E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria vend i tolerancës dhe lirive të garantuara

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij u ndal edhe tek kërkesa e bërë e  grupeve me orientim seksual të ndryshëm për zhvillimin e një manifestimi në Tiranë.  Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është vend i lirë dhe nuk pengon asnjë manifestim, i çdo lloji qoftë ai. Kryeministri  tha se qeveria ka miratuar një ligj, i cili mbron të drejtat e këtij komuniteti, sepse këto pakica kanë nevojë për një mbrojtje ligjore.

Kryeministri e cilësoi si të papranueshme deklaratën e bërë nga kryetari i PLL dhe aleatëve të tjerë, pasi, siç tha ai, njerëzit mund të shprehin vetën e tyre në këtë vend, në përputhje me ligjet e vendit.  

Kryeministri Berisha theksoi se orientimi i ndryshëm seksual është një realitet i lashtë, i cili ekziston  pavarësisht nga besimet apo bindjet politike, ndaj nuk mund të ketë as edhe një lloj pengese për ata që duan të protestojnë apo manifestojnë, sepse Tirana është qytet i tolerancës dhe Shqipëria është një vend i lirive të garantuara.

Më gjerësisht kryeministri u shpreh:

“Në fakt, ka një debat që ka shpërthyer kohët e fundit, lidhur me kërkesën e bërë për një manifestim të grupeve me orientim seksual të ndryshëm. Shqipëria është vend i lirë. Nuk mund të ketë dhe nuk mund të mendojë askush, që ne do të kufizojmë manifestime, demonstrata, cilado qofshin ato. Ky është rregull i lirisë. Ne kemi miratuar një ligj dhe ai ligj ka qenë i domosdoshëm, sepse është e vërtete se pakicat e natyrave të ndryshme kanë nevojë për një mbrojtje ligjore dhe në këtë kontekst, unë vlerësoj qëndrimin e Komisioneres për të Drejtat e Pakicave dhe reagimin e saj, si reagim adekuat dhe të përshtatshëm  ligjor.

Ndërsae aleatëve mund t’u them se kanë  përdorur ose kanë bërë deklarata të papranueshme. Reagimi i kryetarit të Partisë së Legalitetit ishte aspak përgjigje mbretërore, sepse edhe vetë  janë parti e tolerancës dhe ata e kanë faktuar këtë. Ndaj ka qenë një teprim, se nuk mund të bëhet fjalë që njerëzit të mos mund të shprehin veten e tyre në këtë vend, në përputhje me ligjet  e vendit. Orientimi i ndryshëm seksual është një realitet i lashtë  sa vetë lashtësia. Një realitet, i cili ekziston për hir të së vërtetës, pavarësisht nga besimet apo bindjet politike. Ndaj nuk mund të ketë as edhe një lloj pengese, sepse Tirana është qytet i tolerancës dhe Shqipëria është një vend i lirive të garantuara. 

Ky është qëndrimi ynë. Për të tjerat pastaj, secila parti ka platformën e vet. Por të themi atë që është, asnjë parti nuk ka dajakun platformë. Në asnjë lloj rrethane, nuk ka asnjë çështje që të mund të pranohet intoleranca, por është e kundërta. Ky është një vend i lirë, në të cilin duhet ta ndiejnë veten në vendin e tyre edhe njerëzit me bindje të ndryshme dhe qëndrime të ndryshme, të përcaktuar në kuadrin ligjor të këtij vendi. Ne kemi miratuar një ligj, kemi ngritur një institucion, kemi edhe Avokatin e Popullit, por, për shkak të specifikës së disa prej këtyre problemeve, jo vetëm në Shqipëri, por dhe vende të tjera, është ngritur një institucion i veçantë, një avokat i veçantë, ndaj nuk mund të ndodhe kurrë, që të ndalohen apo të sulmohen pse duan protesta.

Po kur dilte kryetari i bashkisë dhe mbushte qytetin me plehra?!  A mund të harrohen ndonjëherë ato thasë me plehra që shpërndanin në bulevard?  Por jemi vend i lirë dhe s’ka rrugë tjetër, vetëm t'i pastrosh ato dhe të respektohen. Më të veçantë se kjo nuk mund të kishte, pra, një kryetar bashkie që shpërndante plehra në bulevard. Por atij ia prenë faturën qytetarët e Tiranës. Kështu që më mirë ta lëmë të shkuarën në të shkuar”.


26/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›