Kryeministri Berisha priti z. Damien O'Sullivan, Drejtor i Përgjithshëm i Fondacionit ECD,
Kryeministri Berisha priti sot në një takim z. Damien O'Sullivan Drejtor i Përgjithshëm i Fondacionit ECDL, i cili shoqërohej nga Drejtori i AGNA Grup z. Vasil Naçi.
Drejtori i Fondacionit të ECDL, e falenderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe e informoi atë, se qëllimi i punës së tyre është krijimi i mundësive të përdorimit sa më efiçent të teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit duke zhvilluar , promovuar dhe shpërndarë programet e çertifikimit të një cilësie sa më të lartë.
Sipas z. O'Sullivan, fondacioni ECDL-së është i gatshëm të bashkëpunojë me qeverinë për të zhvilluar më tej projektin “Shqipëria dixhitale”. Në këtë kontekst, Z. O'Sullivan i shprehu kryeministrit Berisha, garancinë për seriozitetin e punës së Fondacionit ECDL për certifikimin për përdorimin e kompjuterave.
Nga ana e tij kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen përfaqësuesit të kompanisë ECDL, e njohu atë rreth projektit madhor të qeverisë “Shqipëria Dixhitale”, një projekt ky që ka gjetur një shtrirje të gjërë në të gjithë vendin. Kryeministri Berisha u shpreh se, qeveria ka ecur shumë përpara në zhvillimin e projekteve dixhitale, tashmë pas shpërndarjes së komjuterave në të gjithë administratën publike është rritur edhe standardizimi i aftësive për përdorimin e tyre.
Duke vlerësuar zhvillimin e projektit “Shqipëria Dixhitale”, z. O'Sullivan shprehu gatishmërinë e tij për asistimin nga fondacioni ECDL i këtij projekti, kërkesë kjo që u pranua me kënaqësi nga kryeministri Berisha, i cili theksoi se qeveria është gjithmonë e hapur të bashkëpunojë për përmirësimin dhe rritjen e standardeve në fushën e zhvillimit të teknologjisë së informacionit.
11/09/2012