E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Së shpejti, Shqipëria fiton një kapacitet prodhimi të energjisë prej 1427 megavat, apo 227 megavat mbi kapacitetin e instaluar të kaskadës së Drinit

Kryeministri Berisha informoi sot, në mbledhjen e qeverisë, mbi ecurinë e procesit të ndërtimit të hidrocentraleve, ndërsa e vlerësoi energjetikën degën më të përparësuar të ekonomisë e zhvillimit të vendit.  

Nga ky proces, tha Kryeministri, Shqipëria fiton në total një kapacitet prodhimi të energjisë prej 1427 megavat, apo 227 megavat mbi kapacitetin e instaluar të të gjithë kaskadës së lumit Drin.

Kryeministri Berisha theksoi të domosdoshme kalimin e procedurës së marrjes së lejes së ndërtimit në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, çka do të reduktonte kohën e marrjes së lejes dhe të procesit në tërësi, si dhe rishikimin e ligjeve e vendimeve përkatëse, për ta bërë sa më funksionale Qendrën Kombëtare për Energjinë. “Ky është një shërbim që të gjithë ndërtuesit e hidrocentraleve do ta mirëprisnin,” - tha Kryeministri.

Krahas rritjes së kapaciteteve prodhuese të energjisë së rinovueshme, si energjia me koston më të ulët dhe çmimin më të leverdisshëm për konsumatorin, Kryeministri Berisha vlerësoi shumë pozitiv edhe faktin se në procesin e ndërtimit të tyre janë të punësuar mijëra qytetarë, çka përbën një nga frontet kryesore të punësimit. “Punësimi mbi bazën e tregut, - tha Kryeministri, - është qëllimi më madhor i kësaj qeverie.”

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Procesi i ndërtimit të hidrocentraleve po ecën me shpejtësi dhe me sukses. Nëse dy-tre muaj më parë kisha informuar qytetarët se ishin ndërtuar e rindërtuar 46 hidrocentrale, sot numri i tyre ka arritur në 72 dhe prodhojnë sëbashku 126 megavat energji. Ndërkohë janë në ndërtim 50 hidrocentrale të tjerë, me kapacitet 577 megavat, qartësisht më i madh së Fierza, janë në proces të marrjes së lejeve dhe procedurave të fillimit edhe 120 të tjerë, me kapacitet 730 megavat, më shumë edhe se Fierza e Vau i Dejës të marrë sëbashku. Në total, janë 1427 megavat apo rreth 227 megavat mbi kapacitetin e instaluar të të gjithë kaskadës së lumit Drin.

Në këto procese ndërtimi janë të punësuar mijëra shqiptarë. Në këtë kontekst, ky përbën një nga frontet kryesore të punësimit dhe kjo është një arritje shumë e madhe. Punësimi mbi bazën e tregut është qëllimi më madhor i kësaj qeverie.

Rëndësi ka që këtij hovi të madh në ndërtimin e tyre, ne t’i përgjigjemi me mbështetje gjithnjë e më të madhe. Zoti ministër i Punëve Publike është e domosdoshme të ndërhyjmë në ligjin përkatës, në rast se është ligji urbanistik apo ai i koncesioneve, në të cilin procedurën e marrjes së lejes duhet t’ia kalojmë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave one stop shop, në mënyrë që sipërmarrësi të shpenzojë sa më pak kohë në këtë proces. Ky është një shërbim që të gjithë ndërtuesit e hidrocentraleve do ta mirëprisnin. Nga ana tjetër, ne kemi nxjerrë vendimin për ndërtimin e qendrës one stop shop për energjinë. Ndaj duhet të amendohen të gjitha ligjet e vendimet, në mënyrë që kjo të jetë sa më funksionale.

Energjia është dega më e përparësuar e ekonomisë dhe zhvillimit të vendit, është investimi më i shkëlqyer që bëhet për ne dhe për ata që vijnë pas nesh, është shtylla më e fuqishme e zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi. Në një hark kohor të shkurtër katër-pesë vjeçar, shqiptarët do të kenë një prodhim prej 1420 megavat shtesë energji elektrike. Ndërkohë që çmimi i energjisë shkon gjithnjë në rritje, energjia nga uji mbetet energjia me koston më të ulët dhe qytetarët tanë do të kenë mundësi të përballojnë, të kenë çmime të arsyeshme për shkak të kostos së ulët të energjisë dhe do t’u krijohet mundësia që energjia të rëndojë më pak se në të gjitha vendet e tjera, në xhepat e kontot e tyre. Ndaj duhet të  shqyrtohen ligjet, vendimet dhe gjithçka në funksion të funksionimit one stop shop për energjinë, si dhe të buxhetit të nevojshëm për çfarëdo të duhet për funksionim e saj sa më shpejt.

Unë ju ftoj [gazetarët] t’i paraqisni në emisionet tuaja, edhe kur nuk shkon ministri apo kryeministri për inaugurim, sepse ato janë zhvillime jashtëzakonisht pozitive për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.”


07/08/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›