Kryeministri Berisha: Java që nis është java e fitores, uragani i saj po vërshon nga të katër anët e Shqipërisë

- 4 vitet që vijnë, brigjet më të bukura të Kavajës nga Gosa deri në Shkëmbin e Kavajës do të jenë pol kryesor turistik i Shqipërisë dhe rajonit.
- Kavaja do të ketë hyrjen e vet në kryeqytetin e Shqipërisë.
- 4 vitet që vijnë, Kavaja do të jetë me fermat e saj, një nga prodhuesit kryesorë bujqësor dhe blegtoral të Shqipërisë.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje, në tubimin e organizuar në sheshin “Demokracia”, në Kavajë, ku merrnin pjesë qytetarë, të rinj e të reja, mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, deputetë, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Gjatë këtij tubimi, Kryeministri vlerësoi dhe shprehu mbështetjen për kandidatin për Kryetar Bashkie të qytetit të Kavajës, i cili është aktualisht kryetar bashkie, zotin Refik Rugia.
Nga sheshi “Demokracia”, Kryeministri iu premtoi qytetarëve Kavajas se në 4 vitet që vijnë Kavaja do të shndërrohet në njërën prej qendrave më të fuqishme ekonomike të vendit, me një infrastrukturë nga më modernet dhe bashkëkohoret.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve, kryeministri u shpreh:
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore,
Mirënjohjen time më të thellë, respektin dhe nderimin më të pakufishëm, ndaj jush, grave dhe burrave të Kavajës, djemve dhe vajzave të saj, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhëne dhe i jepni PD që nga dita e themelimit te saj, deri në ditët e sotme. Dhe unë si bashkëqytetari juaj që pata fatin e madh të jem njeri prej jush, ju garantoj se mbështetja juaj, morali juaj, guximi juaj, energjitë tuaja janë dhe mbeten burim i pashtershëm frymëzimi për mua, sot dhe sa të jem gjallë.
Qytetarë dhe qytetarë të Kavajës,
Gra dhe burra të lirisë,
Sot jemi mbledhur këtu, për të paraqitur kandidat për kryetar të bashkisë njërin nga bijtë tuaj më të shquar, njeriun me të cilin Kavaja, 4 vitet që vijnë do të ndërtojë Kavajën moderne, Kavajën evropiane, Kavajën qytet i zhvilluar, Shqipërinë vend i zhvilluar.
4 vitet që vijnë Kavaja do të shndërrohet në një nga qendrat më të fuqishme ekonomike të vendit. Me punën, djersën dhe mundin tuaj ju do të ngrini Kavajën, në lartësitë më të mëdha të zhvillimit në këtë vend. 4 vitet që vijnë brigjet më të bukura të Kavajës nga Gosa deri në Shkëmbin e Kavajës do të jenë pol kryesor turistik i Shqipërisë dhe rajonit.
4 vitet që vijnë Kavaja do të jetë me fermat e saj, një nga prodhuesit kryesorë bujqësor dhe blegtoral të Shqipërisë. Kodrat dhe fushat e saj do mbulohen me drurët frutorë më të mirë , më të bukur të Shqipërisë.
4 vitet që vijnë, ne që gjatë këtyre 4 viteve të shkuara asfaltuam në këtë rreth 180 km rrugë, ju jap fjalën e nderit se nuk do të ketë as edhe një kilometër të vetëm të paasfaltuar në të katër anët e Kavajës. 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë dhe kopsht në parametrat më modern.
Fjala ime për ju të dashur bashkëqytetarët e mi është Kavaja ujë 24 orë dhe 24 orë ujë për të gjithë rrethin e Kavajës do të jetë zotimi im solemn para jush, para mbarë banorëve të këtij rrethi.
Kavaja ka brigjet më të bukura të Adriatikut, Kavaja do ta ketë detin ngjitur. Kavaja do të ketë hyrjen e vet në kryeqytetin e Shqipërisë. Hovi i lirisë nuk mund të ndalet. Ju që në kohërat më të zeza u shndërruat në kryeqytetin e lirisë ju do të ecni me shpejtësinë më të madhe drejt Evropës.
Vëllezër dhe motra,
Alternativa jonë është alternativa e burrave dhe grave të Kavajës, e njerëzve të guximit dhe besimit, e njerëzve të nderit dhe moralit, e njerëzve të dinjitetit dhe të shpresës, e njerëzve të besimit të madh tek zoti, tek njeri-tjetri tek Kavaja dhe Shqipëria.
Ndaj dhe ftoj të gjithë shqiptarët të bashkohemi në alternativën, e cila vendos në piedestal qytetarin dhe vlerat e tij, shqiptarin dhe vlerat e tij, të ardhmen e tij të ndritur, mundin, djersën, përkushtimin, besimin dhe shpresat e tij.
Qytetarë dhe qytetarë të Kavajës
Duke dëgjuar Fridën tek i bënte thirrje shokëve dhe shoqeve të veta për të votuar, më erdhi ndër mend një gjë që dua t'ia them Fridës dhe moshatarëve të saj: E dashur Frida, dy vjet para se të lindje ti, baballarët dhe nënat tuaja në këtë qytet rrugën e vetme e shkelmuan me këmbë, e shtruan për tokë dhe ecën mbi të, sepse ata si rrugë të vetme njihnin vetëm rrugën e zotit, kurse si rrugë tokësore njihnin rrugën e lirisë.
Ndaj dhe nuk po ndalem fare ta komentoj, por pyet kur të kthehesh në shtëpi njerëzit e tu ta tregojnë se cila ishte rruga e vetme dhe çfarë i rezervuan ata, atë qe ajo meritoi.
Java që nis është java e fitores. Uragani i saj po vërshon nga të katër anët e Shqipërisë, nga Gjirokastra në Tropojë, nga Kukësi në Sarandë, nga Vlora në Tiranë, Fitorja ecën si uragan drejt Tiranës. Kavaja blu, Tirana blu, Durrësi blu, Shqipëria blu.
Rrofshi ju qytetarë dhe qytetare të Kavajës,
Rroftë Kavaja!
Rroftë Shqipëria!
Fitore!
02/05/2011