Kryeministri Berisha takohet me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. John Withers
Kryeministri Berisha priti sot paradite në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. John Withers.
Gjatë këtij takimi, Ambasadori amerikan e njohu Kryeministrin Berisha me situatën e re post zgjedhore në SHBA dhe me prioritetet e pritshme të administratës së re të Presidentit Obama.
Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjedhjet në SHBA janë një ngjarje e shënuar dhe një çast historik për popullin dhe kombin e madh amerikan, por edhe për mbarë njerëzimin që gjen te SHBA modelin më të shkëlqyer dhe garantuesin më të madh të lirisë dhe vlerave të saj.
Kryeministri nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe mbeten prioriteti më kryesor i qeverisë së tij.
Kryeministri Berisha u shpreh se pret me kënaqësi të bashkëpunojë ngushtë me Presidentin Barak Obama dhe me administratën e re të SHBA-ve.
17/11/2008