E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: 568 vjet më parë, lindi në Lezhë, parimi i përjetësisë së shqiptarëve, parimi i shenjtë i bashkimit “Një komb, një qëndrim”

-               "Shqiptarët u bashkuan në Lidhjen e Lezhës, qëndruan dhe shkruan kapitullin më të ndritur të së gjithë historisë së tyre kombëtare."

-              "Skënderbeu është shenjtori i lirisë, i trimërisë, i guximit të shqiptarëve, frymëzimi i tyre i përjetshëm për të sakrifikuar për dinjitetin e tyre."

Kryeministri Berisha ishte sot, në qytetin e Lezhës, ku mori pjesë në një sërë veprimtarish festive, me rastin e 568 vjetorit të Kuvendit të Lezhës, të organizuara nga Bashkia e qytetit dhe Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.

Kjo festë, në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë, mblodhi sot në Lezhë personalitete të larta të politikës, historianë, akademikë, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Ishin të pranishëm Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, Zëvendës/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Zoti Edmond Haxhinasto, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, etj. Gjithashtu, merrnin pjesë drejtues dhe përfaqësues të pushtetit lokal në vend, si dhe të komunave dhe bashkive në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Pjesëmarrës në këto festime ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtues të komuniteteve fetare në vend, si dhe shumë miq e dashamirës të Shqipërisë.

Kryeministri Berisha e nisi ditën në qytetin e Lezhës me një vizitë në Bashkinë e qytetit, ku u prit nga Kryetari i saj, zoti Viktor Tushe. Më pas, Kryeministri dhe të ftuarit u drejtuan për tek Obelisku i Besëlidhjes, ku gjatë ceremonisë së zhvilluar atje, u përkujtua nga personalitetet, kjo ditë e rëndësishme në historinë  e mbarë kombit shqiptar.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha shprehu nderimin dhe respektin më të thellë për aktin historik të Kuvendit të Lezhës, duke  e vlerësuar atë, si një akt madhor, frymëzues për shqiptarët, në  vijimësinë e ngjarjeve historike që do të pasonin.

Kryeministri tha se 568 vjet më parë, lindi në këtë qytet, parimi përjetësisë së shqiptarëve, parimi i shenjtë i bashkimit të tyre “Një komb, një qëndrim”. “Shqiptarët u bashkuan në Lidhjen e Lezhës, qëndruan dhe shkruan kapitullin më të ndritur të së gjithë historisë së tyre kombëtare.”  

Kryeministri vlerësoi lart figurën simbol të kombit shqiptar, Skënderbeun, duke  e cilësuar atë si shenjtorin e lirisë, trimërisë, guximit të shqiptarëve dhe frymëzimit të tyre të përjetshëm për të sakrifikuar për dinjitetin kombëtar.

“Shqiptarët kanë tek Skënderbeu, doktrinën e vokacionit të tyre perëndimor, ndaj dhe sot në këtë ditë nderimi më i madh që ne mund tu bëjmë fisnikëve shqiptarë që u mblodhën 568 vjet më parë, nderimi më i madh që mund ti bëjmë prijësit tonë legjendar Skënderbeu është të ndjekim me vendosmëri vizionin e tyre, vokacionin kombëtar perëndimor, të bëjmë gjithçka për të vendosur kombin në BE, të bëjmë gjithçka për të shnderruar Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët, në treva dhe vende të zhvilluara,” tha në përfundim të fjalës së tij Kryeministri.

Më pas, Kryeministri Berisha dhe të gjithë të ftuarit morën pjesë në mbjelljen e drurit të ullirit, si simboli i paqes dhe i besëlidhjes.

Veprimtaritë vijuan më tej, me vizitën në Memorialin  e Skënderbeut, ku Kryeministri Berisha dhe personalitetet e tjera vendosën kurora me lule në varrin e Heroit tonë Kombëtar.

Gjithashtu, të pranishmit ndoqën në Pallatin e Kulturës, Koncertin Festiv “Dita e Besëlidhjes”, dhe në përfundim morën pjesë në drekën e shtruar me rastin e kësaj dite nga Bashkia e Lezhës.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e 568 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur dhe qytetarë dhe qytetare të Lezhës,

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, kudo që ndodheni sot,

Së pari dëshiroj tu përcjell përshëndetjet më të përzemërta, të shpreh nderimin tim të madh, më të thellë, për këtë ditë, e cila shënon në historinë e kombit,  një nga ditët më të veçanta, për këtë ditë, në të cilën Skënderbeu dhe fisnikët shqiptarë, 568 vjet më parë vendosen këtu, në këtë qytet të krijonin shtetin e tyre, të bashkoheshin së bashku për të përballuar fuqinë më të madhe të kohës që kishte fshirë nga harta, shtete dhe perandori të tëra. Le të nderojmë ne sot, Kuvendin e Lezhës, të cilin shqiptarët, më pas do ta titullonin me titullin më të lartë moral të tyre, Besëlidhja e Lezhës, akt në të cilin burrat e këtij vendi, vendosën të përballen për lirinë dhe dinjitetin e trojeve tona me superfuqinë më të madhe të kohës, të qëndrojnë për dekada të pamposhtur, duke u bërë frymëzim i madh, për të gjithë popujt  e tjerë të shtypur të Evropës dhe të botës.

Por ne, nderojmë  sot, në këtë qytet, shpirtin e bashkimit kombëtar. 568 vjet më parë, në këtë qytet, në këtë djep, lindi parimi përjetësisë së shqiptarëve, parimi i bashkimit të tyre, parimi i shenjtë, “Një komb, një qëndrim”. Shqiptarët u bashkuan në Lidhjen e Lezhës, qëndruan dhe shkruan kapitullin më të ndritur të së gjithë historisë së tyre kombëtare.

Shqiptarët në këtë parim u bashkuan në Lidhjen e Prizrenit dhe ia dolën me qëndresën e tyre, me vuajtje, mundime e sakrifica të kenë shtetin e tyre. Shqiptarët u bashkuan në fund të 10 vjeçarit të shekullit që kaloi në parimin “Një komb, një qëndrim“ për çlirimin e Kosovës dhe Kosova sot është e lirë. Është ky parim i shenjtë që ne sot të bashkohemi nga të gjitha trevat shqiptare, si njerëz të lirë, si qytetarë të lirë, në vendet ku jetojmë. Por ne ndërtojmë sot, veprën ndër më madhore, të prijësit tonë legjendar, të prijësit tonë të të gjithë kohërave, Skënderbeut. Shqiptarët kanë tek Skënderbeu burimin e përjetshëm të frymëzimit të tyre, të trimërisë së tyre, të guximit të tyre. Burri që qëndroi me trimërinë më të madhe ndaj superfuqisë më të madhe të kohës, që kishte përkulur shtete dhe Perandori ka frymëzuar dhe frymëzon përjetë shqiptarët, të sakrifikojnë, të qëndrojmë për liritë dhe çështjen e tyre. Se i frymëzoi Skënderbeu, ata u mblodhën dhe luftuan në Lidhjen e Prizrenit, se i dha zemër Skënderbeu, organizuan kryengritjet më të mëdha të Evropës që sollën pavarësinë e Shqipërisë, se u frymëzuan nga Skënderbeu dhe trimëria e tij, luftuan me heroizëm në Luftën e Dytë Botërore dhe renditën vendin në koalicionin fitimtar. Se është i pavdekshëm Skënderbeu në zemrën e tyre, luftuan në çlirimin e Kosovës dhe fituan.

Skënderbeu është pra, shenjtori i lirisë, i trimërisë, i guximit të shqiptarëve, frymëzimi i tyre i përjetshëm për të sakrifikuar për dinjitetin e tyre. Por, Skënderbeu është gjithashtu, vizionari i vokacionit perëndimor të Kombit shqiptar. Këtu, në këtë qytet shqiptarët lidhën besën të udhëhiqeshin nga prijësi i tyre legjendar për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor, vlerat perëndimore të kombit, djepin në të cilin kishin lindur. Shqiptarët kanë tek Skënderbeu, doktrinën e vokacionit të tyre perëndimor, ndaj dhe sot, në këtë ditë, nderimi më i madh që ne mund tu bëjmë fisnikëve shqiptarë që u mblodhën 568 vjet më parë, nderimi më  i madh që mund ti bëjmë prijësit tonë legjendar Skënderbeu është të ndjekim me vendosmëri vizionin e tyre, vokacionin kombëtar perëndimor, të bëjmë gjithçka për të vendosur kombin në BE, të bëjmë gjithçka për të bërë Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët, në treva dhe vende të zhvilluara.

Qytetarë dhe qytetare të Lezhës,

Sot është një ditë e madhe krenarie për ju. Nuk është e rastit që u zgjodh Lezha si sofra, si djepi, si logu i këtij Kuvendi. Ajo u zgjodh se zemra juaj, shpirti juaj, virtyti juaj ishte me i arriri. Në këtë kontekst, po të mos ishte Lezha nuk do të ishte Kruja, nuk do të ishte Prizreni, nuk do të ishte Vlora, nuk do të ishte Prishtina.

Rroftë Lezha!

Rroftë Shqipëria!

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!"


02/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›