Kryeministri Berisha: Me privatizimet synojmë shfrytëzimin sa më eficent të potencialeve të vendit, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë
Vendimi për miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit të tenderit për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol, sha, Patos, u cilësua nga kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të qeverisë, si një zhvillim shumë i rëndësishëm në thellimin e mëtejshëm të reformave ekonomike nga kjo qeveri, e cila ka si përcaktim kryesor privatizimin. Duke iu referuar rastit konkret, Kryeministri theksoi se”ky privatizim synon para së gjithash dhe mbi të gjitha rritjen, e eficencës eksploruese të vendit duke e koncesionuar këtë në një kompani private.”
Si përgjigje ndaj qëndrimeve që mbartin mendësi të së shkuarës, përsa i përket koncesioneve dhe kompanive private, kryeministri ritheksoi se qeveria ka si qëllim shfrytëzimin e potencilaleve të vendit, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. “Në të gjithë këtë proces ka një qëllim madhor, pasuritë e fjetura të nëntokës të shndërrohen në vlera monetare dhe punësimi për qytetarët shqiptarë.” u shpreh kryeministri.
Në këtë kontekst, Kryeministri qartësoi për qytetarët se privatizimet nuk synojnë tjetër veçse shfrytëzimin sa më eficent të pasurive, në mënyrë që ti kthejë në vlera reale për ta “Unë i garantoj qytetarët shqiptarë se e tëra do të kthehen në mirësi për ta dhe kur the mirësi nuk kam parasysh një fjalë të ëmbël pa substancë, por kam parasysh rrugë, shkolla për fëmijët e tyre, ujësjellës, kanalizime, kam parasysh kanale vaditëse, kam parasysh mbështetje të fuqishme për fermerët shqiptarë, të cilët po rrisin çdo vit në mënyrën më të admirueshme prodhimin e vendit. E tëra do të përdoret për qytetarët në të katër anët e vendit dhe natyrisht kjo është një lajm i mirë për çdo qytetar shqiptar.”, u shpreh kryeministri.
Në komentin mbi këtë vendim, kryeministri Berisha u shpreh:
“Kjo mbledhje ka si kryefjalë tw saj vendimin, me të cilin Këshilli i Ministrave, bazuar në propozimin e komisionit të vlerësimit të ofertave të Albpetrol dhe sugjerimin e qartë të konsulentit të privatizimit të kompanisë Albpetrol, firmës së madhe dhe të njohur në botë Pattern Bogs, shpall fitues kompaninë me ofertën me te mire “Vetro Energy”, me një vlerësim prej 97.79 pikë, nga kwto 22, 79 pikë oferta teknike dhe 75 pikë oferta financiare, oferte kjo siç është bërë publike me 850 milion euro.
Kjo përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm në thellimin e mëtejshëm të reformave ekonomike nga kjo qeveri, e cila ka si përcaktim kryesor privatizimin. Ky privatizim synon para së gjithash dhe mbi të gjitha rritjen, ne rastin konkret te eficencës eksploruese të vendit duke e koncesionuar këtë në një kompani private.
Dhe njëherë për ata, të cilët u servirin shqiptarëve mendësitë e të shkuarës, qëndrime dogmatike dhe me shumë se kaq, lidhur me koncesionet dhe kompanitë private, dua tu rikujtoj shqiptarëve se, në këtë kontratë, në këtë koncesion dhe në çdo koncesion tjetër, qeveria i jep të drejtën e shfrytëzimit, në mënyrë që, në rastin konkret nafta, eventualisht gazi që mund të jetë i fjetur në nëntokën shqiptare, të mund të nxirret dhe të kthehet ne vlerë për qytetarin shqiptar.
Në një vend të lirë, në ekonomi të lirë tregu, të gjitha fitimet për qytetarët, ndaj çdo produkti të nxjerrë nga nëntoka, qoftë naftë, gaz , krom, hekur, nikel, bakër flori, platin, çfarëdo që të jetë, cilido që ta nxjerrë, qofte kompani shtetërore apo private në emër te qytetarëve merr atë çka merr nga tatimi mbi këto produkte, pra merr TVSh, merr rentën, merr tatimin mbi të ardhurat personale, merr tatim fitimin.
Natyrisht këto të ardhura për qytetarët janë aq herë më të mëdha sa më i madh te jetë nxjerrja e këtyre aseteve, e këtyre pasurive nga nëntoka. Ato do të jenë 5 herë më të mëdha në rast e do të nxirret 500 mije ton, sesa na rastin kur nxirren 100 mijë ton, pra gjithçka këtu është në interesin absolut më të mirë të qytetarëve shqiptarë, të cilët në këtë proces do të kenë mundësi të kenë të ardhura më shumë për shkolla, për spitale, për ujë , për kanalizime, për vaditje , për rroga , pensione, etj. Duhet të theksoj dhe dy momente shumë të rëndësishme.
Nafta në Shqipëri, gjatë këtyre 22 viteve të fundit dhe më gjatë nuk ka njohur burime të reja dhe kjo jo se nuk janë bërë shpime, e vërteta është se shpime janë bërë, sidomos në det, nga gjigandët më të mëdhenj të naftës. Natyrisht shpime ka bërë dhe Albpetrol, por që të gjitha nuk kanë qëmtuar në burime të qenësishme të reja. Kjo nuk do të thotë se nëntoka jonë nuk mban sasi të mëdha nafte dhe gazi, por do të thotë se 20 vjet eksplorime, nuk kanë patur ndonjë sukses të lakmueshëm. Privatizimi bën që koncesionari, i cili e ka këtë të drejtë për 25 vjet dhe që e vërteta është që kjo e drejtë për nxjerrje i është dhënë Benkers dhe dy tre kompanive të tjera, por Benkers është më shumë se të tjera, por për blloqet kur nuk nxirret ka një të drejtë të tillë për 5 vjet dhe ne qoftë se brenda 5 viteve koncesionari nuk licenson kompani shpimi, ato blloqe automatikisht dalin nga marrëveshja me te dhe i kalojnë institucioneve përkatëse publike. Në të gjithë këtë proces ka një qëllim madhor, pasuritë e fjetura të nëntokës të shndërrohen në vlera monetare dhe punësimi për qytetarët shqiptarë.
Të njëjtën gjë kemi bërë me HEC, Ujërat e dy të tretave prej tyre derdheshin në det, pa asnjë lloj shfrytëzimi. Sërish në këto raste ne marrim taksa, siç marrim taksa sot nga KESH, kur ai ka mundësi. Kështu që kemi të bëjmë me një reminishencë, me një nostalgji arkaike të kohërave të shkuara, kur Shqipëria paçka se qytetarët e saj zbrisnin çdo vit e më thellë në pusin e mjerimit, zotohej se këtu nuk do të mund të ketë kapitalist shfrytëzues. Por ka një aspekt të dytë, kjo shitje e të drejtës së kërkimit dhe shfrytëzimit kërkon një të ardhur shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Ne nuk kemi parashikuar në buxhet, qoftë dhe 1 qindarkë të vetme nga privatizimet, sepse ne i qëndrojmë buxhetit me disiplinën tonë dhe reforma të tjera ekonomike dhe ju i dëgjuat fjalët, vlerësimet që bëri dje FMN , pas dy javësh qëndrimesh në Shqipëri. Ju e dëgjuat deklaratën e tyre se Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka recension. Për sa i përket problemit të rritjes, është në natyrën e Fondit që gotën e sheh gjithnjë gjysëm bosh. Prandaj e vërteta është se të gjitha parashikimet e tyre për rritje ekonomike në Shqipëri janë detyruar ti axhustojnë në fund nga rezultati, por ata këtë platformë kanë të tyre. Sidoqoftë vlerësimet e tyre ishin objektive, realiste dhe ajo është një partner ndër më seriozet e qeverisë shqiptare. Nuk ka ndonjë qeveri tjetër që të ketë një histori bashkëpunimi 22 vjeçare siç ka kjo qeveri me Fondin Monetar Ndërkombëtar, falënderoi misionin e tij për punën e madhe që bëri këto dy javë dhe idetë dhe mendimet e vyera që përcolli në misionin e tij të çmuar.
Por kthehemi tek privatizimi. Natyrisht kjo shumë është shumë e dobishme dhe unë i garantoj qytetarët shqiptarë se e tëra do të kthehen në mirësi për ta dhe kur the mirësi nuk kam parasysh një fjalë të ëmbël pa substancë, por kam parasysh rrugë, shkolla për fëmijët e tyre, ujësjellës, kanalizime, kam parasysh kanale vaditëse, kam parasysh mbështetje të fuqishme për fermerët shqiptarë, të cilët po rrisin çdo vit në mënyrën më të admirueshme prodhimin e vendit, pra nuk shkon në asnjë qindarkë për shpenzime të administratës. Jo, e tëra do të përdoret për qytetarët në të katër anët e vendit dhe natyrisht kjo është një lajm i mirë për çdo qytetar shqiptar.
Qeveria ka ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë , por janë jo të paktë ata qytetarët tanë që për të dalë në këtë rrjet rrugor duhet të përplasen pas gropave apo të ecin nëpër rrugë të këqija nga fshati i tyre apo nga lagjja e tyre dhe ne jemi të zotuar kudo që do të ndërtojmë rrugë të asfaltuara. Ne do të bëjmë që shqiptarët të ecin kudo njësoj si evropianët nëpër rrugët më të mira. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 71 % të shkollave të vendit. Sot po ktheheshim nga ura vajgurore. E pyeta kryetarin e bashkisë se sa kanë mbetur për tu ndërtuar dhe ai mu përgjigj se ka mbetur një kat i një shkolle për tu ndërtuar dhe një tjetër pothuajse e përfunduar në ndërtim. Ky është një tregues i bashkëpunimit të qeverisë me pushtetin vendor, sepse ai kryetar është interesuar për arsimin. Ai është socialist, por i interesuar në mënyrë persistente për arsimin. Kryetari i tij i madh i ka lënë nxënësve të Tiranës, kushte të mjera. Një ditë doja të shkoja tek shkolla e mbesave të mija, por nuk shkova dot se klasat ishin me nga 40 nxënës dhe kjo sepse kryetari nuk gjente troje, pasi trojet i kishte për kupolat, për Fidelët e partisë. Dhe tani në Tiranë ne jemi më problematikë se në çdo qytet tjetër të vendit. Unë e përgëzoj tani bashkinë për punën që ka bërë , ajo ka filluar tenderimet për ndërtimin njëherësh të 10 shkollave sepse situata u dorëzua emergjente, për një njeri që mund të thuhet se ka një alergji të lindur ndaj arsimit. Ai ka patur probleme shumë serioze personale me arsimin dhe po ta ndiqni ju vetëm fjalën mësues nuk e shqipëron ndonjëherë. Pra merret ky vendim shumë i rëndësishëm dhe ky fond do të jetë një fond që do të shndërrohet në një mirësi konkrete për të gjithë qytetarët shqiptarë nga Vermoshi në Konispol, do ti shërbejë të ardhmes më të mirë të tyre, do tu shërbejë që ata të kenë kushte jete me të mira, infrastrukturë më të mirë dhe mundësi punësimi më të mëdha.
03/10/2012