Kryeministri Berisha: Votimi i rezolutës për heqjen e vizave për Shqipërinë, nga Parlamenti Evropian, dëshmi e respektit të madh për lirinë e qytetarëve shqiptarë
- Kryeministri theksoi se vota e sotme në PE ishte vlerësim i ndershëm dhe miqësor i të gjitha përpjekjeve të qeverisë shqiptare, por jo vetëm të qeverisë , por të të gjitha institucioneve të vendit që me përkushtim të madh punuan për të konkretizuar dhe për të shndërruar në realitet të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të KE për heqjen e vizave.
- Kryeministri Berisha siguroi se qeveria po punon me intensitetin dhe seriozitetin më të madh, për të plotësuar edhe tre rekomandimet e rëndësishme të KE, të njoftuara nga Komisionerja Malmstrom.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha informoi qytetarët shqiptarë se Parlamenti Evropian votoi sot, pothuajse në unanimitet të plotë, rezolutën për heqjen e vizave për Shqipërinë. “Sot kam kënaqësinë të informoj qytetarët shqiptarë se Parlamenti Evropian, Komisioni i jashtëm i KE votoi pak më parë, pothuajse në unanimitet të plotë, vetëm 1 votë kundër dhe 59 pro, rezolutën për heqjen e vizave për Shqipërinë.”
Duke e vlerësuar këtë votë si historike dhe shumë të rëndësishme për Shqipërinë, kryeministri Berisha shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë, për votëbesimin e shkëlqyer, që parlamentarët evropianë dëshmuan ndaj qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha siguroi se qeveria po punon me intensitetin dhe seriozitetin më të madh, për të plotësuar edhe tre rekomandimet e rëndësishme të KE, të njoftuara nga Komisionerja Malstrom.
Kryeministri theksoi se vota e sotme në parlamentin Evropian ishte vlerësim i ndershëm dhe miqësor i të gjitha përpjekjeve të kësaj qeverie, por jo vetëm të qeverisë, por të të gjitha institucioneve të vendit që me përkushtim të madh punuan për të konkretizuar dhe për të shndërruar në realitet të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të KE, për heqjen e vizave. “Ka qenë ky seriozitet i institucioneve të vendit, i qeverisë shqiptare, reformat e thella, të cilat zhduken çdo lloj hezitimi për tu dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë, në hapësirën e BE-së qytetarëve shqiptarë. Këto janë një vlerësim i seriozitetit të madh me të cilin ne kemi trajtuar këtë çështje duke qenë të bindur se çdo reformë, çdo çmim apo ligj ishte i dobishëm dhe i domosdoshëm, për të garantuar qytetarëve shqiptarë, një dimension të ri, të madh, në lirinë e lëvizjes së tyre, atë të heqjes së vizave për lëvizjen në BE.”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri shprehu gjithashtu falënderimet për të gjithë qeveritarët, punonjësit, zyrtarët e institucioneve të vendit, për përpjekjet e tyre serioze, në përmbushjen detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi i vizave “ Dua të falënderoj të gjithë qeveritarët, zyrtarët, punonjësit e mbi 40 institucioneve të këtij vendi , të cilët kanë bërë përpjekjet më të mëdha, më serioze, më të suksesshme për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi i heqjes së vizave.”
- Gjithashtu gjatë kësaj mbledhje, kryeministri Berisha njoftoi se Shqipëria merr sot çmimin e dytë në botë, për transparencën, duke u bërë vendi i parë me prokurime elektronike 100%. Ky çmim prestigjioz i akorduar nga OKB jepet sot në Lisbonë.
- Ndër të tjera, në mbledhjen e sotme, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Arsimit marrjen e masave, për funksionimin sa më të mirë, të bibliotekave të shkollave, për pasurimin e tyre me veprat e korifenjve të letërsisë shqipe, si dhe të të gjithë shkrimtarëve shqiptarë të mirënjohur brenda dhe jashtë vendit. “Duhet të bëjmë një betejë shumë të madhe, që libri të udhëheqë të gjithë procesin e pasurimit të gjuhës.” u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot kam kënaqësinë të informoj qytetarët shqiptarë se Parlamenti Evropian, komisioni i jashtëm i KE votoi pak më parë, pothuajse në unanimitet të plotë, vetëm 1 votë kundër dhe 59 pro, rezolutën për heqjen e vizave për Shqipërinë. Kjo përbën një votë historike në këtë parlament për qytetarët e Shqipërisë, ndaj dhe dua me këtë rast tu shpreh falënderimet e mija, tu shpreh mirënjohjen e thellë, për votëbesimin e shkëlqyer që dëshmuan parlamentarët evropianë ndaj qytetarëve shqiptarë. Ti siguroj gjithashtu se qeveria po punon me intensitetin dhe seriozitetin më të madh, për të plotësuar dhe tre rekomandimet e rëndësishme të Komisionit Evropian të njoftuara nga Komisionerja Malstrom, me rastin e njoftimit të vendimit të Këshillit të Komisionerëve për të propozuar heqjen e vizave për Shqipërinë.
Dita e sotme shënon një arritje madhore në procesin e heqjes përfundimtare të vizave, proces në të cilin, sipas traktatit të Lisbonës, Parlamenti Evropian ka një zë përcaktues. Vota e sotme në parlamentin Evropian ishte vlerësim i ndershëm dhe miqësor i të gjitha përpjekjeve të kësaj qeverie, por jo vetëm të qeverisë, por të të gjitha institucioneve të vendit, që me përkushtim të madh kanë punuar për të konkretizuar, për të shndërruar në realitet të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të KE për heqjen e vizave.
Ka qenë ky seriozitet i institucioneve të vendit, i qeverisë shqiptare, reformat e thella, të cilat zhdukën çdo lloj hezitimi, për tu dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë, në hapësirën e BE-së qytetarëve shqiptarë. Këto vendime janë një vlerësim i seriozitetit të madh, me të cilin ne kemi trajtuar këtë çështje duke qenë të bindur se cdo reformë, çdo çmim apo ligj ishte i dobishëm dhe i domosdoshëm për të garantuar qytetarëve shqiptarë një dimension të ri, të madh, në lirinë e lëvizjes së tyre, atë të heqjes së vizave për lëvizjen në BE. Procesi është i pandalshëm. Pritet që gjatë korrikut të vijnë edhe një herë, siç është lënë, përfaqësuesit e komisionit, i cili funksionon siç e kam theksuar edhe njëherë, me parimin e Shën Thomait, vjen dhe i prek gjërat në vend. Në fakt ky është parimi i së drejtës dhe ata do të vijnë tek agjencitë tona, do të konstatojnë të gjithë seriozitetin, me të cilin ne kemi marrë porositë e tyre. Kam shumë kënaqësi të konstatoj se për një nga kërkesat më kryesore, që ishte strategjia për rintegrimin e personave që mund të krijonin keqkuptime dhe mund të mendonin se mund të qëndronin më shumë se 90 ditë, u bë një punë e shkëlqyer, si nga Ministria e Punës dhe çështjeve sociale, ashtu dhe nga Ministria e Brendshme dhe departamenti i strategjive, të cilët me një punë intensive ia dolën të paraqesin një strategji dhe pas konsultimeve të gjera, ia dolën të paraqesin një strategji plotësisht të besueshme, plotësisht të zbatueshme, për integrimin e personave që mund të keqkuptojnë dhe mendojnë se mund të qëndrojnë më gjatë, që në të vërtetë nuk mund të qëndrojë askush më shumë se 90 ditë.
Po kështu kam kënaqësinë tu informoj se në linjën e dytë të konsolidimit të stafeve dhe në disa sektorë me rëndësi të veçantë, për heqjen e vizave, në ministrinë e Brendshme janë bërë rialokimi i të gjitha burimeve njerëzore dhe financiare, kështu që komisionerët ose inspektorët që vijnë do të gjejnë një situatë, në të cilën qeveria ka trajtuar tre rekomandimet, me seriozitetin më të madh. Lufta me vendosmëri për zbatimin e ligjit të konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar, po njeh nivele të reja dhe ndryshime të domosdoshme ligjore janë në parlament, në funksion të zbatimit të këtij ligji, ndërsa të tjera vijnë së shpejti në qeveri dhe do të kalojnë.
Sot, gjithashtu është një ditë tjetër e veçantë për Shqipërinë, sepse merr çmimin e dytë në botë, për transparencën, duke u bërë vendi i parë me prokurime elektronike 100 %. Sot, OKB jep në Lisbonë, cmimin e saj më prestigjioz që ajo ka.
Pra e vërteta është që reformat e ndërmarra, serioziteti i zbatimit të tyre bënë që procesi i heqjes së vizave, kaq shumë i pritur nga shqiptaret dhe ndofta me të drejtë, më tepër se sa të tjerët u bë një process i pandalshëm, i parikthyeshëm, që po ecën në kursin normal dhe pritet që vendimet të merren tani. Kjo votë kishte një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse kjo votë e theksoj edhe një herë, në traktatin e Lisbonës, Parlamenti Evropian, në çështjen e heqjes së vizave dhe në shumë çështje të tjera ka një fuqi të veçantë, shumë më të mëdha se sa i ka patur më parë.
Ndaj dua dhe njëherë ta mbyll, duke iu shprehur mirënjohjen më të thellë, miqve të Shqipërisë, të cilët u bënë promotorë të kësaj rezolute, të falënderoj me mirënjohje të gjithë ata që e votuan sepse me votën e tyre dëshmuan një respekt të madh, për lirinë e qytetarëve shqiptarë dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe institucioneve të këtij vendi për të përmbushur detyrimet. Gjithashtu dua të falënderoj të gjithë qeveritarët, zyrtarët, punonjësit e mbi 40 institucioneve të këtij vendi, të cilët kanë bërë përpjekjet më të mëdha, më serioze, më të suksesshme për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi i heqjes së vizave. Kjo ishte çështja më kryesore që doja të trajtoja.
Po kështu dua të sjell në vëmendje të Ministrit të Arsimit, problemin e bibliotekave të shkollave. Ne japim një fond të përvitshëm për këto biblioteka, por ende nuk mund të themi se ato janë ndërtuar mbi bazën e parimeve që duhet të ndërtohen. Mendoj, që në bibliotekat e shkollave tona është jetike dhe e domosdoshme që të gjenden veprat e korifenjve të letrave shqipe, si të rilindësve, por edhe të Ismail Kadaresë dhe bashkëkohësve të tjerë, Fatos Kongolit, vepra të tjera të botuara, të shkrimtarëve shqiptarë, që kanë fituar një publik të gjerë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit dhe që përbëjnë një krenari.
Ndaj, zoti ministër veprat e Kadaresë duhet të gjenden në të gjitha bibliotekat e shkollave. Nuk mund të bëhte fjalë për lirik dhe të mos gjendet Lasgush Poradeci, i cili është një Robert Burns i vërtetë për shqiptarët. Nuk mund të bëhet fjalë për epikën dhe të mos jetë Gjergj Fishta, kollos evropian dhe botëror i kësaj gjinie. Nuk mund të diskutohet që duhet të jenë rilindësit, si Naimi, Cajupi, De Rada, Dara.
Gjithashtu “Albumi” i Nolit. është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jenë përkthimet e mëdha, në të cilat spikat në mënyrën më të mahnitshme gjenia e tyre krijuese. Nuk mund të mos jenë përkthimet e Nolit, ku në pasazhe të tëra del më Shekspir se sa Shekspiri, apo Lasgushi, më Burns se sa vetë Burns, apo Skënder Luarasi me Hajnen , me Gëte dhe me shumë të tjera, apo Vedat Kokona, Pashko Gjeçi këta janë të domosdoshëm sepse po mbeti gjuha tek ekranet e ketyre televizioneve ajo dio ta ketë të vështirë, prandaj duhet të bëjmë një betejë shumë të madhe, që libri të udhëheqë të gjithë procesin e pasurimit të gjuhës. Ndaj dhe do të doja që këto fonde modeste në mënyrë të përcaktuar të plotësojnë këto vende.
23/06/2010