E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare u ofron bizneseve kineze një zonë të lirë ekonomike

 -        Presidenti Kinez Hu Jintao u shpreh se vizita e Kryeministrit Berisha përbën një pikënisje të re për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe kulturore për vendet tona. 

Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij zyrtare në Kinë, u prit sot në një takim të përzemërt nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, z. Hu Jintao.

Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht Presidentin Jintao për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe theksoi se ishte një nder i madh për të, si Kryeministër i Shqipërisë, që vizitonte Kinën në përvjetorin e 60- të të marrëdhënieve midis dy popujve. Kam ardhur disa herë në Kinë, u shpreh Kryeministri, “por sa herë që vij, gjej një Kinë të ndryshuar, më të zhvilluar dhe më të begatë”.

Kryeministri e njohu Presidentin e Kinës me vlerësimet e tij për pjesëmarrjen në forumin e BOAO-s, duke e konsideruar atë një nga forumet më të rëndësishme ekonomike botërore. Kryeministri tha se dëgjoi me kënaqësi planin konkret të Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës Uen Jiabao dhe qeverisë kineze për daljen nga kriza ekonomike planetare.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se ai dhe qeveria që kryeson, e konsiderojnë një thesar shumë të çmuar miqësinë e popullit kinez. Kina i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe popullit shqiptar në momente shumë të vështira të historisë së tij dhe për këtë shqiptarët u janë shumë mirënjohës. Por, nënvizoi Kryeministri, pikërisht atëherë kur Kina, nën doktrinën e Deng Hsiao Pin-it, filloi të ndërtonte Shenzhenin, diktatori shqiptar ndërtonte mijëra bunkerë dhe e çonte popullin e tij drejt varfërisë së thellë. Kryeministri u shpreh se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste kineze kanë realizuar ndryshime të thella në vendet respektive, ndërkohë që ndihma e Kinës gjatë këtyre viteve të ndryshimit të Shqipërisë, ka qenë shumë e çmuar.

Duke u ndalur në investimet në vend, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria është një vend i vogël por që ofron potenciale shumë të mëdha për biznesin kinez. Qeveria shqiptare, siguroi Kryeministri Berisha, është e gatshme t’i ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, e cila ka një pozicion gjeografik kyç në Ballkan dhe Europë.

Kryeministri Berisha e njohu Presidentin e Kinës me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e vendit, duke theksuar se janë bërë përparime të mëdha në fushën ekonomike, ku vetëm në periudhën Dhjetor 2008- Janar 2009, janë nënshkruar 3.5 miliard dollarë kontrata në fushën e energjisë dhe fusha të tjera.

Duke iu referuar vizitës së tij në Shenzhen, në Parkun industrial të Teknologjisë së lartë, Kryeministri shprehu kënaqësinë që dy nga kompanitë më të mëdha të këtij parku,  Huaway dhe ZTE, kanë zgjedhur të bëjnë Shqipërinë qendër të investimeve të tyre në rajon. Çdo kompani kineze që ka dëshirë të investojë në Shqipëri do të këtë mbështetjen dhe lehtësitë më të mëdha nga qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri Berisha, duke shtuar se qeveria u ka ofruar dhe do t’u ofrojë biznesit kinez troje me një euro për të zhvilluar aktivitetin e tyre ekonomik dhe do të vazhdojë të krijojë çdo lehtësi për ta kthyer investimin e tyre në histori suksesi.

Kryeministri tha se Shqipëria e konsideron Kinën një faktor paqeje dhe stabiliteti në botë. Si mik i Kinës, nënvizoi Kryeministri, “unë kam konsideratën më të lartë për suksesin që Kina ka arritur këto tridhjetë vjet. Askush nuk ka qenë më i suksesshëm në nxjerrjen nga varfëria të qindra miliona njerëzve si qeveria kineze, në këto tre dekada”u u shpreh Kryeministri Berisha.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, z. Hu Jintao, duke i uruar mirëseardhjen, e konsideroi Kryeministrin Berisha një mik të vjetër të popullit kinez. Ju e keni vizituar Kinën disa herë dhe keni dhënë kontribut të madh shumë të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve tona, u shpreh z. Hu Jintao, duke vlerësuar se vizita e Kryeministrit Berisha do të shërbejë si një shtysë e mëtejshme për zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë, si dy vende me një miqësi tradicionale 60 vjeçare. Miqësia e dy popujve tanë, vijoi ai,  përbën një pasuri të vyer për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Presidenti i Kinës theksoi se marrëdhëniet dypalëshe, gjatë  qeverisjes së kryesuar nga zoti Berisha, në katër vitet e fundit kanë marrë një hov të ri. Ai vlerësoi se drejtimi i Kryeministrit Berisha ka ndikuar shumë pozitivisht që këto marrëdhënie të forcohen në interesin më të mirë të të dy palëve. Në këtë kontekst, nënvizoi z. Hu Jintao, kjo vizitë përbën një pikënisje të re historike për zgjerimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës në fushat e ekonomisë, tregtisë së ndërsjellë, shkëmbimeve kulturore etj, një hap i ri i miqësisë sonë në shekullin e 21- të.

Më tej, Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, z. Hu Jintao, tha se forcimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare përbën një prioritet për qeverinë kineze dhe se ai do të inkurajojë biznesin kinez të investonte në Shqipëri. Disa biznese të mëdha kineze kane krijuar besim dhe bashkëpunim të frytshëm me qeverinë shqiptare, si; në fushën e çimentos dhe në fushën e teknologjisë, ku Huaway dhe ZTE kanë eksperienca shumë të mira investimi në Shqipëri, vijoi z. Hu Jintao.

Presidenti i Kinës Jintao shprehu vlerësimin maksimal për reformat e kryera nga qeveria e kryesuar nga Kryeministri Berisha, duke bërë të mundur që Shqipëria të bëhet një vend me rritje të madhe ekonomike.

Në këtë takim, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin e Republikës Popullore të Kinës, z. Hu Jintao, për një vizitë në Shqipëri, duke theksuar se ai do të gjejë mikpritjen dhe ngrohtësinë e një populli mik si populli shqiptar. Presidenti i Kinës Jintao pranoi me kwnaqwsi ftesën dhe premtoi se do ta vizitonte shumë shpejtë Shqipërinë.


20/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›