E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjese në pritjen me rastin e 90 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Hungari

-          Miqësia e vjetër mes Shqipërisë dhe Hungarisë buron nga zemrat e kombeve dhe aspiratat e përbashkëta për liri e dinjitet

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje, në pritjen  e organizuar nga ambasada hungareze me rastin e 90 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Hungari. Në këtë event ishin të pranishëm edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, Ministra të kabinetit qeveritar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë dhe te ftuar te tjerë.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen ndaj kombit hungarez dhe vlerësoi miqësinë  e vjetër mes dy vendeve, e cila i ka rrënjët në kohërat e hershme dhe në luftërat dhe përpjekjet e përbashkëta të dy kombeve për liri, dinjitet e qytetërim.“Marrëdhëniet tona nuk janë limituar në protokollet zyrtarë, ato vijnë nga zemrat e kombeve tona; vijnë nga aspiratat për liri dhe të luftuarit së bashku”, tha Kryeministri.

Më tej, në përshëndetjen e tij, kryeministri u shpreh:

"Është për mua një mundësi e madhe te shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj kombit hungarez, në këtë përvjetor te marrëdhënieve tona diplomatike. Marrëdhëniet tona nuk janë të limituara vetëm në protokollet diplomatike, por  ato burojnë nga zemrat e kombeve tona, burojnë nga aspiratat për liri dhe të luftuarit së bashku. Si pjesë e një perandorie të dyfishtë, vendi juaj dhe Konti Hadik luajtën një rol të rëndësishëm në një moment shumë vendimtar. Kështjella e tij, ishte kështjella ku u këshillua dhe u diskutua pavarësia e Shqipërisë, në kohën kur mendohej që Shqipëria të mos ekzistonte si nocion politik, në këtë kontinent të vjetër. Kështu ky takim është një nga momentet më të rëndësishme në 100 vjetorin e pavarësisë sonë.

Hungaria ishte nga vendet e para që njohu Shqipërinë e pavarur.  Përgjatë 100 viteve ne kemi patur nga vendi juaj, nga kombi juaj një mbështetje të fuqishme, respekt dhe ndihmë. Por unë mendoj se kurora në marrëdhëniet tona ishte mbretëresha Geraldinë, e cila erdhi në këtë vend dhe nuk kaloi më shumë se një vit. Ajo kishte lidhje kudo, në Hungari, SHBA-ve dhe kudo tjetër, por kur ajo ishte e lirë për të dalë nga mërgimi i saj i gjatë, ajo zgjodhi Shqipërinë, dashurinë dhe respektin për të cilën e ruajti gjatë gjithë jetës.

23 vjet më parë vendi juaj ishte nder të parët që doli nga diktatura. Hungarezët shkëlqenin me shembullin e tyre dhe pas revolucionit të 56, ata kurrë nuk pranuan të mos rezistonin. Gjatë vizitës së fundit në Hungari, pata rastin të vizitoja Muzeumin e Rezistencës, i cili mendoj se është një nder i madh për vendin tuaj.

Zoti ambasador, vendi juaj e mbështeti fuqishëm Shqipërinë në përpjekjet e saj për tu anëtarësuar në NATO. Marrëdhëniet me vendin tuaj kanë qenë të njëjta, pavarësisht se çfarë force politike ka qenë në pushtet, ato ka qenë marrëdhënie të shkëlqyera, miqësore. Kështu ky 90 vjetor na bën thirrje për përpjekje më të mëdha për të forcuar lidhjet tona të shkëlqyera të miqësore dhe bashkëpunimin tonë.

Edhe njëherë ju falënderoj për ftesën dhe për këtë mbrëmje kaq të këndshme qe keni organizuar për të kremtuar këtë 90 vjetor të marrëdhënieve tona.


19/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›