Kryeministri Berisha: Qeveria, vullnet të hekurt për një ndarje shumë më të mirë të të gjitha burimeve dhe të ardhurave, me qeverisjen vendore
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në konferencën e organizuar nga USAID në Tiranë, për Decentralizimin Fiskal. Të pranishëm në këtë konferencë ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Aleksandër Arvizu, Drejtori i ri i USAID-it për Shqipërinë zoti Jim Barnhart, Drejtori i projektit të USAID, Kryetari i Shoqatës së Bashkive të vendit dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Lulëzim Basha, ministra të kabinetit qeveritar, drejtues të tjerë të bashkive dhe komunave të vendit, etj.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për USAID-in dhe ambasadën amerikane në Tiranë, për përzgjedhjen e kësaj tematike të një rëndësie nevralgjike për përmirësimin e qeverisjes së vendit në tërësi. Ai vlerësoi se gjatë këtyre viteve janë bërë hapa seriozë në drejtim të decentralizimit, duke theksuar të gjithë qeveritarët vendorë në mbarë vendin, kanë qenë luajalë dhe efecient, në një partneritet të shkëlqyer me qeverinë qendrore.
Kryeministri shprehu vullnetin e hekurt të qeverisë së tij për të bërë bashkërisht me pushtetin vendor një ndarje shumë më të mirë të të gjitha burimeve dhe të ardhurave të vendit, si një nga objektivat më madhorë të qeverisë, sot e në vitet në vazhdim. Në këtë drejtim, Kryeministri mbështeti propozimet e platformës së mbështetur nga USAID për bashkë-ndarjen e taksave, të përcaktuara me qeveritë vendore, duke qenë i vendosur dhe i bindur se kjo është rruga e vetme për të bërë gjithnjë e më real decentralizimin në tërësi.
Më tej, Kryeministri u ndal në 2 elementë thelbësorë që kanë nevojë për përmirësim në këtë proces të funksionimit të qeverisjeve vendore; mbledhja e taksës së biznesit të vogël dhe taksës së pasurisë. “Taksa e biznesit të vogël, e cila i kaloi në tërësi qeverisë vendore, për fat të keq nuk mund të themi se ishte një histori suksesi”, u shpreh Kryeministri, ndërsa nënvizoi se kjo taksë, në të gjitha përllogaritjet mblidhet në jo më shumë se 60 për qind të saj.
Duke iu referuar mbledhjes së taksës së pasurisë, që në vende të zhvilluara përbën një nga burimet më të fuqishme të të ardhurave në qeverisjet vendore, Kryeministri tha se në Shqipëri, për fat të keq, të ardhurat nga kjo taksë janë jashtëzakonisht rudimentare. “Në të gjitha hapat dhe përcaktimet tona, të vetmen gjë që nuk duhet të pranojmë është dështimi dhe dobësimi i disiplinës fiskale dhe mbledhjes së të ardhurave”, theksoi Kryeministri.
Në fjalën e tij të plotë, në këtë konferencë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, zoti Ambasador, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë ambasadës suaj, USAID-it për përzgjedhjen e kësaj tematike të një rëndësie nevralgjike për përmirësimin e qeverisjes së vendit në tërësi, por edhe në përmirësimin e qeverisjes të çdo qytetari në veçanti, në këtë vend.
Decentralizimi është pa mëdyshje një nga parimet themelore të demokracisë dhe të funksionimit të saj. Në këtë kontekst, konsolidimi i këtij procesi dhe avancimi i tij është domosdoshmëri madhore, në mënyrë që qytetarët shqiptarët të kenë një qeverisje më të mirë, të kenë shërbime më të mira dhe taksat e tyre të përdoren në mënyrë më eficiente.
Gjatë këtyre viteve janë bërë hapa seriozë në këtë drejtim dhe unë dua të shpreh një falënderim të përzemërt, të gjithë qeveritarëve vendorë në mbarë vendin, pasi kanë qenë luajalë dhe efecient, në një partneritet të shkëlqyer me qeverinë qendrore. Ata e dinë se 6 vite më parë, buxheti, granti që qeveria qendrore parashikonte për qeveritë vendore ishte gjithsej 7 miliardë lekë. Ky grant është rritur disa herë dhe kjo, jo si një mëshirë apo mirësi e qeverisë qendrore. Kjo ishte një domosdoshmëri, sepse rrugë të tjera për zhvillimin e vendit nuk kishte përveç kësaj. Ju, qeveritë vendore, keni dëshmuar gjatë këtyre viteve se jeni investitorë të shkëlqyer, efecientë dhe bashkëpunimi me ju është kusht për qeverinë qendrore në realizimin e projekteve të saj.
Unë gjithashtu jam optimist për këtë projekt, sepse gjatë viteve të fundit me USAID ne kemi ndërmarrë disa nga projektet më të mëdha, më të rëndësishme më transformuese të këtij vendi. Dhe ato janë sot histori të vërteta suksesi, qoftë në përmirësimin e klimës së biznesit, në administrimin fiskal, në prokurimet publike dhe në shumë fusha të tjera.
Të nderuar zotërinj qeveritarë vendorë,
Dua t’ju garantoj këtu për vullnetin e hekurt të qeverisë sime për të bërë një ndarje së bashku shumë më të mirë të të gjitha burimeve dhe të ardhurave të vendit. Dhe ky do të jetë një nga objektivat më madhorë të qeverisë sot e në vitet në vazhdim. Unë besoj se kjo ndarje do t’u shërbejë më shumë qytetarëve shqiptarë, do ta bëjë procesin në tërësi më eficient. Ndaj mbështes plotësisht propozimet e kësaj platforme për bashkë-ndarjen e taksave, të përcaktuara me qeveritë vendore, duke qenë i vendosur dhe i bindur se kjo është rruga e vetme për të bërë gjithnjë e më real decentralizimin në tërësi.
Nuk mund të mos ndalem këtu në 2 elementë thelbësor që duhet t’i mbajë parasysh:
Taksa e biznesit të vogël, e cila i kaloi në tërësi qeverisë vendore, për fat të keq nuk mund të themi se ishte një histori suksesi. Do të doja shumë ta shpallja si të tillë, por ajo, në të gjitha përllogaritjet mblidhet në jo më shumë se 60 për qind të saj.
Është një taksë tjetër themelore për qeveritë vendore, të cilat ligji ua njeh tërësisht atyre dhe vetëm atyre dhe kjo taksë është taksa e pasurisë. Në vendet e zhvilluara kjo përbën një nga burimet më të fuqishme të të ardhurave në qeverisjet vendore, kurse në Shqipëri, për fat të keq, të ardhurat nga kjo taksë janë jashtëzakonisht rudimentare. Dua t’ju kujtoj se jo larg, në Evropën Qendrore, por vetëm 200 km nga Tirana, në qytetin e Pejës, ajo bashki siguron nga taksa e pasurisë 18 për qind e të ardhurave të saj.
Shtrova këto dy probleme, të cilat duhet të adresohen, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për një vend të lirë sesa një administrim i konsoliduar fiskal dhe decentralizmi nënkupton një përmirësimin tërësor të administrimit fiskal në tërësi. Ndaj dhe në të gjitha hapat dhe përcaktimet tona, të vetmen gjë që nuk duhet të pranojmë është dështimi dhe dobësimi i disiplinës fiskale dhe mbledhjes së të ardhurave. Dëmi i saj është i shumëfishtë. Nuk është vetëm mungesa e fondeve në buxhet, por në të gjitha rastet ai është një atak i rëndë për lirinë ekonomike.
Edhe njëherë, dua t’ju garantoj se qeveria mbetet e vendosur në këtë drejtim. Ju e dini që në vitin 2008 ne arritëm në një marrëveshje me ju për kalimin në pushtetin vendor të 6 taksave. Ajo marrëveshje nuk u respektua jo nga qeveria, por nuk u respektua nga ata të cilët, unë mendoj se, se ishin më të interesuar se çdo gjë tjetër për atë paketë decentralizuese. Por më mirë vonë se kurrë. Le t’i rikthehemi përsëri e të përcaktojmë një bashkëndarje të të ardhurave në nivel kombëtar. Unë kam besim të plotë se ato ju do t’i përdorni në mënyrën më eficiente, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.
Duke përfunduar ju falënderoj shumë, zoti drejtor i USAID, zoti Ambasador, zoti drejtor e Projektit të USAID, për trajtimin e këtij problemi shumë të rëndësishëm dhe ju ftoj të vazhdojmë përsëri tema të mëdha të qeverisjes vendore, siç është psh; partneriteti publik privat, një potencial shumë i madh në duart tuaja, të këshillave bashkiakë, të kryetarëve të bashkive, me të cilin vërtete mund të arrijmë të shënojmë një diferencë shumë të madhe në performancën tërësore dhe në zhvillimin e bashkive dhe komunave tona. Faleminderit shumë.
04/10/2012