E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takon Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Menduh Thaçi

20 prill 2012
Tetovë

Vizita zyrtare e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi në Maqedoni, vijoi me takimin e zhvilluar sot paradite në Tetovë, në ambientet e Selisë së Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), me Kryetarin e saj, zotin Menduh Thaçi.

Me këtë rast, Kreut të Shtetit iu bë një pritje madhështore nga qindra shqiptarë të Tetovës, para të cilëve u shpreh:
“I dashur Menduh,
Të dashur motra dhe vëllezër,

Padyshim, ky është një moment shumë emocional dhe shumë i veçantë në jetën time! Sa herë vij këtu në Tetovë, gjithmonë jam rrethuar me shumë dashuri! Ju siguroj që po kaq shumë ju dua dhe unë!

Gjatë vizitës sime zyrtare në Maqedoni, besoj ky është një nga momentet më të bukura dhe që tregon që, pavarësisht se ne historia na ka ndarë me një kufi administrativ, zemra jonë rreh me të njëjtin ritëm. Kemi të njëjtën gjuhë, kemi të njëjtën kulturë, kemi të njëjtat zakone. Kombi ynë këtë vit mbush 100 vjet, në sensin e krijimit të shtetit shqiptar, sepse kombi ynë është i lashtë sa vetë jeta! Kombi ynë i lashtë, me një histori jashtëzakonisht të çmuar na ka bërë që të jemi fisnikë, të jemi bujarë, të jemi të dashur dhe t’i rezistojmë sfidave të historisë.

Viti i 100-të i themelimit të shtetit shqiptar është padyshim një festë dhe një krenari për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi, në diasporë. Pra, kam ardhur këtu jo vetëm t’ju takoj, por t’ju them që do ta gëzojmë së bashku këtë vit jubilar të themelimit të shtetit shqiptar.

Natyrisht, Shqipëria, por dhe Maqedonia, sot jetojnë një periudhë tjetër. Ne nuk jemi më të ndarë si dikur, kur na merrte malli të takonim dikë, që ishte përtej kufirit. Sikurse ju merrte malli dhe juve të shikonit dhe të takonit shqiptarët e Shqipërisë. Sot është mundësia, dhe kjo falë shteteve tona, falë qeverive, institucioneve, është bërë e mundur që qytetarët të lëvizin të lirë, të lëvizin me kartë identiteti, dhe do jemi pjesë e së njëjtës ëndërr. Shqipëria është sot vend në NATO dhe së bashku me Maqedoninë, jam i bindur, do të jenë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Unë dëshiroj publikisht të falënderoj nga zemra Menduhin, i cili ka qenë gjithmonë shumë afër, shumë pranë në mjaft raste. Dhe natyrisht, në jetë njeriu nuk ka vetëm raste apo çaste të bukura. Ka dhe raste dhe çaste të vështira. Dhe njeriu që gjendet në raste të vështira, padyshim këto mbahen mend, dhe unë i jam shumë mirënjohës, edhe në emrin tuaj, sepse kemi kaluar së bashku sfida të vështira, por që fatmirësisht sot, ne jemi shumë pranë në të njëjtën ëndërr, ëndrra euroatlantike e Shqipërisë, e Kosovës, e Maqedonisë.

Natyrisht sot është një ditë shumë e veçantë. Është e veçantë sepse vijmë në Maqedoni, por diskutojmë edhe për Shqipërinë, diskutojmë edhe për Kosovën. Dhe Kosova sot është një realitet i ri që na bën krenarë të gjithëve.

Të gjithë së bashku, me të njëjtën ndjeshmëri, të presim 28 nëntorin e vitit 2012, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, duke u bërë më entuziastë, duke kujtuar në këtë ditë të shënuar të gjitha ato figura të mëdha të kombit shqiptar që i kanë dhënë prestigj, i kanë dhënë dinjitet, dhe na kanë bërë që ne sot të ndjehemi më krenarë se kurrë!

Edhe njëherë, ju falënderoj për këtë mikpritje vëllazërore! Ju uroj të gjithëve së bashku të festojmë këtë festë të madhe! Ju uroj shëndet, harmoni, sepse sot vërtet juve jeni pjesë e shtetit të Maqedonisë, por së bashku ju uroj që të jeni në harmoni midis jush në radhë të parë, por në harmoni dhe me maqedonasit etnikë, që të gjithë së bashku të jeni pjesë e një mentaliteti modern, e një mentaliteti evropian. Të njëjtën gjë kam ndarë me Presidentin Ivanov dhe jam i bindur që të gjithë së bashku, duke bashkëpunuar, duke bashkërenduar punën tonë, politikën tonë vizionare drejt Perëndimit, të jetojmë në paqe, në harmoni, në prosperitet! Kjo është e ardhmja e të gjithëve ne, në një Evropë, e cila sot vërtet është pa kufi. Edhe nesër Ballkani do të jetë pa kufi, sepse ky është mentaliteti dhe vizioni i njerëzve të qytetëruar, që jetojnë në një Ballkan, i cili vite më parë ka pasur probleme pafund. Sot jetojmë në një kohë tjetër, dhe jam i bindur që jo vetëm ne, por edhe fëmijët tanë, edhe stërnipërit tanë, do të jetojnë një botë më të mirë!

Faleminderit!”

Më pas, në mjediset e punës së PDSH-së, Presidenti Topi zhvilloi një takim të përmzemërt me Kreun e saj, zotin Menduh Thaçi, i cili vlerësoi lart rolin e rëndësishëm dhe kontributin e efektshëm e moderator, ligjor e institucional të Kreut të Shtetit shqiptar në nxitjen e reformave demokratike për integrim evropian, në ekuilibrimin e jetës politike në Shqipëri, por sidomos në angazhimet për një qëndrueshmëri afatgjatë e të stabilizuar në rajon.

Në këtë kuadër, zoti Thaçi vuri në dukje “nevojën për më shumë unitet mes shqiptarëve në mbarë rajonin dhe për një ndikim më të madh në përmirësimin e kushteve për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës, në këtë rast për shqiptarët e Maqedonisë”.

Presidenti Topi, duke nënvizuar rëndësinë e këtij takimi, vlerësoi kontributin konstruktiv e të frytshëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, jo vetëm në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona, por dhe në dobi të ruajtjes së një rajoni të sigurt e të qetë, duke theksuar gjithashtu se “ky faktor duhet të nxisë në vazhdimësi harmoninë, integrimin dhe bashkëpunimin institucional”.

Bashkëbiseduesit diskutuan në takim edhe çështje të tjera parësore në interes të bashkëjetesës paqësore dhe qëndrueshmërisë së Maqedonisë, duke respektuar rregullat e demokracisë dhe sistemin e vlerave e standardeve perëndimore. Në këtë drejtim Presidenti Topi theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›