Ministri Pollo: “Lufta kundër korrupsionit është një luftë e përditshme, me punë konkrete, me reformim të institucioneve dhe të procedurave të tyre, që PACA tashmë ka realizuar”
Shtyhet deri në fund të vitit 2012 afati i Projektit Kundër Korrupsionit në Shqipëri (anglisht: PACA, Project Against Corruption in Albania).
Në takimin e 7-të Komitetit Drejtues të PACA-s, Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo* tha ndër të tjera në një deklaratë për mediat: “Jemi këtu bashkë me ambasadorin Sequi për projektin PACA, që zgjatet dhe do të punojë më tej me qeverinë shqiptare dhe institucionet e saj. Është një projekt, i cili përqendrohet në luftën kundër korrupsionit dhe siç e dini lufta kundër korrupsionit nuk arrihet vetëm me gjeste dhe ngjarje dramatike, por është një luftë e përditshme, me punë konkrete, me hapje kapilare, me reformim të institucioneve dhe të procedurave të tyre, që ky projekt tashmë ka realizuar. Është një projekt i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, që gjej rastin për t’i falenderuar. Kjo është një luftë që ndoshta nuk njeh një fitore finale, por njeh një avancim konkret e të matshëm dhe besoj që diçka të rëndësishme kemi arritur, dhe në vazhdimin e projektit do të avancojmë edhe më tej, duke përmbushur rekomandimin Nr. 8, të Komisionit Evropian, Luftën kundër Korrupsionit, një nga detyrat tona të shtëpisë, që ne po i realizojmë.”
Ndërsa Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Ambasadori Ettore Sequi u shpreh: “Siç e tha edhe ministri Pollo, lufta ndaj korrupsionit është një aspekt shumë i rëndësishëm për qeveritë. Progresraporti i vitit të kaluar për Shqipërinë theksoi se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por është e nevojshme të adresohen çështje si p.sh: çështja e heqjes së imuniteteve, që nuk duhet të kthehet në një çështje të mos ndëshkueshmërisë.
Ky projekt i financuar nga BE-ja me 2.1 milionë Euro, shtyhet për 10 muaj dhe e rëndësishme është që të mbahet fokusi mbi nevojën e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit.”
Komiteti Drejtues i PACA-s bashkëdrejtohet nga Ministri Pollo dhe Ambasadori Sequi. Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri është një projekt i përbashkët asistence teknike i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës i nisur që nga 1 shtatori 2009 për një periudhë 30 mujore. Projekti zbatohet nga Këshilli i Evropës dhe financohet nga Bashkimi Evropian (94%) dhe nga Këshilli i Evropës (6%).
Objektivi i përgjithshëm i PACA-s është që të kontribuojë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës nëpërmjet parandalimit dhe kontrollit të korrupsionit.
Objektivat specifike të projektit janë:
1) - Të përmirësohet zbatimi i strategjive dhe politikave kundër korrupsionit të qeverisë shqiptare (Strategjia dhe Plan Veprimi Anti-korrupsion 2007-2013) në harmoni me rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL-it dhe me angazhimet e Partneritetit Evropian.
2) - Të kontribuohet për parandalimin e korrupsionit në sektorin e arsimit duke përmirësuar transparencën, llogaridhënie dhe pjesëmarrjen sociale në sistemin arsimor.
* Ministri Pollo është gjithashtu Kryetar i Grupit Ndërministror të Punës për “Strategjinë Ndërsektoriale te Parandalimit, Luftës Kundër Korrupsionit e Qeverisjes Transparente”
29/02/2012