Kryeministri Berisha: Reformat nuk do të njohin ngadalësim në vitin zgjedhor
-Kryeministri u shpreh se për qeverinë dhe për mazhorancën përparësi më madhore mbeten reformat në të gjitha fushat, të cilat nuk duhet të njohin të ndalur pavarësisht se ndodhemi në vit elektoral
Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u shpreh se për qeverinë dhe për mazhorancën përparësi më madhore mbeten reformat në të gjitha fushat, të cilat nuk duhet të njohin të ndalur pavarësisht se ndodhemi në vit elektoral.
“Ju ftoj të vazhdojmë me reforma të thella, për të cilat vendo ka nevojë shumë të madhe. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne si qeveri, si parlament dhe si mazhorancë të vazhdojmë reformat në të gjitha aspektet në mënyrë që Shqipëria të mos njohë ngadalësim për shkak të vitit zgjedhor”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh se ‘ky vit dhe këta muaj kërkojnë që ne të jemi më të vendosur, më aktivë dhe më të shpejtë në mënyrë që zgjedhjet e vitit 2009 të mos ngadalësojnë dhe të mos cenojnë zbatimin e dy projekteve kryesore të shqiptarëve, integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian’.
Duke u ndalur në reformat ekonomike, Kryeministri Berisha u shpreh se ato janë të një rëndësie jetike për vendin dhe qeveria procedon me një seri ligjesh dhe vendimesh që synojnë lehtësimin e të gjitha procedurave për klimën e biznesit dhe investimet.
Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishme edhe reformën në fushën e shëndetësisë, ku theksoi se sistemi shëndetësor u gjet i falimentuar nga fushata elektorale që parapriu ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se reformat duhet të vazhdojnë edhe në Forcat e Armatosura, të cilat janë jetike për konsolidimin e tyre si forca të një vendi anëtar të NATO-s.
Kryeministri Berisha nënvizoi, gjatë fjalës së tij, se reformat kanë si dokument bazë detyrimet që rrjedhin nga raporti i Komisionit Evropian dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. "Raporti përcakton të gjitha arritjet, por edhe fushat ku duhet të punohet më shumë duke përcaktuar të gjitha detyrimet. Në këtë drejtim, unë ju siguroj se qeveria nuk do të ndërpresë për asnjë moment përpjekjet për të jetësuar kërkesat e këtij raporti", u shpreh Kryeministri Berisha.
24/11/2008