Kryeministri Berisha: Zërat për mungesë fondesh në shpërndarjen e rrogave janë abuzive dhe të pavërteta
- - Personat me aftësi të kufizuar kanë qenë, janë dhe do të mbeten në qendër të vëmendjes së qeverisë
Kryeministri Berisha sqaroi sot në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave se arsyet e disa vonesave në shpërndarjen e rrogave dhe pensioneve, si dhe të pagave për një pjesë të invalidëve. Kryeministri u shpreh se zërat për mungesë fondesh janë abuzive dhe të pavërteta. “E vërteta është se nuk ka patur dhe nuk ka as edhe një mungesë të asnjë lloj fondi, në mënyrë kategorike. Ka patur një mosparaqitje të listpagesave të zyrave të financave, por rroga pa list-pagesa nuk mund të jepet dhe ky është një ligj themelor. Ato do të bëhen dhe do ti marrin që të gjithë dhe i kanë marrë ose do i marrin pa asnjë lloj vështirësie.” tha kryeministri.
Përsa i përket shpërndarjes së pagesave për kategorinë e individëve me aftësi të kufizuar (paraplegjikë dhe tetraplegjikë), kryeministri bëri të ditur se kjo vonëesë ka ardhur për dy shkaqe kryesore, së pari se në përllogaritjet e faturës së energjisë elektrike ka patur një abuzivitet të papranueshëm dhe për këtë arsye qeveria u detyrua të ndërrojë praktikën, si dhe për arsye se autoritet vendore në disa komuna dhe bashki të caktuara nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës për të siguruar një shpërndarje të shpejtë dhe brenda afateve të kësaj pagese.
Duke garantuar se kjo kategori personash kanë qenë, janë dhe do të mbeten në qendër të vëmendjes së qeverisë, kryeministri bëri të njohura disa shifra krahasuese me vitin 2005, lidhur me trajtimin e personave me aftësi të kufizuar (paraplegjikë dhe tetraplegjikë). “Meqenëse bëhet kjo zhurmë lidhur me trajtimin e tyre, unë të nderuar qytetarë dua tu sqaroj sa vijon: Në vitin 2005 buxheti për personat me aftësi të kufizuar ka qenë 6.1 miliard lekë. Buxheti aktual për personat me aftësi të kufizuar është 13 miliard lekë. Nuk është llogaritur këtu rritja e fondit të rimbursimit të ilaçeve, rritje nga e cila të parët që përfitojnë janë ky kontingjent, të cilët më shumë se çdokush kanë nevojë për medikamente. Kjo rritje është 5 herë më e madhe, ka qenë 50 milion dollarë, apo 5 miliardë lekë, tani është 250 milion dollarë apo 25 miliardë lekë.”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri siguroi se asgjë s’mund të errësojë qëndrimin njerëzor, përkushtimin e madh të qeverisë, ndaj këtyre qytetarëve.
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:
Këto ditë ka patur një zhurmë në media lidhur me disbursimin e rrogave, të pensioneve dhe ka patur prej tyre që bërtitën “Eureka”, atë të cilën nuk e gjetën dot për më shumë se 7 vite me rradhë dhe që nuk do ta gjejnë dot për 8 vitet e ardhshme kujtuan se ju erdhi ne ekran. E vërteta është se nuk ka patur dhe nuk ka as edhe një mungesë të asnjë lloj fondi, në mënyrë kategorike. Ka patur një mosparaqitje të listpagesave të zyrave të financave, por rroga pa list-pagesa nuk mund të jepet dhe ky është një ligj themelor. Ato do të bëhen dhe do ti marrin që të gjithë dhe i kanë marrë ose do i marrin pa asnjë lloj vështirësie. Ka patur një problem me një pjesë të invalidëve të cilët për dy shkaqe kryesore kanë patur vonesë të papranueshme.
Shkaku i parë ka qëne se në përllogaritjet e faturës së energjisë elektrike ka patur një abuzivitet të papranueshëm dhe qeveria u detyrua të ndërrojë praktikën dhe jo të heqë mbështetjen përkundrazi, por ta përcaktojë atë mbi bazën e kritereve, të cilat janë të përcaktuara qartë në një studim i ERE-s, por edhe të mbështetura plotësisht nga BB, e cila ka konstatuar se 60 % e popullatës në Shqipëri konsumojnë për nevojat e tyre 220 kilovat/orë energji elektrike, dhe kjo është e mjaftueshme sipas këtij studimi shumë të hollësishëm, plotësisht të besueshëm, energji elektrike për ndriçim, për makineri shtëpiake, frigorifer, televizor, për gatim, përjashtuar këtu ngrohjen dhe kjo rillogaritje ishte një punë voluminoze, por e vërteta është se ka patur edhe një lloj qëndrimi nga autoritetet vendore në disa komuna dhe bashki, të cilat nuk kanë qenë, në lartësinë e detyrës së tyre për shpërndarjen e kësaj ndihme.
Meqenëse bëhet kjo zhurmë lidhur me trajtimin e tyre, unë të nderuar qytetarë dua tu sqaroj sa vijon: Në vitin 2005 buxheti për personat me aftësi të kufizuar ka qenë 6.1 miliard lekë. Buxheti aktual për personat me aftësi të kufizuar është 13 miliard lekë. Nuk është llogaritur këtu rritja e fondit të rimbursimit të ilaçeve, rritje nga e cila të parët që përfitojnë janë ky kontingjent, të cilët më shumë se çdokush kanë nevojë për medikamente. Kjo rritje është 5 herë më e madhe, ka qenë 50 milion dollarë, apo 5 miliardë lekë, tani është 250 milion dollarë apo 25 miliardë lekë. Pagesa e personave për të verbërit dhe kujdestarët ka qenë 6800 lekë në muaj, kurse sot është 10900 lekë. Pagesa mujore për personat para/tetraplegjik ka qenë 6800 lekë, ndërsa sot është 9500 lekë. Për sa i përket paketës higjeno-sanitare, e cila nuk u paguhej asgjë më parë, pra në vitin 2005 ishte zero pagesë, sot kjo qeveri jep për paketën higjeno-sanitare të çdo paraplegjiku dhe tetraplegjiku 160 mije lekë në muaj. Pagesa mujore për para dhe tetraplegjikjët që ndjekin arsimin e mesëm dhe të lartë është 279 mijë lekë në muaj, pra më shumë se një rrogë minimale e punonjësve. Kompensimi që marrin për karburantin në vitin 2005 ka qenë 40 mijë lekë me të vjetra, ndërsa sot është 70 mijë lekë, pra pothuajse është dyfishuar. Përsa i përket kompensimit që marrin për energjinë elektrike, kategoria e parë merr 20 mijë lekë të vjetra. Kategoria e dytë merr 14 mije lekë të vjetra. Po kështu marrin një shumë të caktuar për telefoninë fikse, duke u barazuar kështu me zyrtarët më të lartë të cilëve ju subvencionohet telefonia për qëllime zyrtare. Ju paguhet gjithashtu fatura e ujit. Në tërësi shuma që kjo qeveri ka vendosur ose shpenzon sot për një para ose tetraplegjik është absolutisht 5 herë më e madhe se ajo që shpenzohej në vitin 2005, në qoftë se llogarisim këtu paketën higjeno-sanitare, në qoftë se llogarisim këtu rritjen e çmimit të naftës, së energjisë elektrike, si dhe kujdestarëve të cilëve nuk ju llogaritej asnjë ditë punë, sot ju paguhen sigurimet shoqërore njëlloj si punonjësve të spitalit, për efekte pensioni. Unë mendoj se në përputhje me standardet dhe mundësitë e këtij vendi është bërë absolutisht maksimumi i asaj që mund të bëhej. Në qoftë se mbledhim të gjitha këto, përbëjnë një shumë afër rrogës mesatare të një punonjësi, pa përfshirë këtu medikamentet. Ndaj dhe e lexova këtë, e thashë edhe njëherë, duke mos u pajtuar me disa vonesa në disa komuna dhe bashki me disbursimin në kohë për shkaqe që theksova, asgjë s’mund të errësojë qëndrimin njerëzor, përkushtimin e madh të kësaj qeverie, ndaj këtyre qytetarëve që janë me probleme të aftësive të tyre fizike. Kështu që më lejoni dhe njëherë ti garantoj, se kanë qenë, janë dhe do të mbeten në qendër të vëmendjes së qeverisë.
Do të ndërmarrim me vendosmëri krijimin e qendrave të rehabilitimit të tyre dhe praktika dhe politika punësi do të thellohen dhe më tej, ndonëse ekzistojnë.
09/01/2013