E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria është shndërruar në një vend të besuar dhe me një qeveri shumë të besuar për biznesin ndërkombëtar dhe atë shqiptar

- Vitin e kaluar, investimet në Shqipëri kanë qenë mbi 800 milion euro dhe në katër vitet që vijnë do të jenë mbi 8 miliard euro.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e portit të lëndëve djegëse në Porto-Romano, në Durrës. Porti, një investim tërësish i biznesit shqiptar me vlerë 50 milion euro, garanton standardet më të mirë në trajtimin e lëndëve djegëse.

Kryeministri Berisha e konsideroi ndërtimin ndërtimin e portit në Porto Romano një pikëfillimi për shndërrimin e kësaj zone në një nga nyjet energjetike më të rëndësishme dhe më të fuqishme të rajonit.

"Ndërtimi i portit dhe parkut energjetik në Porto Romano përbë një pikëmbështetje shumë të fuqishme dhe jetike për zhvillimin e shpejtë të vendit, përbën një fillim të madh për shndërrimin  e këtij porti dhe zonës në një nga nyjet energjetike më të rëndësishme dhe më të fuqishme të të gjithë rajonit."

Kryeministri Berisha tha se ndërtimi i këtij porti është një tjetër dëshmi e mjedisit shumë të favorshëm për investimet në vend, duke theksuar se ky katër vjeçar mbyllet me një bilanc të paparashikuar për investimet e huaja dhe në katër vitet që vijnë ato do të jenë mbi 8 miliard euro.

“Një thinj-tank shumë i njohur londinez, tha Kryeministri - në vitin 2006 deklaronte se mesatarja e investimeve të huaja në Shqipëri për 10 vitet e fundit ka qenë 70 milion euro, ndërsa vitin e kaluar, investimet në Shqipëri kanë qenë mbi 800 milion euro dhe në katër vitet që vijnë do të jenë mbi 8 miliard euro.”

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes Genc Ruli, anëtare të tjetër të qeverisë dhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe të biznesit.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht dhe të përgëzoj kompaninë Romano Port, ekipin e saj për këtë sipërmarrje të fuqishme që inaugurojmë sot, i një rëndësie të madhe jo vetëm për Durrësin, por për Shqipërinë dhe absolutisht për të gjithë rajonin.

Ndërtimi i portit dhe parkut energjetik në Porto Romano përbë një pikëmbështetje shumë të fuqishme dhe jetike për zhvillimin e shpejtë të vendit, përbën një fillim të madh për shndërrimin  e këtij porti dhe zonës në një nga nyjet energjetike më të rëndësishme dhe më të fuqishme të të gjithë rajonit. Ky investim me vlerë rreth 50 milion euro është një investim si në portin, dallgëthyesen, ashtu edhe në të gjitha instalimet e tjera që garantojnë standardet më të mira ndërkombëtare në trajtimin dhe procesimin  e lëndëve djegëse, si dhe kapacitetet më të mëdha për të përballuar nevojat në rritje të vendit, por edhe të vendeve përreth. Kjo është vepër e biznesit shqiptar në tërësi, që ka një meritë shumë të madhe për këtë, e iniciativës, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të shkëlqyer të tyre me njëri-tjetrit, si dhe e një dialogu konstant konstruktiv me qeverinë.

Sot, ky inaugurim është dëshmi e një klime realisht shumë të mirë që qeveria ime ka krijuar për investimet dhe investitorët. Në një hark kohor dy ditor, ne inauguruam dy parqe industriale në dy qytete tona të mëdha porte, të Vlorës dhe Durrësit, investime që kalojnë 100 milion euro. Këto janë investime me një perspektivë të jashtëzakonshme. Në tërësi, ne jemi shndërruar në një vend të besuar dhe me një qeveri shumë të besuar për biznesin ndërkombëtar dhe atë shqiptar. Vetëm në harkun kohor të dy javëve, ne inaugurojmë përfundimin apo fillimin e punimeve të veprave të mëdha energjetike. Ne inauguruam Ashtën, këto dy portet energjetike jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, më datën 8 qershor inaugurojmë fillimin e punimeve në gjigandin e Europës, kaskadën e Devollit. Të gjitha këto u bënë të mundura vetëm e vetëm nga një përpjekje e jashtëzakonshme e qeverisë për të krijuar një klimë miqësore ndaj biznesit, përpjekje që janë bërë dhe bëhen për të zbatuar ato parime mbi të cilat qëndron tregu dhe jo klientela.

Ky katër vjeçar realisht mbyllet me një bilanc të paparashikuar katër vjet më parë për investimet e huaja. Një think-tank shumë i njohur londinez, në vitin 2006 deklaronte se mesatarja e investimeve të huaja në Shqipëri për 10 vitet e fundit ka qenë 70 milion euro. Ndërsa vitin e kaluar, investimet në Shqipëri kanë qenë mbi 800 milion euro dhe në katër vitet që vijnë, do të jenë mbi 8 miliard euro.

Shqipëria, këto katër vite, ka ndërtuar një platformë, nga e cila do të ketë një shkëputje të fuqishme, më të fuqishme se çdo vend tjetër. Vitin e kaluar, Shqipëria ishte vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë dhe këtë vit, sërish mbetet vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë, natyrisht nën presionin e një krize ekonomike europiane dhe botërore të pamohueshme, por kjo krizë është kalimtare dhe unë kam bindjen më të thellë se katër vitet që vijnë, do të jenë të atilla, që shqiptarët sot nuk mund t’i imagjinojnë.

Dhjetë ditë më parë, presidenti i Raiffaisen Bank, Dr. Stepic, do të deklaronte se edhe për mua si austriak ky vend ka bërë ndryshime të paimagjinueshme, të pabesueshme dhe e vërteta është se disa prej këtyre ndryshime janë të pabesueshme. Dy vjet më parë, në Bruksel, një ambasador i një vendi ndër vendet më mike që ne kemi në botë do t’i thoshte ambasadorit tonë se nëse do të votohej për Shqipërinë në NATO në vitin 2007, druaj se do të kishte mbetur pa asnjë votë, por ju punuat dhe dëshmuat seriozitetin dhe suksesin reformave, ndaj dhe u votuat më shpejt se kushdo tjetër.

Ndaj dhe unë jam shumë optimist se jemi para zhvillimeve që edhe vetë nuk i parashikojmë dhe këto zhvillime vijnë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, nëpërmjet investimeve. Siç zogu ka nevojë për ajrin për të fluturuar, ashtu ka nevojë edhe Shqipëria për investime për të fluturuar. Shqipëria duhet të fluturojë. Shqipëria do të fluturojë. Shqipëria do të bëhet shqipe e Europës. 

Zotërinj ministra, ne duhet të sjellim deri këtu edhe hekurudhën dhe autostradën. Këta kanë bërë detyrën e tyre, ne do të bëjmë detyrën tonë.

Dua të përshëndes përfaqësuesit e kompanisë T.S.T dhe përfaqësuesit e Romano Port që me mençuri vendosën për të kontraktuar një kompani për menaxhimin e portit, e cila do të sjellë këtu standardet më të mira europiane për menaxhimin e këtij porti jetik për Durrësin dhe Shqipërinë. Gëzuar!”


04/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›