Kryeministri Berisha: Autonomia e qeverisjes vendore, kushti më i rëndësishëm për ta bërë më eficente këtë qeverisje dhe për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri

- - Nuk ka asgjë më të madhe që mund të bëjë qeveritari vendor në komunën apo bashkinë e tij se sa ta shndërrojë atë në një kopësht të bukur për banorët e vet dhe për Shqipërinë
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën kombëtare me temë “Qeverisje vendore e fortë dhe efektive nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit drejt qeverisjes së mirë” e zhvilluar në kuadrin e programit për forcimin e strukturave të qeverisjes vendore dhe rajonale në Shqipëri, organizuar nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Zyrës së bashkëpunimit zviceran në Shqipëri.
Në sesionin e hapjes së konferencës të drejtuar nga zoti Ferdinant Poni, Zëvendësministër i Brendshëm, ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm, zoti Bujar Nishani, Shefi për Demokracinë, Ndërtimin e Institucioneve dhe qeverisjen Kie, zoti Alfonso Zardi, Kryetari i Delegacionit të BE në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, zonja Yvana Enzler, drejtues vendorë të bashkive dhe komunave të vendit, etj.
Duke marrë fjalën e rastit, kryeministri Berisha falënderoi dhe përgëzoi qeveritarët vendorë në të gjithë Shqipërinë për punën shumë të mirë që ata bëjnë në qeveritë direkte të qytetarëve shqiptarë, si dhe për konsolidimin gjithnjë e më tepër të një qeverisje të mirë në përballjen me eficentë të problemeve të tyre të përditshme.
Gjithashtu, kryeministri falënderoi përzemërsisht ambasadoren zvicerane, si dhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian për ndihmën e çmuar që kanë dhënë në drejtim të konsolidimit të qeverisjes vendore, si dhe për decentralizimin dhe përsosjen e kësaj qeverisje.
Duke vlerësuar të pazëvendësueshëm rolin e qeverive vendore në procesin e zhvillimit të vendit, kryeministri theksoi se autonomia e tyre është kushti më i rëndësishëm për ta bërë më eficente këtë qeverisje, si dhe për të për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri. Në këtë kontekst, Kryeministri garantoi se qeveria qëndrore mbetet e vendosur që në bashkëpunim të ngushtë me qeveritë vendore të thellojë dhe të konsolidojë këtë autonomi, në interesin më të mirë të demokracisë dhe të vendit.
Në fjalën e mbajtur më këtë rast, kryeministri Berisha u shpreh:
“Është një nder dhe kënaqësi e veçante për mua tu përshëndes ju shumë përzemërsisht, të përshëndes qeveritarët vendorë shqiptarë kudo që janë, këshilltarët tuaj, të shpreh nderimin tim për punën e shkëlqyer që ju bëni në qeveritë direkte të qytetarëve shqiptarë, një privilegj i madh ky për ju, për konsolidimin gjithnjë e më shumë të një qeverisje të mirë në përballjen me efiçencë të problemeve të tyre të përditshme.
Një falënderim të veçante dua ti bëj zonjës ambasadores Enzler, vendit të saj mik për ndihmën e çmuar që ka dhënë dhe jep në një nga fushat më të rëndësishme të demokracisë, siç është konsolidimi i qeverisjes vendore. Dua të falënderoj zotin Sequi për interesin e vazhdueshëm që Komisioni Evropian dëshmon për decentralizmin dhe përsosjen e qeverisjes vendore, zotin Zardi, Këshillin e Evropës, Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës për ndihmën shumë të çmuar që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë për procesin e decentralizimit, si një nga shtyllat më kryesore të funksionimit të sistemit demokratik.
Zotërinj qeveritarë vendorë,
Në këto vite Shqipëria ka njohur një zhvillim të paparecedent krahasuar me ndonjë vend tjetër në ritmet e saj. Në rast se marrim parasysh harkun kohor, pavarësisht nga problemet me të cilat ju përballeni çdo ditë dhe janë të mundimshme nuk ka një vend tjetër, nuk ka komunitete të tjera që të kenë ecur në një hark kohor të shkurtër, me shpejtësi më të madhe se komunitetet, të cilat ju qeverisni. Shqipëria, një vend i cili trashëgoi një infrastrukturë ndër më të prapambeturat në botë, trashëgoi një traditë inekzistente në qeverisjen vendore, po ndërton sot një nga infrastrukturat më moderne, ka sot një nga qeverisjet vendore më të konsoliduar në rajon. Në këtë proces zhvillimi, në këtë lëvizje kuantike të Shqipërisë, qeveritë vendore kanë luajtur dhe luajnë një rol të pazëvendësueshëm, kanë luajtur dhe luajnë një rol nga më të rëndësishmit, por projekti ynë kryesor është Shqipëria vend i zhvilluar, është Shqipëria evropiane, Shqipëria e cila ju ofron qytetarëve të saj, kushtet, rrethanat, jetesën e standardeve evropiane, kusht ky kryesor për realizmin e atij projekti që është dhe projekti më i madh në këtë shekull për shqiptarët, anëtarësimi i vendit në BE.
Në këtë përpjekje të madhe, asgjë nuk ka më të rëndësishme se eficenca e qeverive vendore, se sa eficenca e qeverisë qëndrore. Në këtë kontekst autonomia juaj është kushti më i rëndësishëm për ta bërë më eficente qeverisjen tuaj, është kushti më i rëndësishëm për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri. Ju garantoj se qeveria qëndrore mbetet e vendosur në bashkëpunim të ngushtë me ju të thellojë dhe të konsolidojë autonominë e qeverisjes suaj, në interesin më të mirë të demokracisë dhe të vendit. Hapa të rëndësishëm kemi shënuar përpara, në mënyrë të veçantë janë rritur me disa herë financimet për qeverisjen vendore. Është vendosur një partneritet i shkëlqyer midis qeverisë qendrore dhe qeverisë vendore në fushën e investimeve, janë ndërmarre hapa të rëndësishme në fushën fiskale, është zgjeruar autonomia juaj në administrimin e territorit, janë transferuar drejt jush, në përdorim dhe pronësi, qindra dhe mijëra hektarë prona dhe objekte të tjera. Dy muaj më parë, qeveria kaloi ligje të cilat ju njohën juve të drejta, këshillave të komunave dhe të bashkive, që më parë i kishte vetëm Parlamenti.
Në përpjekjen tuaj për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga zhvillimi i vendit, është shumë e rëndësishme të përshtatemi me ritmet e shpejta të këtij zhvillimi. Ndaj dhe unë do të ndalem në disa probleme të cilat janë jetike për ju dhe për vendin.
Në ligjet e vendit, ju jeni autoritete kontraktuese të rëndësishme. Ju të gjitha qeveritë vendore keni tagrin ligjor për të aplikuar partneritetin publik, privat dhe koncesionet në të gjitha asetet dhe pasuritë e territoreve tuaja. Do të dëshiroja një dinamizim të madh të këtij procesi, i cili do të shumëfishonte buxhetet tuaja modeste. Ky dinamizim do të valorizonte asetet në komunat dhe bashkitë tuaja, do të energjizonte tregun, do të krijonte më shumë vende pune.
Tirana ka filluar procesin e partneritetit publik, privat, do të dëshiroja që ky shembull i Bashkisë së Tiranës të merret nga të gjitha njësite e tjera vendore, pasi përbën një avantazh shumë të madh për ju. Unë jam i vetëdijshëm se problemet kryesore tuaja janë problemet financiare, se ato janë dhe tonat, por në përpjekjen e parë, në të cilën qeveria vendosi të kalojë tërësisht taksat e biznesit të vogël në autoritetin e qeverive vendore, nuk mund të them se patëm sukses të madh. E vërteta është që një numër jo i vogël bashkish dhe komunash bëri një punë të shkëlqyer në këtë drejtim, por në tërësi ato që mblidhen janë qartësisht më pak se sa duhet të ishin. Kjo përbën një problem serioz. Duhet të kemi vetëdije, ne si qeveritarë pa një disiplinë të fortë fiskale, komunat, bashkitë dhe vendi në tërësi nuk do të mund të ecë dhe të zhvillohet. Përveç taksës së biznesit të vogël, një taksë themelore në çdo demokraci, e cila nuk mund të jetë kund tjetër veçse e administruar nga ju është taksa e pronës. Mbledhja e kësaj takse, të dashur kryetarë të bashkive dhe komunave, është absolutisht në limite të papranueshme. Unë e kuptoj që të mbledhësh këtë taksë në Shalë, në Orenjë, në Frashër ka vështirësi serioze, por kjo taksë në qytete tona, kjo taksë në komunat me një gjallëri të vërtetë nuk përbën asnjë vështirësi tjetër përveç vështirësive burokratike. Përse u ndala tek kjo taksë? Shqipëria sot është shumë larg asaj Shqipërie që ekziston në mendjen e pjesës dërrmuese të shqiptarëve. Rëndom dëgjoj zyrtarë të rangjeve të ndryshëm të shprehen se ne jemi një vend i varfër, por e varfër ka mbetur mendja e tyre. Shqipëria nuk është vend i varfër. Varfëria ka mbetur në mendjen e tyre. Shqipëria në të gjithë treguesit është vend me të ardhura të mesme të larta. U ndala në këtë moment sepse me këtë koncept -Shqipëria një vend i varfër- ne përshtatim qëndrimet, qëndrojmë jashtë kohe, qëndrojmë në atë kohë, ku Shqipëria ishte vend i varfër dhe operojmë me nocione që nuk ekzistojnë më. Shqipëria nuk është vend i varfër, është vend me te ardhura të mesme të larta dhe po ju jap ju një shifër, Shqipëria sot, në banesa për frymë është më mire se 5 vende anëtarë të BE-së, është më mirë se 5 vende anëtare të OECD-se sipas censusit të fundit. Shqipëria sot ka 2.6 qytetarë për banesë, apo 384 banesa për 1 mijë banorë. Shqipëria ka mbi 330 mijë familje me 2 banesa ose më shumë. Shqipëria, pra, ka sot një klasë të mesme, produkt i procesit të këtij zhvillimi. Shqipëria ka ndërtuar nga viti 2001-2011 më shumë se çdo komb tjetër në Evropë, përveç lituanezve, në 30 vjetet e fundit. Por po të marrim taksën e pasurisë qe mblidhni ju, ajo ka mbetur te Shqipëria e varfër.
Ndaj dhe ju bëj thirrje të bëjmë gjithçka për të forcuar disiplinën fiskale. Ju garantoj se ne do të ndërmarrim hapa të tjerë të rëndësishëm për decentralizimin fiskal. Ne kemi krijuar fondin e rajoneve. Ky fond kërkon që të harmonizojmë investimet dhe të konsolidojmë rajonet. Në këtë fond zëri juaj është zëri i parë, projektet tuaja janë projekte të cilat do të miratohen sipas përparësive, por në këto përparësi unë njerëzisht ju kërkoj të përparësojmë së pari të harruarit. Ende kemi komuna të cilat nuk kanë përfituar në dy vitet e fundit asnjë projekt, ndaj dhe në studimet që bëjnë qarqet detyrimisht duhet të përparësojnë këto komunitete. Ne nuk braktisim, duhet ta kemi shumë të qartë se nga Vermoshi në Konispol, në të katër anët e këtij vendi, ne nuk kemi një pëllëmbë tokë për të braktisur, nuk kemi një komunë për të mos e zhvilluar. Aty ku ka komunitet, aty ne do të investojmë. Zotimi ynë është për të ndërtuar një infrastrukturë moderne. Problemi i tretë madhor që unë dua të sjell në vëmendjen tuaj është problemi i plehrave.
Ky është një problem i një rëndësie të jashtëzakonshme , i cili ka të bëjë para se gjithash me shëndetin e fëmijëve tanë , shëndetin e djemve, vajzave , burrave , grave, qytetarëve tanë. Ky është një problem që ka të bëjë me zhvillimin tonë. Duhet ti marrim gjërat shtruar realisht, jo në folklor. Ne kemi qenë një shoqëri rurale. Ne njëzet vjet më parë kemi qenë një shoqëri 70 % rurale dhe e kemi shumë të qartë secili prej nesh se çfarë do të thotë një shoqëri rurale. Ne kemi qenë një shoqëri tërësisht e mbyllur. Bregdeti ynë mahnitës po të heqësh Durrësin, Vlorën, Sarandën, i tëri është rural, qeveriset nga komuna. Kjo do të thotë që duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha për të vendosur standardet më të mira në mbrojtjen, pastrimin , zhvillimin e mjedisit. Nuk mundet që psikologjia jonë rurale, nuk mundet që trashëgimia jonë rurale të çojë përpara zhvillimin e mjedisit në Shqipëri. Janë standarde krejtësisht të tjera që kërkohen. Ja u them këtë se është tërësisht e domosdoshme ti prekim gjërat, ti njohim dhe të vendosim ti ndryshojmë. Ja u them këtë se në ligjet e vendit, ndër krimet e rënda janë të përcaktuara krimet ndaj mjedisit. Ju duhet të jeni gardianë kryesorë të mjedisit dhe të territorit. Vitin e kaluar kemi pritur katër milionë turistë dhe vizitorë. Nuk ka fjalë të mirë që ata nuk shkruajnë dhe nuk thonë për mikpritjen, për shërbimin, për ushqimin, por nuk gjejmë një që të mund të thotë se nuk pashë plehra. Kjo është pra një përgjegjësi shumë e madhe e jona. Në këtë kontekst duhet ta përparësojmë këtë si një çështje ndër më kryesoret. Vitin që kaloi ne pritëm 4 milion turistë dhe vizitorë, por ju garantoj se në rast se nuk vërehet një dinamikë serioze në pastrimin dhe mbajtjen e mjedisit, kjo shifër do të vijë duke zbritur dhe do të etiketohemi si vend që nuk ia vlen për tu vizituar. Imagjinoni se çfarë goditje e rëndë është kjo për imazhin dhe ekonominë e vendit. Turizmi sot është degë kryesore e ekonomisë shqiptare, leva më e fuqishme në luftën kundër varfërisë dhe jemi vetëm në gjysmë të rrugës sepse këto dy vite kanë filluar të flasin për Alpet e Shqipërisë, Evropa që njeh gurë pas guri Alpet e Zvicrës, po cilëson Alpet e Shqipërisë si Himalajet e Evropës, ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për një mjedis sa më të pastër aty ku jetojmë.
Zonja dhe zotërinj,
Problem tjetër kryesor është dhe problemi i pyllëzimit me dru frutorë të vendit. Shqipëria është vend ideal i drurëve frutore dhe frutave te cilësive më të larta, më të shijshme. Qeveria ka ndërmarrë dy projekte të mëdha, ullinjtë dhe arrorët, por qeveria qëndron prapa çdo përpjekje për dru frutorë të të gjitha llojeve. Unë ju bëj thirrje ju, kryetarëve të komunave, të ngremë fidanishte në çdo komunë, fidanishte të cilat të nxisin, të inkurajojnë prodhimin, të kenë frutat më tradicionale dhe të mbjellin të paimagjinueshmen. Ne kemi shpallur se duhet të mbjellim në 8 vjet, 250 milion rrënjë arrorë, një projekt i vështirë por absolutisht i mundshëm. Ne ju dhamë ju autoritetin që kishte Parlamenti për të dhënë tokat për këto qëllime. Ne ju dhamë ju autoritetin që kishte Parlamenti për të ndryshuar destinacionin e tokave për këto qëllime. Nuk ka asgjë më të madhe që mund të bëjë qeveritari vendor në komunën apo bashkinë e tij se sa ta shndërrojë atë në një kopësht të bukur për banorët e vet dhe për Shqipërinë. Kjo krizë ndër të tjera fakton se rruga e një zhvillimi të qëndrueshëm, e atij zhvillimi që nuk cënon gjeneratën që vjen, që i jep asaj mundësi të jetojë në kushte normale, është prodhimi gjithnjë e më i madh i komoditeteve në tërësi, ndaj dhe ju ftoj ju të shumëfishojmë përpjekjet për një zhvillim të qëndrueshëm rural, për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit në tërësi dhe ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për tu mbështetur ju në këtë nismë, por mbi të gjitha duke ju dhënë ju mundësi të administroni të ardhurat në një spektër të gjerë taksash që sot akoma nuk i keni.
Ju faleminderit!
26/03/2012