E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Së bashku me ju do të ndërtojmë Vlorën e idealeve të mëdha të shqiptarëve, kryeqytetin shpirtëror, historik të kombit

-          Më 8 maj qytetarët e Vlorës  zgjedhin të nisin betejën e madhe për shndërrimin në realitet të Vlorës, kantier të madh punësimi, për vlonjatët dhe shqiptarët

-          Ta shndërrojmë 8 majin, në ditën e plebishitit të qytetarëve të Vlorës, për ëndrrën e tyre të bukur vlonjate, për  Vlorën moderne, për Vlorën kryeqytet të kombit në 100 vjetorin e pavarësisë, për Vlorën e potencialeve të jashtëzakonshme turistike, për Vlorën epiqendër rajonale të biznesit, për Vlorën universitare, për Vlorën e punësimit.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje, në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Vlorës.

Ky tubim, të cilin kryeministri Berisha e cilësoi madhështor, mblodhi në sheshin e flamurit, qytetarë, të rinj e të reja, mbështetës të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë, etj.

Kryeministri i ftoi qytetarët vlonjatë që më 8 maj të zgjedhin alternativën e cila do ta shndërrojë Vlorën në një qytet modern të zhvilluar, duke shfrytëzuar të potencialet e saj të jashtëzakonshme turistike, industriale, prodhuese, etj. “Ju dhe të gjithë shqiptarët i ftoj në 8 maj që  të certifikoni, valorizoni, të vlerësoni bindjet tuaja se Vlora  mund të bëhet një nga qytet më të zhvilluara të Mesdheut, se  Shqipëria mund të bëhet një nga vendet e zhvilluara të Evropës.” iu drejtua qytetarëve kryeministri.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri u shpreh për qytetarët vlonjatë:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet  më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh për këtë tubim madhështor, për këtë miting të fitores të secilit prej jush, të fitores së çdo qytetari dhe qytetareje të këtij qyteti, të shndërrimit në realitet të një ëndrre të bukur, të ëndrrës për Vlorën, qytet të zhvilluar, Shqipërinë vend të zhvilluar.

Qytetarë dhe qytetare të Vlorës,

Ne mblidhemi sot në këtë shesh, mblidhemi sot, në sheshin e flamurit tonë kombëtar, flamurit të shenjtë të çdo shqiptari, më krenarë se kurrë në historinë  e sheshit. Ne jemi sot këtu, gratë dhe burrat, vajzat  dhe djemtë e  një vendi të lirë, anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ne mblidhemi në këtë shesh, si gratë dhe burrat, qytetarët dhe qytetaret që kemi bërë realitet, ëndrrën tonë tjetër të madhe, ëndrrën e lëvizjes së lirë në mbarë Evropën. Ne mblidhemi sot  në këtë shesh si qytetarë  të Vlorës, që kemi bërë realitet ëndrrën e të gjitha brezave, Shqipëria e bukura e dheut, Vlora  e bukura  e dheut.

Ne mblidhemi sot në këtë shesh krenarë me njëri-tjetrin, krenarë me vendin, krenarë, por asnjëherë të kënaqur sepse jemi të bindur se  shumë më tepër do të bëjmë në 4 vitet që vijnë. Krenarë, por jo të kënaqur se ne do të shndërrojmë në realitet, ëndrrën tonë, ëndrrën e fëmijëve tanë, Vlora qytet modern i zhvilluar, Shqipëria vend modern i zhvilluar.

Për ne, që u ngritëm si Feniksi nga hiri, nga rrënojat e diktaturës më të egër drejt zenitit, ne ecim të sigurtë drejt zenitit të merituar. Arma jonë sekrete është besimi tek ju, tek forca juaj, energjia juaj, entuziazmi juaj, shpirti juaj, mendja juaj. Ne vime tek ju dhe përulemi me nderim të madh, para secilit prej jush, para çdo shqiptareje dhe shqiptari, sepse ne  kemi besim se në mendjen dhe në zemrat tuaja, në energjinë dhe në djersën tuaj qëndron forca e shërimit të çdo problemi, e zgjidhjes së çdo çështje e ecjes dhe zhvillimit të çdo vendi.

Qytetarë dhe qytetare  të Vlorës,

Për ne, për secilin prej jush, për çdo shqiptar dhe shqiptare, 8 maji nuk është një verdikt për të shkuarën, nuk është një ndëshkim për disfatën, është një zgjedhje për të ardhmen, më të bukur , më të merituar, ndaj dhe ju të gjithë shqiptarët i ftoj në 8 maj që  të certifikoni, valorizoni, të vlerësoni bindjet tuaja se Vlora  mund të bëhet një nga qytet më të zhvilluara të Mesdheut, se  Shqipëria mund të bëhet një nga vendet e zhvilluara të Evropës.

Më 8 maj ju, qytetarë dhe qytetare të Vlorës zgjidhni të vendosni në piedestal veten tuaj, moralin tuaj, virtytet tuaja, qytetarin, vizionin e tij. Më 8 maj qytetarët e Vlorës zgjedhin të nisin betejën e madhe për shndërrimin në realitet të Vlorës kantier të madh punësimi për vlonjatët dhe shqiptarët. Më 8 maj ju jeni të ftuar të zgjidhni Vlorën, bukuroshen turistike të Mesdheut, Vlorën Turistike nga derdhja e Vjosës tek kepi i Gjuzës, Vlorën  e infrastrukturës më moderne, Vlorën  e potencialeve më të jashtëzakonshme turistike. Më 8 maj, qytetarë dhe qytetaret e Vlorës votojnë për të zgjedhur Vlorën akademike dhe universitare, Vlorën e shkollave evropiane për fëmijët  e tyre, Vlorën e kampusit të ri universitar, Vlorën e arsimit dhe progresit.

Më 8 maj, vlonjatët dhe vlonjatet janë të ftuar të zgjedhin për Vlorën e biznesit, Vlorën  e prodhimit të fuqishëm industrial, Vlorën e potencialeve të jashtëzakonshme prodhuese, industriale. Më 8 maj qytetarët e Vlorës janë të ftuar të zgjedhin për Vlorën me planin dhe sistemin turistik më modern, brenda 6 muajve të parë, për Vlorën me rrugë dhe rrugica evropiane, me ujësjellës e kanalizime evropiane. Më 8 maj qytetarët dhe qytetaret e Vlorës janë të ftuar të votojnë për Vlorën, kryeqytet i kombit në 100 vjetorin e pavarësisë, për Vlorën lartësinë e ëndrrave të themeluesve të këtij kombi dhe të këtij shteti.

Ju jap fjalën se me Ardian Kollozin do të ndërtojmë së bashku me ju, Vlorën e idealeve të mëdha të shqiptarëve, kryeqytetin shpirtëror, historik të kombit.

Zonja dhe zotërinj,

Sot, ne jemi në këtë shesh më shumë se kurrë, por  një apel një thirrje miqësore do tia adresojmë sot të gjithë atyre qe ndjekin këtë miting , një thirrje vëllazërore, bashkohuni me ne , në shtëpinë tonë, në Vlorën tonë , ka vend për secilin nga ju, ju presim miqësisht, ju presim me dinjitet,duam vizionin tuaj, duam përkushtimin tuaj.

Ndaj ne ta shndërrojmë 8 majin në ditën e plebishitit të qytetarëve të Vlorës, për ëndrrën e tyre të bukur vlonjate, për  Vlorën moderne, për Vlorën kryeqytet të kombit në 100 vjetorin e pavarësisë, për Vlorën e potencialeve të jashtëzakonshme turistike, për Vlorën epiqendër rajonale të biznesit, për Vlorën universitare, për Vlorën e punësimit. Ju jap fjalën se fitoren e Ardian Kollozit do ta shndërrojmë në një sukses të secilit prej jush.

Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët, Vlora është e para, Shqipëria është e para, flamuri është i pari.

Rroftë flamuri!

Zoti e bekoftë Vlorën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe  flamurin  e saj!


03/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›