Kryeministri Berisha: Zgjidhja e problemit të legalizimeve është një kusht vendimtar në reformën e pronësisë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e shpërndarjes së Lejeve të Legalizimit për një numër objektesh të formalizuara.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka ndërtuar përballjen ligjore më miqësore ndaj këtij fenomeni.
Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se zgjidhja e problemit të legalizimeve është një kusht vendimtar në reformën e pronësisë.
“Reforma e pronësisë është reforma e themelit të sistemit që ne ndërtojmë. Në këtë aspekt asnjë reformë tjetër nuk ka rëndësinë e saj”, nënvizoi Kryeministri.
Kryeministri theksoi se procesi ka vuajtur shumë nga kanceri i korrupsionit veçanërisht në Bashkinë e Tiranës, e cila përbën modelin më të shëmtuar jo vetëm duke bllokuar legalizimin e shtesave të pallateve, por duke mbajtur peng edhe Planin Urbanistik të Tiranës.
Procesi i shpërndarjes së Lejeve të Legalizimit do të vijojë në të gjitha qarqet dhe rrethet e Shqipërisë sipas një kalendari të përcaktuar nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave /Ndërtimeve Informale (ALUIZNI).
Deri në shtator të vitit 2008 ka përfunduar procesi vullnetar i deklarimit të ndërtimeve informale, i cili rezultoi me krijimin e bazës së të dhënave për 270 595 objekte informale të vetëdeklaruara.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
Është një kënaqësi shumë madhe për mua t`ju përshëndes ju të gjithëve, ministra deputetë, zyrtarë të ALUIZNI-t dhe institucioneve të tjera, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare si dhe qytetarë që sot merrni Lejet e Legalizimit. Por një përgëzim të veçantë unë dua t`ju bëj drejtuesve dhe punonjësve të ALUIZNI-t, këtij institucioni të ri, i cili nisi punën nga zero dhe u përball ose mori si mision t`i japë përgjigjen ligjore njërit prej problemeve më madhore të krijuara gjatë viteve të pluralizmit politik, problem ky që në rast se do të listoheshin vendet për sa u përket ndërtimeve informale sipërfaqes dhe territorit Shqipëria do të ishte e para do të ishte edhe e dyta sepse të dytë nuk do të kishte.
E vërteta është se në Shqipëri ky fenomen mori përmasa të paimagjinueshme. Përmasat e tij kanë krijuar probleme serioze urbanistike, por kjo përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme në historinë e këtij vendi. Është ky fenomen që Tiranën, e cila për 40 vjet mbeti tek 200 mijë banorë e ka trefishuar sot. Është ky fenomen që qytetet tona të mëdha Durrësin, Shkodrën, Elbasanin, Fierin, Vlorën Korçën, Beratin i ka ridimensionuar dhe unë mund të them se vështirësitë e pamohueshme që ka krijuar janë dhe do të jenë aq kalimtare dhe të parëndësishme në krahasim me dobitë e mëdha të këtij fenomeni.
Është ky fenomen në ecurinë e tij që zvogëlon çdo ditë e më shumë Shqipërinë rurale dhe e shndërron atë në Shqipëri urbane, është ky fenomen që fuqizon potencialet e qyteteve tona. Është ky fenomen, e vërteta është se në këtë rast themelon Shqipërinë e shekullit XXI. Shqipëria erdhi në fundin e shekullit të kaluar si një vend me 60 -65 % popullsi rurale, një pjesë e madhe e saj në kushte mjerimi.
Nisur nga këto vlerësime qeveria ka ndërtuar përballjen ligjore më miqësore ndaj këtij fenomeni. Por nga ana tjetër, zgjidhja e problemit të legalizimeve është një kusht vendimtar në reformën e pronësisë. Reforma e pronësisë është reforma e themelit të sistemit që ne ndërtojmë. Në këtë aspekt asnjë reformë tjetër nuk ka rëndësinë e saj. U nis nga zero. U nis me një trashëgimi zyrtare jo miqësore ndaj këtij fenomeni. U nis në prani të mureve psikologjike. U nis në një kohë kur ky fenomen ishte i zhytur në një korrupsion të përmasave gjigande.
Imagjinoni qytetin e Tiranës në të cilin 10 mijë apartamente shtesa mbaheshin peng, nga Bashkia e qytetit për t`u vjelë dhe për t`u mjelë dhe për asgjë tjetër.
Është e lehtë të qortosh dhe unë nuk jam kundër qortimit të komunave përreth, por nuk ke gojë të flasësh kur mban peng qendrën, kur në çdo rrugë dhe në çdo rrugicë ke toleruar dhe ke krijuar informalitetin dhe kjo vetëm për ta vjelë dhe për ta mjelë, për asgjë tjetër. Çfarë të pengonte të jepje lejen, çfarë të pengonte të regjistroje shtesën e pallatit me leje? Pra fenomeni ka vuajtur shumë edhe nga kanceri i korrupsionit. Në këtë aspekt Tirana është modeli më i shëmtuar, jo vetëm që nuk legalizohen shtesat e pallateve, por sot nuk dorëzohet Plani Urbanistik i kryeqytetit i financuar tërësisht nga Banka Botërore.
Pse nuk dorëzohet plani? Nuk dorëzohet plani se llokmat e tij duhet të gopësiten dhe të ndahen në klane qartësisht të lidhura kokë e këmbë me kryetarin e bashkisë, i cili pasi vendosi këtu sistemin ,më të turpshëm të lejeve të ndërtimit, prej 355 ditësh dhe e renditi Shqipërinë në vendin e 176 në botë, në rrethin e 9-të të ferrit të Dantes për korrupsionin, tani na mban peng qytetin dhe Tiranën me Planin Urbanistik sikur ta kishte plaçkë personale dhe jo plan që ka të bëjë me jetën e çdo qytetari me jetën e fëmijëve tanë , ka të bëjë me jetën shoqërore, ekonomike e të gjithanshme të qytetit. Ka frikë ta dorëzojë sepse u ka dhënë dhjetëra e dhjetëra hektarë tokë publike që s`do të mundë të përdorë dot një centimetër, kompanive Edil ose Ed-il.
Pra ky proces është jetik. U ndala sepse është jashtëzakonisht e rëndë situata në Tiranë. Kemi respekt shumë për shoqatën e ndërtuesve, nuk kemi parë të kërkojnë planin se shumë prej tyre janë të lidhur kokë e këmbë sepse Edil-i është në krye të shoqatës. Ka marrë llokmat e veta, por ndërtuesit e tjerë, nuk duhet të kenë gjë.
Zotërinj ndërtues duhet të ngrini zërin tuaj, nuk duhet të kurboheni kaq lehtë sepse nuk jeni bërë ndërtues as nga Sali Berisha as nga Edi Rama jeni bërë ndërtues me gjeninë tuaj krijuese dhe nuk duhet të pranoni ju që për tre kompani të mbahet peng Plani Urbanistik i qytetit tuaj.
U ndala këtu sepse informaliteti dhe Plani Urbanistik janë të lidhura në mënyrën më të pazgjidhshme me njëri-tjetrin. Sigurisht asgjë s`ka më të lidhur.
Duke përgëzuar ALUIZNI-in për gjithë punën ju garantoj ju se ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë të pandërprerë “Shqipëria nën ligj”.
Ky është një proces jo i thjeshtë , ky është një proces pune voluminoze, ky është një proces pune shumë serioze, por Shqipëria është serioze, është një vend serioz që ecën drejt NATO-s, është një vend që ecën drejt Bashkimit Europian, është një vend solid , i cili edhe në një krizë të madhe botërore, pavarësisht se përballet me pasojat e kësaj krize në mënyrën më të pashmangshme sërish kuotohet dhe vlerësohet të jetë në vendin e parë në Europë për rritjen ekonomike këtë vit.
Kjo është dëshmi e një serioziteti, kjo është dëshmi e funksionimit të ligjit, kjo është dëshmi e reformave të thella, ndër të cilat dhe legalizimet, që e kanë shndërruar këtë vend nga një vend që degdisej në labirinthe në një vend që ecën në dritën e diellit, me vështirësitë e saj jo të vogla, por ecën e sigurtë drejt një ndryshimi të madh, një vend që ndryshon në mënyrë konstante e të vazhdueshme një vend që ndryshon më shumë se çdo vend tjetër.
Zoti Memia ju njohu me të gjitha statistikat, kështu që unë nuk po ndalem tek këto statistika, por edhe njëherë dua t`ju përgëzoj të gjithëve ju, qeveritarët vendorë, të gjithë dikasteret që kanë bërë këtë punë që ne sot të ndajmë gëzimin e madh me pronarët, me zotërit e shtëpive dhe oborreve të tyre.
06/03/2009