Kryeministri Berisha: "Shqipëria Fantastike" e Ibrahim Kodrës, kryevepra e të gjitha kryeveprave të tij
Kryeministri Berisha vizitoi sot ekspozitën e piktorit Ibrahim Kodra e titulluar “Shqipëria Fantastike”, e çelur në sallën e ekspozitave të përkohshme të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ekspozita organizohet nga Galeria Kombëtare e Arteve në bashkëpunim me Fondacionin “Ibrahim Kodra” në Milano, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. Për realizimin e kësaj ekspozite kuratori Rubens Shima ka përzgjedhur vepra nga koleksioni i Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Milano (Itali), vepra nga koleksioni i Z. Kozma Dashi (Shqipëri), vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe vepra nga koleksione te ndryshme private brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Kryeministri Berisha e cilësoi Ibrahim Kodrën si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit në të gjitha kohërat, një krijues vigan që ekspozoi veprat e tij me piktorët më të mëdhenj të kohës. "Ai vjen sot në vendin e tij, tha Kryeministri, në 100 vjetorin e Pavarësisë, më dinjitoz se kurrë, me kontributin e tij të madh në gjeninë krijuese të kombit, me këtë ekspozitë të mrekullueshme".
Kryeministri u shpreh se kryevepra e të gjitha kryeveprave të Ibrahim Kodrës është “Shqipëria Fantastike”. "Në “Shqipërinë Fantastike”, piktori i madh shkrin në një, bukuritë mahnitëse të vendit të tij, trashëgimitë përrallore historike dhe kushdo që e shikon këtë kryevepër të Ibrahim Kodrës, konstaton dhe konkludon se piktori deshi ti paraqiste botës Shqipërinë si parajsën e vogël tokësore të Mesdheut. Kjo ishte ndjenja dhe kjo ishte dashuria e Ibrahim Kodrës për vendin e tij" tha Kryeministri.
Në fjalën e tij pas vizitës në Ekspozitë Kryeministri u shpreh :
“Ibrahim Kodra, është pas Onufrit piktori më i madh i kombit në të gjitha kohërat. Një krijues vigan që ekspozoi veprat e tij, me Pablo Picasso dhe Georges Braque, me Modigliani dhe Salvador Dalí, me piktorët më të mëdhenj të kohës, vjen sot këtu në 100 vjetorin e Pavarësisë më dinjitoz se kurrë, me kontributin e tij të madh në gjeninë krijuese të kombit, me këtë ekspozitë të mrekullueshme.
Ibrahim Kodra ishte një piktor prodhimtar, veprat e tij fillojnë me peizazhin e Tiranës, një kryevepër, në prag të largimit të tij nga Shqipëri dhe vazhdojnë me eksplorimet e stileve në veçanti të kubizmit, në të cilën ai është një nga kalorësit më të mëdhenj të kohërave, por në kohëra të ndryshme veprat e Ibrahim Kodrës, i kanë vlerësuar kryevepra. Jam i bindur se kryevepra e të gjitha kryeveprave të Ibrahim Kodrës është “Shqipëria Fantastike”. Në “Shqipërinë Fantastike”, piktori i madh shkrin në një, bukuritë mahnitëse të vendit të tij, trashëgimitë përrallore historike, malet që zbresin, fshatrat që varen si ballkon, siç është Piluri, në brigjet shqiptare. Bashkëjetesën e mrekullueshme fetare, ku Katedralet dhe Xhamitë qëndrojnë me dinjitet ngjitur me njëra-tjetrën.
Kushdo që e shikon këtë kryevepër të Ibrahim Kodrës, konstaton dhe konkludon se piktori deshi ti paraqiste botës Shqipërinë si parajsën e vogël tokësore të Mesdheut. Kjo ishte ndjenja dhe kjo ishte dashuria e Ibrahim Kodrës për vendin e tij.
Ndaj edhe duke shprehur edhe njëherë nderimin tim më të madh për këtë kolos të pikturës së Shekullit që shkoi, ftoj qytetarët shqiptarë të vizitojnë këtë ekspozitë të burrit, që në këto 100 vjet , ju dha aq shumë nder. Të artistit që u largua pothuajse në rininë e hershme të tij nga Shqipëria, por që e mbajti atë në shpirt dhe në zemër, në imagjinatën e tij dhe që do të vinte në rastin më të parë kur Shqipëria do të bëhej vend i lirë dhe do të shkrinte mbi të gjininë krijuese në veprën e pavdekshme, “ Shqipëria Fantastike”.
22/04/2012