E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqiptarët do të kenë malet më të bukura në Evropë dhe brigjet ndër më të pasurat në Mesdhe

- Kryeministri në Patok: “Ju garantoj se ne do të vazhdojmë ndërtimin e rrugëve, të ujësjellësve, kanalizimeve, do të vazhdojmë të mbështesim fermerët shqiptarë në Fushëkuqe dhe kudo. Do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe rindërtojmë shkollat për fëmijët tanë, qendra shëndetësore dhe spitale. Do të vazhdojmë të ndërtojmë tullë pas tulle me lumenj djerse Shqipërinë evropiane.”

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të plotë të rrugës Autostradë-Plazh Patok, me vlerë investuese 260 milion lekë. Rruga me gjatësi 9,5 kilometër dhe gjerësi 8 metra është e ndërtuar sipas të gjitha standardeve moderne bashkëkohore.

Pas inaugurimit, kryeministri Berisha u takua me banorë të komunës së Fushëkuqes në rrethin e Kurbinit, të cilëve iu uroi rrugën e re dhe i falënderoi për mbështetjen e fuqishme që i japin qeverisë, e cila po bën realitet ëndrrat më të bukura të mbarë shqiptarëve. “Shfrytëzoj rastin tu përshëndes shumë përzemërsisht, tu falënderoj me mirënjohje të thellë për mbështetjen e fuqishme që i keni dhënë dhe i jepni qeverisë dhe qendrës së djathtë, qeverisë së integrimit, qeverisë e cila po shndërron në realitet ëndrrat më të bukura tuajat dhe mbarë shqiptarëve.”

Kryeministri u shpreh se përfundimi i kësaj rruge është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë se brenda vitit 2010, do të asfaltohen të gjitha rrugët që zbresin drejt detit. “Unë sot shpreh kënaqësinë se inaugurojmë së bashku rikonstruksionin e plotë të rrugës që lidh këtë zonë, lidh Mamurrasin dhe plazhin e bukur të Patokut, pra dhe një premtim tjetër në ngarkimet e mëdha të kësaj qeverie që brenda vitit 2010, çdo rrugë që zbret drejt detit, nga derdhja e Bunës tek Kepi i Stillos do të asfaltohet.” Sot ne inaugurojmë rrugën e re që çon në plazhin e Patokut , me një investim prej 260 milion lekë, rreth 9, 8 km e gjatë. Vetëm para një jave inauguruam rrugën që çonte në plazhin e Spillesë 15 km të gjatë. Një muaj më parë inauguruam rrugën që çon në plazhin e Tales. Edhe ajo rreth 14 deri në 15 km e gjatë, pra në po shndërrojmë në realitet, një premtim të dhënë për të kthyer vendin me sytë nga deti dhe kjo pas përfundimit të korridorit të Kombit, pas përfundimit në ditët që vijnë të rrugës së Arbrit, pas asfaltimit të të gjitha rrugëve që zbresin drejt detit shndërrohen në një realitet të papërmbajtur. Shqiptarët do të kenë malet më të bukura në Evropë dhe brigjet ndër më të pasurat në Mesdhe.”

Duke vlerësuar punën e drejtuesve lokalë të zonës, të cilët me ndjenjë të lartë përgjegjësie shqyrtojnë çdo projekt në dobi të banorëve, Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë për garantimin e të gjitha investimeve që do të ndryshojnë dhe përmirësojnë me shpejtësi jetën e tyre. “Jam këtu për tu angazhuar përpara jush, por dhe para qytetarëve të mbarë Shqipërisë dhe qytetarëve të Tiranës se kjo qeveri do të garantojë të gjitha investimet në mënyrë që jeta juaj të ndryshojë me shpejtësi. Vetëm në qarkun e Kurbinit kemi investuar këto katër vite, më shumë se 20 vite të marra së bashku dhe unë ju garantoj se në vitet që vijnë do të jenë investime dhe më madhore.”

Duke iu drejtuar banorëve, kryeministri kërkoi që pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, të ecin përpara me besimin se Shqipëria do të ndryshojë çdo ditë e më shumë pamjen e saj drejt një Shqipërie tërësisht evropiane. “Ndaj të dashur qytetarë dhe qytetare, le të vazhdojmë së bashku pavarësisht nga bindjet politike. Sot shqiptarët janë anëtarë të NATO-s. Sot shqiptarët shohin vendin e tyre që ndryshon çdo ditë e më shumë. Sot shqiptarë shohin se rrogat dhe pensionet e tyre pavarësisht nga kriza botërore rriten nga viti në vit. Sot shqiptarët shohin se shkollat e fëmijëve të tyre ndërtohen nga viti në vit. Sot ata shohin se investimet e huaja rriten nga viti në vit. Sot ata janë më të sigurt se kurrë se do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën.

Edhe njëherë ju garantoj se ne do të vazhdojmë ndërtimin e rrugëve, të ujësjellësve, kanalizimeve, do të vazhdojmë të mbështesim fermerët shqiptarë në Fushëkuqe dhe kudo. Do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe rindërtojmë shkollat për fëmijët tanë, qendra shëndetësore dhe spitale. Do të vazhdojmë të ndërtojmë tullë pas tulle me lumenj djerse Shqipërinë evropiane.”


06/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›