndaj librit, e cila është e domosdoshme për përhapjen dhe kultivimin e dijes, pasi libri është dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Tani për tani jemi përqendruar në sistemin arsimor, jemi angazhuar që të financojmë dhe të investojmë në të gjitha bibliotekat e shkollave dhe dora dorës do të kalojmë në të gjitha bibliotekat e qyteteve të vendit. Politika ndaj librit është një përparësi e qeverisë sime.”
Më pas, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së disa çmimeve për përkthyesin më të mirë të vitit, shkrimtarin më të mirë të vitit, librin më të mirë për fëmijë, paraqitja më e mirë grafike etj.. Duke i dorëzuar çmimin si shkrimtari më i mirë i vitit, shkrimtarit Visar Zhiti, Kryeministri Berisha u shpreh “është nder i veçantë t’i dorëzoj çmimin e akorduar nga juria e panairit shkrimtarit dhe poetit tonë të talentuar, një prej personaliteteve më me ndjenja në letrat shqipe, Visar Zhiti, si dhe ta uroj shumë përzemërsisht për çmimin e merituar.”
Në vizitën në panair, Kryeministri Berisha shoqërohej nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango.
17/11/2008