E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Drejtorin për zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme, në Mbretërinë e Bashkuar, zotin Ouen Jenkins

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme, në Mbretërinë e Bashkuar, zotin Ouen Jenkins, i cili shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, zoti Nicholas Cannon OBE.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Jenkins për kontributin e Mbretërisë së Bashkuar dhënë Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit dhe në mënyrë të veçantë për kontributin e dhënë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Nga ana e tij, Drejtori për zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme, të Mbretërisë së Bashkuar, zoti Ouen Jenkins e falenderoi kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu interesin e Mbretërisë së Bashkuar për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Në këtë kontekst zoti Jenkins pasi vlerësoi arritjet e bëra që nga marrëveshja e nëntorit 2011 për reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe ligjet me shumicë të cilësuar, shprehu besim se me vullnetin e të gjitha palëve ekzistojnë të gjitha mundësitë që këto reforma të përmbyllen në kohë. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të asistuar në reformat e nevojshme për përmbushjen e prioriteteve në kuadër të integrimit evropian.

Kryeministri nga ana e tij vlerësoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për dhënien e asistencës për reformat. Kryeministri Berisha çmoi procesin e zgjedhjes së Presidentit  të vendit si një proces i cili respektoi si germën, ashtu edhe frymën e Kushtetutës. Kryeministri theksoi se mazhoranca bëri të gjitha përpjekjet për konsensus dhe se zgjedhja e presidentit erdhi përmes një procesi negociatash dhe konsultimesh mes faktorëve politikë.

Në lidhje me marrëveshjen e nëntorit 2011 kryeministri çmoi se në tërësi palët e kanë respektuar atë marrëveshje dhe me kontribut të përbashkët është arritur plotësimi i pjesës më të madhe të angazhimeve të asaj marrëveshje. Kryeministri vlerësoi se palët kanë bërë punë shumë të përgjegjshme në reformën zgjedhore dhe atë parlamentare dhe se çështjet e mbetura janë plotësisht të zgjidhshme. Kryeministri e siguroi zotin Jenkins për vullnetin e plotë pozitiv të mazhorancës për të kontribuar në zgjidhjen sa më shpejtë të çështjeve të mbetura.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon. Drejtori për zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Mbretërinë e Bashkuar, zoti Ouen Jenkins vlerësoi rolin e vazhdueshëm pozitiv të Shqipërisë si faktor kyç për stabilitetin dhe paqen në rajon. Nga ana e tij, kryeministri theksoi rolin e  rëndësishëm që ka  procesi i integrimit evropian dhe perspektiva e qartë në këtë drejtim për të gjitha vendet e rajonit në kuadër të paqes stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.


19/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›