Kryeministri Berisha pret në një takim Ministrin e Bujqësisë dhe Mjedisit së Brazilit, z. Mendes Ribeiro Filho
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Bujqësisë dhe Mjedisit të Brazilit, z. Mendes Ribeiro Filho. Në takim, ishte i pranishëm edhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Genc Ruli. Pas takimit, në prani të Kryeministrit Berisha, ministri Ruli firmosi me homologun brazilian Marrëveshjen e Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Brazilit.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen ministrit brazilian të Bujqësisë e Mjedisit, vlerësoi se kjo vizitë e tij është një kontribut shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve. Shqipëria dhe qeveria shqiptare, tha Kryeministri, ndjekin me interes zhvillimet pozitive në Brazil dhe rolin gjithnjë e në rritje të këtij vendi në arenën ndërkombëtare. Kryeministri vlerësoi se Brazili është një nga vendet më të rëndësishme në botë në fushën e bujqësisë dhe situata aktuale e financave botërorë konfirmoi edhe një herë se bujqësia mbetet faktor i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm.
Kryeministri Berisha dhe ministri brazilian i Bujqësisë e Mjedisit rikonfirmuan vullnetin e të dy qeverive për të zgjeruar e thelluar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe kombeve, jo vetëm në sektorin e bujqësisë, por në të gjitha fushat me interes reciprok.
Ministri i Bujqësisë dhe Mjedisit të Brazilit, z. Mendes Ribeiro Filho, e falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe e garantoi Kryeministrin se vizita e tij e sotme në Shqipëri ka për qëllim nxitjen e mëtejshme dhe thellimin e bashkëpunimit, duke evidentuar fushat dhe sektorët për zhvillimin e projekteve konkrete në kuadër të sektorit të bujqësisë, mjedisit, në fushën e kërkimeve shkencore e teknologjike, si një hap i parë i një bashkëpunimi edhe më intensiv e gjithëpërfshirës në dobi të interesit më të mirë të dy vendeve dhe popujve. Në këtë kontekst ministri e garantoi kryeministrin se vizita e tij do të pasohet edhe nga vizita të tjera.
Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar marrëdhëniet në të gjitha fushat me Brazilin, si dhe theksoi se bujqësia mbetet një përparësi madhore e qeverisë. Me gjithë sipërfaqen e vogël bujqësore, Shqipëria ka potenciale të mëdha në këtë sektor dhe synohet shumëfishimi i kësaj sipërfaqeje dhe e prodhimit bujqësor të saj, përmes disa projekteve madhore që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, si ai i ullirit dhe arrorëve. Në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje se qeveria po përpiqet të nxisë edhe prodhimin lokal. Gjithashtu, Kryeministri shprehu nevojën e Shqipërisë për ndihmë në fushën e kërkimit shkencor.
Duke e njohur ministrin Brazilian me zhvillimet në Shqipëri, Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria, një nga vendet me barrën fiskale më të ulët në Evropë, është tashmë një vend tërheqës për investimet e huaja, për shkak të klimës atraktive që ka krijuar qeveria për biznesin përmes masave konkrete, ndaj dhe theksoi se investitorët brazilianë janë të mirëpritur për investime në fushën e agrobiznesit.
Nga ana e tij, Ministri i Bujqësisë dhe Mjedisit të Brazilit, z. Mendes Ribeiro Filho, e njohu kryeministrin me faktin se Brazili e ka dyfishuar prodhimin e saj bujqësor me të njëjtën sasi toke bujqësore, si rezultat i perfeksionimit të teknologjisë dhe uljes së kostove. Ai nënvizoi se është i nevojshëm promovimi i prodhuesit për të vijuar këtë trend pozitiv, në veçanti, në këtë periudhë të vështirë në financat globale. Cilësia e prodhimit dhe sigurimit të ushqimit për popullsinë, theksoi ministri brazilian, janë pikësynimet tona, theksoi ministri, duke nënvizuar këtu shprehjen e Presidentes braziliane Rousef se; “një vend i pasur nuk mund të ketë një popull të varfër”.
Gjithashtu, ministri i Bujqësisë së Brazilit, z. Mendes Ribeiro Filho, e falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin që dha Shqipëria në zgjedhjen e Presidentit të FAO.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast, për t’i transmetuar Presidentes së Brazilit Rousef dëshirën për ta pritur së shpejti në Tiranë.
26/03/2012