Kryeministri Berisha: Synimi ynë kryesor, kompletimi dhe fuqizimi i infrastrukturës drejt detit
E gjithë përpjekja jonë është përpjekje për të kthyer kombin për së mbari dhe, për së mbari është kombi që shikon nga deti.
Në mënyrë absolute, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë që të çon drejt detit, të pa asfaltuar.
Ne jemi angazhuar të kompletojmë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe t’u kthehemi edhe zonave malore, në mënyrë që edhe atje të ecim drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit.
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e rrugës Tale – Lezhë. Rruga, me gjatësi rreth 10 kilometra, është realizuar me investim të buxhetit të shtetit.
Kryeministri Berisha e konsideroi rrugën shumë të rëndësishme në rrjetin infrastrukturor në vend, i cili synon ta kthejë kombin drejt detit.
“Kjo është një nga drejtimet më kryesore të qeverisë. Në këtë mënyrë, ne nxisim edhe njëherë zhvillimin e kombit në brigjet e detit. E gjithë përpjekja jonë është përpjekje për të kthyer kombin për së mbari dhe, për së mbari është kombi që shikon nga deti”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri u ndal në projektet e tjera shumë të rëndësishme në infrastrukturë që priten të inaugurohen në vijim si rruga Mamurras - Patok, unaza e qytetit të Laçit dhe fillimi i punimeve për stadiumin, inaugurimi i rrugës së Patokut, inaugurimi i 2 loteve të rrugës së Arbrit, që zbresin deri në Klos, etj.
“Nga Velipoja, deri në Ksamil, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë që të çon drejt detit, të paasfaltuar”, theksoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri siguroi se qeveria është tërësisht e angazhuar të kompletojë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe t’u kthehet edhe zonave malore, në mënyrë që edhe atje të ecet drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit.
Gjithashtu, Kryeministri garantoi se 4 vitet e ardhëm do të jenë vitet e ndërtimit të ujësjellësve dhe të garantimit të ujit të pijshëm 24 orë. Do të jenë gjithashtu vitet e ndërtimit të një sistemi modern ujitjeje, ndër më bashkëkohorët, në mënyrë që fermat shqiptare të jenë konkurruese dhe të qëndrojnë denjësisht krahas fermave më të zhvilluara europiane.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetarë të Tales dhe Shënkollit,
Ju përshëndes përzemërsisht me mirënjohjen më të thellë dhe ju falënderoj për mbështetjen e madhe që i dhatë mazhorancës aktuale më 28 qershor.
Dua të shpreh kënaqësinë time të madhe që, së bashku me ju, inaugurojmë sot lotin e fundit të rrugës Tale- Bregdet, rrugë kjo me gjatësi prej rreth 10 kilometra. Kjo është një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme, së pari, për banorët e kësaj zone, sepse u jep atyre mundësinë që të tregtojnë më shpejt prodhimet e tyre të mrekullueshme. Shënkolli është një nga zonat bujqësore më të fuqishme të vendit.
Por rruga është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme për infrastrukturën, e cila synon ta kthejë kombin drejt detit. Ky është një nga drejtimet më kryesore të qeverisë sime. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që qytetarët shqiptarë të kthejnë sytë nga deti, të prekin detin, të ndjehen sa më pranë tij. Këtë vit, në kronika të përsëritura televizive, kam parë me kënaqësi se plazhi juaj ka qenë më i populluar se asnjëherë tjetër. Ju garantoj se vitin që vjen, plazhi i Tales, do të jetë një nga më të kërkuarit, një nga më të preferuarit, sepse i ka të gjitha bukuritë, ka të gjitha kushtet, ka një rërë të mrekullueshme, ka detin ndër më të pastrit dhe ka mbështetjen për furnizim ndër më të shkëlqyerat. Në këtë mënyrë, ne nxisim edhe njëherë zhvillimin e kombit në brigjet e detit. E gjithë përpjekja jonë është përpjekje për të kthyer kombin për së mbari dhe, për së mbari është kombi që shikon nga deti. Ne po përfundojmë ndërtimin e kësaj rruge, pas disa ditësh do të inaugurojmë rrugën Mamurras - Patok dhe, nga Velipoja, deri në Ksamil, në mënyrë absolute, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë që të çon drejt detit, të pa asfaltuar.
Shqipëria nuk ka nevojë për fjalë, ka nevojë për vepra, ka nevojë për punë, ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për investime. Kjo është ajo për të cilën zotohemi ne. Ndaj edhe unë ju garantoj se në komunën tuaj, do të mbështesim dhe financojmë çdo projekt tuajin. Por, nga ana tjetër, jemi dëshmitar edhe të ndryshimeve të mëdha që ka pësuar kjo komunë gjatë 3 viteve të fundit. Edhe më të mëdha do të jenë ndryshimet gjatë viteve që vijnë.
Ne jemi angazhuar të kompletojmë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe t’u kthehemi edhe zonave malore, në mënyrë që edhe atje të ecim drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit.
Vëllezër e motra,
Sa për pjesën tjetër, ajo që mund të them për ta, është: “shih e shkruaj”. Ajo që ndodhi dje me ta, për shumë të rinj që patën fatin e madh e të mirë që të mos përjetonin asnjë ditë në diktaturë, mund të kalojë si një gjë e parëndësishme. Por për ne, që kemi përjetuar për dekada diktaturën, ai ishte rikthimi i të shkuarës më të zezë të historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, me një emër të ri. Pas 18 vitesh, u mblodhën në errësirë, në terr informative dhe, nuk lejuan kamerat të marrin qoftë edhe një pamje të vetme e t’u tregonte shqiptarëve se çfarë po ndodhte.. Errësira është kriteri i tij, terri është kriteri i vërtetë i tij. Ai ishte një atavizëm i atij që ka frikë nga vetja e tij, ka frikë nga rrezja e dritës. Pas 9 orë takimi të fshehtë, sikur të ishte plenium i Komitetit Qendror, zgjodhi për fytyrë të re për të komunikuar me publikun, ish Ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçin.
Më lejoni këtu, që, në emrin tuaj, t’i deklaroj z. Rama se ne respektojmë plotësisht Partinë Socialiste dhe çdo forcë tjetër politike, si një pasuri të madhe të pluralizmit të vendit. Por disa rregulla dhe standarde janë të detyrueshme. Ne nuk merremi me faktin se kush vjen e kush rri në krye të partisë, nuk merremi me faktin nëse iu pre apo jo mandati ndokujt, sepse ato janë probleme të statutit të tyre. Por, ne merremi me transparencën dhe me disa standarde, sepse nuk mundesh që ta përdorësh lirinë për të zhytur në errësirë një forum të tërë, nuk mundesh të vesh mure komunikimi me publikun. Megjithatë, meqenëse ai është në panik dhe në dëshpërim të madh, tek e fundit, le t’ia falim edhe kësaj here, sepse nuk di se ç’bën. “Falja Zot se nuk di se ç’bën”, kaq mund të themi për të.
Ne le të vazhdojmë punën, jo me fjalë, por me vepra. Kam shumë kënaqësi që ne vazhdojmë këtë verë me dhjetëra e dhjetëra inaugurime. Së shpejti, inaugurojmë unazën e qytetit të Laçit, do të inaugurojmë edhe fillimin e punimeve për stadiumin atje, do të inaugurojmë rrugën e Patokut, do të inaugurojmë rrugën e Arbrit, në dy lote që zbresin deri në Klos. Vitin që vjen, krahas kësaj rruge të madhe, do të bëjmë çmos që të shpejtohen punimet për rrugën tjetër. Duhet që shqiptarët, kudo që janë, të ndjejnë se kanë edhe bregdet, të ndjejnë se ata mund të pushojnë në vendin e tyre, mund të pushojnë në Shqipëri. Duhet që Shqipëria të marrë peshën dhe rëndësinë që i ka dhënë pozicioni gjeografik, portet e saj duhet të jenë portet më të rëndësishme të rajonit. Ndaj do ta bëjmë e shpejtësi të madhe edhe atë rrugë dhe ajo do të sjellë turistë, do të sjellë mallra shumë më tepër.
Unë ju garantoj se 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e ndërtimit të ujësjellësve dhe të garantimit të ujit të pijshëm 24 orë, për ju dhe për mbarë shqiptarët. Do të jenë gjithashtu vitet e ndërtimit të një sistemi modern ujitjeje, ndër më bashkëkohorët, në mënyrë që fermat tuaja të krahasohen, të jenë në garë dhe të qëndrojnë denjësisht krahas fermave më të zhvilluara evropiane. Shënkolli evropian, Lezha evropiane, Shqipëria evropiane, janë zotimi ynë. Edhe njëherë, urimet më të mira”.
30/07/2009