E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron gjimnazin e ri “Ibrahim Hasmema” në komunën Petrelë

Kryeministri Berisha inauguroi sot gjimnazin e ri “Ibrahim Hasmema”, në Komunën Petrelë në Tiranë. Godina e re është një investim që kap vlerën e rreth 76 milionë lekë dhe ka një kapacitet prej 420 nxënësish e pajisur me laborator informatike, kimie, kabinet biologjie e matematike dhe të gjitha mjediset ndihmëse për mësuesit, personelin administrativ dhe ato hidro-sanitare.

Kryeministri Berisha gjatë vizitës në këtë shkollë u shpreh se shkolla e re ka një infrastrukturë të brendshme të shkëlqyer, me pajisjet ndër më modernet ashtu siç i ka çdo shkollë evropiane. Duke u ndalur tek zhvillimet në arsim, kryeministri ka evidentuar edhe njëherë sukseset që ka shënuar qeveria shqiptare nga viti 2005 e këtej, duke dyfishuar rrogat e mësuesve, duke ndërtuar dhe rindërtuar shkollat, të cilat më pas kanë sjellë përmirësimin e kushteve të mësimdhënies. Tashmë, tha kryeministri nuk ka klasa me nga 50 nxënës ashtu siç ishin disa vite më parë.

Kryeministri Berisha theksoi se, qeveria ka shpallur si kryefjalë të programit të saj, projektin për shkollim modern të fëmijëve tanë. “Në vizionin tonë për arsimin, - tha Kryeministri Berisha, - ne kemi bërë gjithçka që shkollat tona të kenë pajisje moderne. Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla” .
Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi faktin se një vëmendje të veçantë nga qeveria ka marrë gjatë këtyre viteve edhe sistemi universitar. “Nëse në vitin 2005 ne kishim 12 student për 1 mijë banorë, sot kemi mbi 50 studentë për 1 mijë banorë. Ne kishim 52 mijë student në shkollat tona të larta sot kemi mbi 162 mijë studentë në shkollat tona të larta”, u shpreh kryeministri Berisha.

Duke marrë shkas nga tema që kishin përzgjedhur nxënësit e kabinetit të informatikës “Europa dhe integrimi Europian”, Kryeministri Berisha ka kritikuar qëndrimin bllokues të opozitës dhe kryetarit të saj Rama të proceseve integruese të vendit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Berisha tha se opozita shqiptare është e vetmja opozitën në rajon dhe Europë, që ka bërë përpjekjet primitive për të bllokuar ecjen e vendit të tij drejt Europës. Gjithashtu Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje dhe njëherë kryetarit të opozitës Rama, që të mos shkelmojë ëndrrën evropiane të të rinjve shqiptarë, sepse kjo është ëndrra më fisnike, kjo është ëndrra e të gjithë shqiptarëve nga rilindasit deri më sot.

Kryeministri Berisha iu ka premtuar të rinjve shqiptarë se ai do të vazhdojë me ta dialogun për Evropën, dhe se do të bëjë gjithçka që atë ëndërr të bukur ta bëjnë realitet.
 Në një komunën e Petrelës me 7500 banorë qeveria ka investuar mbi 10 milionë dollarë. Janë   ndërtuar 40 km rrugë, 4 shkolla e kopshte, 6 sisteme ujësjellësa e kanalizime, 5 qendra shëndetësore ndërsa në bujqësi  subvencionet për fermerët janë rritur me 22 herë. Ndërsa investimet në Qarkun e Tiranës në këto vite janë  ndërtuar 950 km rrugë, janë ndërtuar e rikonstruktuar108 sisteme ujësjellësish e kanalizime, 86  qendra shëndetësore e poliklinika e spitale, 103 shkolla e kopshte . Ne energjetikë janë investuar 63 milion Euro në përmirësimin e rrjetit elektrik dhe në bujqësi e blegtori janë  financuar 1500 projekte  duke subvencionuar 1000 ha me ullinj, dru frutorë, serra e  bimë arë si dhe janë mbarështuar mijëra krerë bagëti. Numri i bizneseve të rinj është rritur rreth 2 herë, nga 29  mijë në 57 mijë në vitin 2012.
 
Gjatë fjalës së tij kryeministri u shpreh:

Të dashur nxënës dhe nxënëse të Gjimnazit “Ibrahim Hasmema”

Të nderuar zotërinj,

Së pari ju përshëndes shumë përzemërsisht, shpreh gëzimin tim të madh që ndaj me ju sot në inaugurimin e këtij gjimnazi të ri, për nxënësit dhe nxënëset e Komunës Petrelë.

Shpreh gjithashtu urimin tim më të përzemërt, për ju nxënës dhe nxënëse, për mësueset dhe mësuesit tuaj, për prindërit dhe familjarët tuaj. Sot për të gjithë ju, për të gjithë komunitetin është një ngjarje e veçantë, keni ditën e parë në një ndërtesë të bukur, me një infrastrukturë të brendshme të shkëlqyer, me pajisjet ndër më modernet dhe ju garantoj se ky gjimnaz qëndron me dinjitet në çdo komunë të çdo vendi ndër më të zhvilluarit e Europës.

Ky gjimnaz është një shprehje tjetër e vizionit tonë për arsimin, për edukimin e fëmijëve tanë. Ne jemi të bindur se vendimtare për një të ardhme të ndritur që ne meritojmë para së gjithash është shkolla dhe shkollimi i fëmijëve tanë, niveli dhe cilësia e tij. Ne besojmë se çdo hap, se çdo arritje, çdo sukses në këtë fushë është hap, është arritje drejt dijes, drejt dritës, drejt punësimit, drejt një mirëqenie dhe të ardhmeje tjetër që meritojmë.
Të dashur nxënëse dhe nxënës

Shkollat, me njohuritë që ju japin ju mësuesit dhe mësueset tuaja, ju japin juve në çdo orë mësimi, por dhe me vlerat e mëdha morale që ju mbruajnë ju sëbashku me prindërit dhe familjarët tuaj, përbën për ju një arritje të jashtëzakonshme, përbën për ju dhe moshën tuaj, një aset e një vlerë që do ju shërbejë për gjithë jetën. Njeriu i shkolluar ka shanse shumë herë më të mëdha sesa ai që mbetet pa shkollë, qoftë në punësim, qoftë në mirëqenie, qoftë në shoqëri.

Ndaj dhe ne kemi shpallur si kryefjalë të programit tonë, përpjekjen për një shkollim modern të fëmijëve tanë. Kjo përpjekje ka qenë dhe mbetet ndër më të kushtueshmet , por kjo përpjekje është e vlefshme për çdo çmim që mund të paguhet. Pikërisht se në i besojmë këtij vizioni, ne në një hark kohor 6 vjeçar, kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla në mbarë vendin. Ishte kënaqësi për mua, kur dje kryetari i bashkisë së Urës Vajgurore në Berat, më informoi se nga të gjitha shkollat e territorit të saj, kishte mbetur tërësisht pa përfunduar në ndërtim apo rikonstruktuar një kat në një nga shkollat 9-vjeçare dhe një pjesë e vogël e gjimnazit të Urës Vajgurore, të gjitha të tjerat ishin të reja ose të rindërtuara, të njëjtën gjë më njoftoi edhe kryetari i bashkisë së Krumës. Pasi inauguruam një shkollë të bukur, e pyeta sesa kanë mbetur në Has nga shkollat e vjetra. Më tha vetëm njëra por tenderi është hapur dhe do të fillojë ndërtimi së shpejti. Pyeta kryetarin tuaj të nderuar, në shkollat e Komunës suaj, sa kanë mbetur pa ndërtuar dhe rindërtuar? Më tha se nga 9 shkolla kanë mbetur vetëm njëra edhe atë e garantoj se shumë shpejt do ta rindërtojmë.
Të dashur nxënës dhe nxënëse,

Ne duam që ju të uleni me dinjitet në klasa dhe shkolla të reja, që ju të mësoni me pajisjet, laboratorët më të mira. Në orën e biologjisë, unë gjeta mësuesen tek ju demonstronte spiralin e ADN-së, në një ilustrim të shkëlqyer dhe natyrisht me video projektor për të konkretizuar strukturën e asaj substance mbi të cilën ngrihet qenia e gjallë e njeriut dhe të gjitha qeniet e tjera të gjalla. Në vizionin tonë për arsimin, ne kemi bërë gjithçka që shkollat tona të kenë pajisje moderne. Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë në projektin tonë të parë.

Të dashur fëmijë,

Ju garantoj se në vitin 2005 kur ne shpallëm këtë nisëm, kanë qenë jo të paktë ata që e përqeshën dhe unë arsyetoja me ta, sepse kishte raste që edhe mësues më thanë se: ju flisni për internet, ne i kemi klasat me 50 nxënës, për ne kjo është një orë tërësisht jo normale, nxënësit nuk kanë ku të ulen në banka, këtë do më thonin mua mësuesit e zonës sime elektorale në Kavajë dhe ashtu ishte, por ne ishim të vendosur të ecnim paralelisht në shumë drejtime dhe sot kam kënaqësinë që në mbarë shkollat e vendit, klasat janë me 25-30 nxënës. Përjashtim bën për fatin më të keq, kryeqyteti i vendit, jo se ne nuk i dhamë fonde kryeqytetit, ne i dhamë kryeqytetit dy herë e gjys më shumë se bashkisë së Kamzës, e cila kur erdhëm në pushtet i kishte shkollat me tre turne, me orë 30 minutëshe dhe klasat me 50 nxënës. Por bashkia Kamëz gjatë këtyre viteve ka ndërtuar 13 shkolla, kurse bashkia e Tiranës gjatë këtyre viteve ka ndërtuar gjithsej 7 shkolla, pra duke mos shfrytëzuar dot as gjysmën e fondeve që ne i dhamë atyre. Po pse nuk i shfrytëzoi dot do të thonit ju, që Tirana ka potenciale ndërtuese më të mëdha se e gjithë Shqipëria të marrë sëbashku, sepse nuk i linte babëzia, nuk i linte lakmia. Por të dashur fëmije, sepse jam shumë i lënduar kur mendoj se nxënësit në kryeqytet ulen nga 40 – 45 vetë në klasë dhe kjo për shkak të trojeve, sepse zoti kryetar trojet jua linte pallateve 25-35 katëshe dhe jo shkollave. Ju nuk keni nevojë për shkolla 35 katëshe, ju keni nevojë për shkolla funksionale, por edhe kjo do të marrë përgjigje. Qytetarët e Tiranës folën dhe tani kam kënaqësinë t’ju informoj se stafi i ri i bashkisë ka filluar tenderimin e 10 shkollave të reja në kryeqytet, të cilat do të normalizojnë mësimdhënien.

Në vizionin tonë për arsimin, për Shqipërinë e dijes, në një epiqendër kemi këta zonja dhe zotërinj fisnikë, mësuesit, që ne ju besojmë edukimin e fëmijëve tanë, dhe në respekt ndaj tyre, në respekt ndaj rolit të tyre, misionit të tyre, ju them ju si në asnjë vend tjetër të Europës, ne ia kemi dalë të rrisim rrogat në 120-në 140%, sipas kategorive dhe sot mësuesit që merrnin nga arsimi parashkollor deri në shkollat e mesme nga 200 mijë deri në 270 mijë lekë, marrin sot nga 500 mijë deri në 570 mijë.
Ne 6 vite më parë gjetëm një arsim në rrënim dhe këtë e them me dhimbje të madhe. Po pse ishte në rrënim arsimi? Arsimi ishte në rrënim sepse shkollat rrënoheshin, sepse shkollat ishin bërë të pa përdorshme. Po pse ishte në rrënim arsimi? Sepse mësuesit paguheshin me një rrogë me të cilën nuk përballonin dot jetën dhe bënin gjithçka që ato të punësoheshin në sektorë të tjerë për të mundur që të siguronin një jetë më të mirë. Pse ishte në rrënim arsimi? Sepse nxënësit e shkollave 9-vjeçare, në një përqindje të madhe nuk ndiqnin shkollat e mesme. Ndërsa vogëlushët një përqindje e tyre nuk po shkonin më në klasat e para dhe mbi të gjitha të dashur gjimnazistë dhe gjimnazistë, ëndrra juaj më e bukur, për të qenë intelektual të këtij vendi, ëndrra juaj e diplomës universitare, ishte seleksion, atë e kishin vetëm një kategori e caktuar dhe për fat të keq  zoti Ministër i Arsimit duhet ti shfaqim pak ato konkurset që bëheshin nëpër stadiume ku hyrjet në universitet ishin një panair i shëmtuar i korrupsionit. Çfarë bëmë ne? Këtu e nisëm. Ku jemi ost ne?! Sot në raport me vendet më të zhvilluara qëndrojmë shumë lart për numrin e nxënësve që ndjekin shkollat e mesme, 92 % e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasat e nënta, ndjekin shkollat e mesme. Çfarë bëmë ne? Ndoqëm një praktikë të re për universitet, vendosëm të hapim dyert, t’ju japim ju të dashur nxënëse dhe nxënës mundësinë të provonit të realizonit ëndrrën tuja më të bukur te jetës ëndrrën universitare.Nëse në vitin 2005 ne kishim 12 student për 1 mijë banorë, sot kemi mbi 50 studentë për 1 mijë banorë. Ne kishim 52 mijë student në shkollat tona të larta sot kemi mbi 162 mijë studentë në shkollat tona të larta.
Ju them atyre zotërinjve, që e qortojnë këtë politike: juve ju kanë mbetur kopjet e kohës së vjetër kur universiteti ndiqej me një përzgjedhje dhe shumica dërrmuese e të rinjve nuk kishin mundësi të realizonin ëndrrën e tyre universitare, ajo kohë ka marrë fund. Sot është e faktuar se ata që mbarojnë universitetin, kanë shanse punësimi 2 deri 4 herë më të mëdha se të tjerët. Sot është e faktuar se ata që mbarojnë universitetin, garantojnë një rrogë për vete dhe të ardhura për familjen e tyre rreth dy herë më të mëdha se të tjerët, ndaj dhe dyert e universiteteve tona do të jenë të hapura për të rinjtë dhe te rejat që do të bëjë realitet ëndrrën e tij intelektuale, ëndrrën e tij universitare.

Të dashur nxënës dhe nxënëse

Mësues dhe mësuese

U preka shumë tek po vizitoja kabinetin e informatikës. Maturantja që ishte në klasë kishte zgjedhur si temë , “Europa dhe integrimi Europian”, pra kishte zgjedhur si temë, ëndrrën më të bukur të shqiptarëve. Ëndrra jonë Europiane, është një ëndërr e kahershme e rilindësve tanë. Ju që keni pasion letërsinë dhe lexoni veprën doktrinare të Sami Frashërit dhe rilindësve të tjerë, pasi vendi kishte qenë shekuj në një perandori lindore, ata donin me çdo kusht që vendi të kthehej në origjinën e tij perëndimore, ndaj dhe çdo projekt e bënin drejt Europës.

Të dashur nxënës,

E vërteta është se ne jemi ndër kombet më të vjetra të Europës, por nuk mund ta mohoj se 20 vjet më parë, mësuesit dhe prindërit tuja e dinë, ne jo që ishim ndër më të varfërit në Europë, por ne sëbashku me Angolën dhe Ugandën ishim vendi i tretë më i varfër i planetit dhe jo në vitin ’90, por në vitin 2001. Në atë vit në një sallë të parlamentit Evropian, një gazetar i shquar që tashmë ishte bërë deputet, tek po paraqitej rasti i Shqipërisë, u ngrit dhe tha: ç’na duhen ne këta, këta ujë s’kanë, drita nuk kanë, rrugë nuk kanë etj dhe nuk gënjeu, tha të vërtetat megjithëse ishin të hidhura. E vërteta është se ujë nuk kishte, ne notonim në ujra por ujësjellësa nuk kishim ose kishim shumë pak. E vërteta është se dritat priteshin nga 8 deri në 16 orë në ditë, e vërteta është se rrugët tona ishin ndër rrugët më të shkatërruara të planetit. Ky zotëri, tha në një sallë një gjë të vërtetë për ne dhe ne vërtet nuk do të mund të afroheshim me Europën nëse nuk do të ndërtonim Europën këtu. Po ç’kemi bërë gjatë këtyre viteve? Gjatë këtyre viteve ne kemi ecur me shpejtësi kundrejt saj, sot ne kemi disa nga treguesit më kryesorë të vendeve të zhvilluara, nuk jemi ende një vend i zhvilluar por kemi ecur me shpejtësi drejt tyre. Sot në tërësi Shqipëria është vendi që ka ruajtur rritje ekonomike 4 herë më të madhe se vendet e Rajonit. Sot për Shqipërinë thuhet në Bruksel, se ka ndërtuar rrugë më shumë se të gjitha vendet e rajonit vitet e fundit, se po ndërton një sistem shkollor ndër më modernët, se ka arritur tregues shumë të rëndësishëm në sistemin arsimor, por prapë ne kemi një problem, problem që se pati asnjë vend tjetër, as Beogradi, as Podgorica, as Shkupi, as edhe një vend në Europë.

Një kryetar opozite, i cili ka bërë të vetën përpjekjen primitive për të bllokuar ecjen e vendit të tij drejt Europës dhe ka bërë të vetën idenë primitive, se ai bëhet i rëndësishëm duke bllokuar. Ka bërë të vetën analizën primitive se ai në këtë mënyrë dëmton qeverinë dhe afron veten në pushtet, se dëmton qeverinë apo veten e tij, këtë e faktuan zgjedhjet e 8 majit. Ti i nderuar zotëri dole para shqiptarëve dhe deklarove se nuk do të pengojmë më reformat për integrimin e vendit në Europë dhe i tregon ato çdo ditë.

Të dashur nxënës,

Çdo ditë, ndiqni komisionin e ligjeve në Parlament, se si ish ministra e kryeministra të këtij vendi pak vite më parë, ngrihen duke lënë karriget bosh vetëm për të mos votuar ligjet që kërkon Brukseli dhe që janë interesi më i mirë i shqiptareve dhe e bëjnë këtë, sepse gjatë këtij dhjetëditëshi merret vendimi për marrjen e statusit. Kjo është e vërteta.

Zotëria bëri amendamentet për Gjykatën e Lartë dhe tani nuk i voton ato amendamente, kërkon pazare dhe vetëm pazare, por nuk ka pazare me ëndrrën tuaj, nuk ka pazare me parimet e mëdha, nuk ka pazare me integrimin Europian, ai është interesi jetik. Këtu jeni gjimnazistë dhe gjimnaziste të prindërve me bindje të ndryshme politike, por jam i bindur se asnjëri prej prindërve tuaj, nuk ju thotë ju gjë tjetër veçse dëshirës që të marrim statusin dhe të ecim drejt bashkimit Evropian.

Tani dua ti them këtij zotërie: mos shkelmo ëndrrën e të rinjve shqiptarë, sepse kjo është ëndrra më fisnike, kjo është ëndrra e të gjithë shqiptarëve nga rilindasit deri më sot,  por veprimi yt që bën këto ditë duke braktisur votimin e ligjeve, është një veprim i shëmtuar unik, veprim që kurrë një shqiptar nuk mund t’ia lejojë vetes ta bëjë. Çdo ditë proteston pse unë flas me ju të dashur nxënës dhe nxënëse, i them se sot dhe në mënyrë të vazhdueshme dialogun për Evropën do ta kem para së gjithash me ju mbi të gjitha me ju, do të bëjmë gjithçka që atë ëndërr të bukur që ju keni ta bëjmë sëbashku realitet.

Faleminderit!

04/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›