Kryeministri Berisha: Sistemi i dixhitalizimit të gjykatave shënon një hap të jashtëzakonshëm e cilësor në drejtim të vendosjes së transparencës

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e portalit më të ri të Shqipërisë dixhitale, portalin e sistemit gjyqësor shqiptar, në Ministrinë e Drejtësisë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishte ministri i Drejtësisë, përfaqësues të EURALIUS dhe delegacionit të Bashkimit Evropian, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, gjykatës të vendit etj.
Ky portal, pjesë e projektit të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë, synon, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë moderne, përmirësimin e shërbimit administrativ dhe procedural në Gjykata, në kuadër të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve.
Portali online i Gjykatave shqiptare, është i përbërë nga 32 website. Gjykata e Lartë, çdo gjykatë Apeli, çdo gjykatë e shkallës së parë, ka website-in e saj në këtë portal, në të cilin gjendet informacion i personalizuar për atë Gjykatë.
Sistemi aktual i menaxhimit të çështjeve transformohet nga një sistem i decentralizuar të dhënash për secilën gjykatë, në një sistem të përqendruar. Ky sistem garanton gjurmimin e çështjes nga momenti i paraqitjes në gjykatë, deri në përfundimin në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshi ekzekutimin.
Portali krijon një arkiv të plotë dixhitale për të gjithë praktikën gjyqësore në Shqipëri, duke përfshirë edhe të dhënat e sistemit audio recording.
Me veprime shumë të thjeshta, mund të përdoret lehtësisht nga çdo qytetar apo person i interesuar. Qytetarët mund të marrin online 24 orë në 24 informacion të detajuar për çështjet në gjykim, nga momenti i paraqitjes së padisë, hedhjes së shortit, kalendarin dhe vendin e seancave gjyqësore dhe të gjithë indikatorët e performancës së administratës gjyqësore. Me sistemin e gjurmimit, publiku është në gjendje tani për të parë veten si pjesë e përfshirë, me komunikim në kohë reale dhe të drejtpërdrejtë me sistemin gjyqësor.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se inaugurimi i sistemit të dixhitalizimit të gjykatave shënon një hap të jashtëzakonshëm, cilësor në drejtim të vendosjes së transparencës, në të gjithë veprimtarinë e trupave tona gjykuese në mbarë vendin. Kryeministri përgëzoi Ministrinë e Drejtësisë dhe ekipet që realizuan këtë sistem, i cili pas shtrirjes së internetit në mbarë shkollat e vendit dhe dixhitalizimin e gjendjeve civile, përbën investimin e tretë më të madh në vend, në projektin e Shqipërisë dixhitale.
Kryeministri Berisha tha se, “ky sistem, ka një rëndësi të madhe së pari për shoqërinë shqiptare, sepse nënkupton qytetari në gjykata. Publikimi në gjykatë, nënkupton realizmin e së drejtës së çdo qytetari për tu njohur në çdo qelizë së veprimtarisë suaj. Në këtë kuptim është një hap i madh i këtij pushteti themelor, për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, pra është një hap i madh drejt qytetarit”.
Kryeministri theksoi se ky portal është një arritje e madhe për vendin tonë sepse lëshon rrezet e diellit në çdo labirinth të veprimtarisë së gjykatësve dhe shprehu sigurinë se përbën gjithashtu një ndihmë të jashtëzakonshme dhe për anëtarët e trupave gjykuese të vendit pasi përbën një mekanizëm i cili do ti ndihmojë ata për të rritur shkallën e përgjegjshmërisë, por do të bëjë që publiku shqiptar të vlerësojë gjithnjë e më shumë punën, seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e tyre në zbatim të ligjeve të vendit. Kryeministri theksoi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ketë në këtë sistem, një sistem ndihme shumë të madhe për të vlerësuar në procesin e promovimit mbi bazën e meritës, secilin gjykatëse apo gjykatës të vendit.
Kryeministri Berisha shprehu gjithë gatishmërinë e qeverisë për të mbështetur adaptimin e teknologjive më të mira në ushtrimin e veprimtarisë së gjyqësorit. Duke e vlerësuar dixhitalizimin e sistemit të drejtësisë si një hap shumë të madh përpara në drejtim të transparencës, Kryeministri Berisha u shpreh se vendime të tjera të rëndësishme duhen ndërmarrë për transparencën dhe një nga këto vendime, është heqja apo kufizimi i imunitetit. “Ne duhet të ndihemi krenarë,- tha Kryeministri Berisha, - me kërkesën tonë për të kufizuar apo hequr imunitetin, sepse kjo do të na bëjë ne më transparentë , kjo do të na bëjë ne më të barabartë para ligjit me qytetarët tanë”. Ai u shpreh se imuniteti, kufizimi dhe heqja e tij, nuk synon asgjë tjetër veçse parandalimin dhe qëndrimin ligjor ndaj të gjitha rasteve që pushteti përdoret për favore për pasurim të paligjshme.
"Jam i bindur se kjo do të përbëjë një zhvillim shumë pozitiv për legjislacionin shqiptar, për drejtuesit e institucioneve shqiptare, por jam i bindur se kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv për çdo gjykatës dhe gjykatëse të këtij vendi dhe do të rrisë në mënyrë të ndjeshme përgjegjshmërinë e tij, respektin e qytetarëve ndaj tij" theksoi kryeministri.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë inaugurim Kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar z. Ministër
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë
Përfaqësues të Komisionit Europian, të misionin EURALIUS
Të nderuar gjykatës dhe gjykatëse
Sot për sistemin e drejtësisë, për vendin tonë, për mbarë shoqërinë shqiptare është një ditë e veçantë dhe shumë e rëndësishme. Ne inaugurojmë sot sëbashku sistemin e dixhitalizimit të gjykatave të vendit, të proceseve të këtyre gjykatave, duke shënuar kështu një hap të jashtëzakonshëm e cilësor në drejtim të vendosjes së transparencës në të gjithë veprimtarinë e trupave tona gjykuese në mbarë vendin. Është një rast i veçantë për mua t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta gjykatësve dhe gjykatëseve të të gjithë vendit dhe t’ju uroj në këtë ditë, të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim për Komisionin Europian ndihmën e tij bujare, Bankën Botërore, ky është një financim i këtyre institucioneve, por edhe qeveria shqiptare ka kontributin e vet. Të përgëzoj ekipet që realizuan këtë sistem, i cili pas shtrirjes së internetit në mbarë shkollat e vendit, dixhitalizimin e gjendjeve civile, përbën investimin e tretë më të madh në vend në projektin e Shqipërisë dixhitale.
Dua të përgëzoj Ministrinë e Drejtësisë, ministrin Halimi, për seriozitetin me të cilin ka trajtuar dhe trajton të gjithë procesin e shndërrimit të sistemit tonë të drejtësisë në një sistem dixhital, sistem i cili ju ofron qytetarëve shqiptarë shërbimet më të shkëlqyera, më të shpejta, më të mira.
Por ky sistem që ne inaugurojmë sot, ka një rëndësi të madhe së pari për shoqërinë shqiptare, sepse ky sistem nënkupton qytetari në gjykata, publikimi në gjykatë nënkupton realizmin e së drejtës së çdo qytetari për tu njohur në çdo qelizë së veprimtarisë suaj. Në këtë kuptim është një hap i madh i këtij pushteti themelor, për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, pra është një hap i madh drejt qytetarit.
Të nderuar gjykatës dhe gjykatëse
Kjo është një arritje e madhe për vendin tonë, sepse lëshon rrezet e diellit në çdo labirinth të veprimtarisë suaj dhe jam i sigurt se kjo përbën një ndihmë të jashtëzakonshme, në radhë të parë për ju anëtarët e trupave gjykuese të vendit. Kjo përbën një mekanizëm, një proces, i cili do t’ju ndihmojë ju për të rritur shkallën e përgjegjshmërisë, por do të bëjë që publiku shqiptarë të vlerësojë gjithnjë e më shumë punën tuaj, seriozitetin tuaj, përgjegjshmërinë tuaj, në zbatim të ligjeve të vendit. Ky sistem i jep mundësi prodhimit të statistikave më të rëndësishme, të cilat duhet të jenë një shtyllë themelore në promovimin tuaj. Jam i bindur se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ketë në këtë sistem, një sistem ndihme shumë të madhe për të vlerësuar në procesin e promovimit mbi bazën e meritës, secilin gjykatëse apo gjykatës të vendit.
Për çdo vend këto janë procese të rëndësishme, për ne janë dy herë më të rëndësishme, sepse ne, vijmë nga tradita e territ dhe e errësirës, e mbylljes dhe psikologjisë bunker. Traditë kjo, e cila duhet ta pranojë se në mënyrë instiktive bën shpesh që zyrtarët e të gjitha pushteteve të janë të rezervuar në raport me të dhënat për publikun, në një kohë kur, të gjitha ato të dhëna janë të publikut dhe para së gjithash të atij. Ky sistem na ndihmon neve shumë dhe në tërësi një nga qëllimet më madhore të Shqipërisë dixhitale është shkëputja nga një e shkuar e prapambetur dhe kapja e niveleve të reja të zhvillimit.
Ministria e Drejtësisë ka vërtet me se të krenohet, sepse gjatë muajve të fundit ka shënuar hapa shumë të rëndësishme dhe unë dua ti përgëzoj të gjitha ekipet e IT të kësaj ministrie dhe institucioneve të tjera për punën e shkëlqyer që kanë bërë, por të falenderoj të gjithë ekspertët e huaj për kontributin e çmuar që dhanë në këto procese dhe t’ju siguroj ju se, qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur adaptimin e teknologjive më të mira në mbështetje të veprimtarisë suaj. Qeveria do të bëjë gjithçka për t'ju mbështetur ju dhe shpresoj që së shpejti ligji për Gjykatën e Lartë të votohet në Parlament, në të cilin i kam kërkuar ministrit të amendohet neni, që proporcionin rrogën tuaj me rrogën e kryegjykatësve të vendit, pasi në politikën e kësaj qeverie është ngushtimi i diferencave të rrogave, por kjo nuk do të thotë se këtë faturë ta paguajnë gjykatësit e tjerë, pse nuk do të rriten rrogat e larta. Unë jam dhe mbetem i vendosur që ju, të shpërbleheni në mënyrë dinjitoze për punën e rëndësishme që bëni , të mbështesim me të gjitha mënyrat konsolidimin e pavarësisë suaj, si një kusht që liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë të garantohen dhe respektohen gjithnjë e më shumë.
Zonja dhe zotërinj.
Sigurisht që ky është një hap shumë i madh përpara në drejtim të transparencës, por vendime të tjera të rëndësishme na përkasin ne të ndërmarrim për transparencën tonë dhe një nga këto vendime, gjykoj dhe jam i bindur, është heqja apo kufizimi i imunitetit. Ne duhet të ndihemi krenarë me kërkesën tonë për të kufizuar apo hequr imunitetin, sepse kjo do të na bëjë ne më transparentë, kjo do të na bëjë ne më të barabartë para ligjit me qytetarët tanë. Në mënyrë të padiskutueshme funksioni i çdo zyrtari në këtë vend është mbrojtur dhe do të mbrohet, por fatkeqësi e madhe është në rast se pushteti përdoret për pasurime të paligjshme dhe imuniteti, kufizimi dhe heqja e tij, nuk synon asgjë tjetër veçse parandalimin, veçse qëndrimin ligjor ndaj të gjitha rasteve që pushteti përdoret për favore për pasurim të paligjshme.
Jam i bindur se kjo do të përbëjë një zhvillim shumë pozitiv për legjislacionin shqiptar, për drejtuesit e institucioneve shqiptare, por jam i bindur se kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv për çdo gjykatës dhe gjykatëse të këtij vendi dhe do të rrisë në mënyrë të ndjeshme përgjegjshmërinë e tij, respektin e qytetarëve ndaj tij.
Dhe njëherë ju përgëzoj përzemërsisht për këtë sistem të mrekullueshme që instaluat dhe ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka, për çdo hap modernizimi të mëtejshëm të veprimtarisë suaj, në mënyrë që ju ta keni më transparente, më te lehtë, më të sigurt punën tuaj.
Faleminderit.
31/07/2012